Ezekiel 32
1 Edhe në vitin e dymbëdhjetë, ditën e parë të mujit të dymbëdhjetë, më ka ardh apet nji fjalë pi Jehovës. Ajo thojke:
2 “O bir i njeriut, këndoje nji kangë vajtimi për faraonin, mbretin e Egjiptit,
edhe thuji: ‘Ti u konë si nji luan i ri e i fortë
në mesin e popujve, po tash të kanë bo me heshtë. Ti u
konë si nji përbindësh i madh i ujit, që përplasej nëpër lumenjtë e
vet, që me kambët e veta e trazojke lloçin edhe i përlyjke lumenjtë.’
3 Qeshtu po thotë Zotnia Sovran Jehova: ‘Me ndihmën e shumë popujve
të mbledhun bashkë, kam me ta gjujt rrjetën teme përmi,
edhe ata kanë me të nxjerrë me rrjetën teme që tërhiqet.
4 Kam me të lanë në tokë. Kam me të gjujt
në fushë të hapët. Kam me bo që krejt shpezët
e qiellit me u lëshu përmi ty, edhe krejt
kafshët e egra të tokës me u ngi me ty.
5 Kam me ta gjujt mishin nëpër male edhe
kam me i mbushë luginat me mbetjet tua.
6 Kam me e lagë tokën me gjakun tand që ka me rrjedhë me
shumicë, deri nalt nëpër male, edhe gjaku ka me i mbushë përrenjtë.’
7 ‘Edhe kur kam me të zhdukë, kam me e mbulu qiellin
edhe kam me ua errësu dritën yjeve. Kam me e mbulu diellin
me re, edhe hana s’ka me e lëshu dritën e vet.
8 Për shkakun tand, kam me i errësu krejt dritat që shndrisin në qiell,
edhe kam me ta mbulu tokën me terr’, thotë Zotnia Sovran Jehova.
9 ‘Kam me ua mbushë zemrat me mërzi shumë popujve, kur kam me i çu
robërit e tu te popujt tjerë, në vende që ti s’i ke njoftë.
10 Kam me i shti shumë popuj me u tutë, edhe mbretat e tyne ka
me i kapë tmerri për shkakun tand, kur kam me e tund shpatën
teme para tyne. Ata kanë me u dridhë pa nalë, se secili ka me
u tutë për jetën e vet, ditën kur ti ke me u shkatrru.’
11 Se qeshtu po thotë Zotnia Sovran Jehova:
‘Shpata e mbretit të Babilonisë ka me ardh kundër teje.
12 Kam me bo që ushtritë tua me ra pi shpatave të luftëtarëve të
fuqishëm, pi ma të pamëshirshmëve ndër krejt popujt. Ata kanë me e
rrëzu krenarinë e Egjiptit, edhe krejt ushtritë e tij kanë me u zhdukë.
13 Kam me ia shkatrru krejt bagëtinë që rrin afër ujërave të tij të mdhaja, edhe kurr ma
as kamba e njeriut e as thundra e kafshës s’ka me e trazu lloçin në ato ujna.’
14 ‘Në atë kohë kam me bo që ujnat me u kthjellu,
edhe lumenjtë me rrjedhë qetë si vaji’, thotë Zotnia Sovran Jehova.
15 ‘Kur kam me e bo Egjiptin nji ven krejt të shkretë, nji tokë
që i asht marrë krejt qka ka pasë, kur kam me i vra krejt
banorët e tij, atëherë kanë me e marrë vesh që unë jom Jehova.
16 Kjo asht nji kangë vajtimi edhe kanë me e këndu pa tjetër.
Bijat e popujve kanë me e këndu.
Ato kanë me vajtu për Egjiptin edhe për krejt ushtritë e tij’, thotë Zotnia Sovran Jehova.”
17 Masanej, në vitin e dymbëdhjetë, ditën e pesëmbëdhjetë të mujit, më ka ardh nji fjalë pi Jehovës. Ajo thojke:
18 “O bir i njeriut, vajto për ushtritë e Egjiptit, edhe rrëzoje Egjiptin bashkë me bijat e popujve të fuqishëm në vendin thellë poshtë, bashkë me ata që zhdrypin n’vorr.
19 ‘Kujt po ia kalon ti për bukuri? Zhdryp poshtë edhe shtriju bashkë me ata që s’jonë të rrethpremë!’
20 ‘Egjiptianët kanë me ra në mesin e atyne që jonë vra me shpatë. Egjipti i asht dorëzu shpatës. Tërhiqeni e çojeni bashkë me krejt ushtritë e tij.
21 Pi thellësisë së vorrit, luftëtarët ma të fuqishëm kanë me i folë faraonit edhe ndihmësve të tij. Ata pa tjetër kanë me zhdryp poshtë edhe kanë me nejt të shtrimë, qysh rrinë ata që s’jonë të rrethpremë e që jonë vra me shpatë.
22 Aty asht Asiria me krejt ushtrinë e vet. Vorret e tyne jonë përreth mbretit. Krejt jonë vra me shpatë.
23 Vorret e Asirisë jonë në gropën ma të thellë, edhe ushtria e saj asht përreth vorrit të saj. Krejt jonë vra me shpatë, se kanë përhapë tmerr në tokën e të gjallëve.
24 Aty asht edhe Elami, me krejt ushtritë e veta përreth vorrit të tij. Krejt jonë vra me shpatë. Ata kanë zhdryp në vendin thellë poshtë pa konë të rrethpremë. Ata jonë ata që kanë përhapë tmerr në tokën e të gjallëve. Tash kanë me e bartë marrën e vet bashkë me ata që zhdrypin n’vorr.
25 Elamit ia kanë përgatitë nji shtrat në mesin e të vramëve, edhe krejt ushtritë e tij jonë përreth vorreve të tij. Krejt jonë të parrethpremë, të vramë me shpatë, se kanë përhapë tmerr në tokën e të gjallëve. Edhe ata kanë me e bartë marrën e vet bashkë me ata që zhdrypin n’vorr. Elamin e kanë shtri në mesin e të vramëve.
26 Aty jonë Mesheku edhe Tubali, bashkë me krejt ushtritë e tyne. Vorret e tyne jonë përreth mbretit. Krejt jonë të parrethpremë, të shpuem me shpatë, se kanë përhapë tmerr në tokën e të gjallëve.
27 A s’kanë me u shtri ata bashkë me luftëtarët e fuqishëm të parrethpremë që kanë ra, e që kanë zhdryp n’vorr me armët e tyne të luftës? Shpatat kanë me jau vnu nën krye, edhe gjynahet e tyne kanë me ju ra mbi eshtnat e tyne, se këta luftëtarë të fuqishëm kanë përhapë tmerr në tokën e të gjallëve.
28 Po edhe ti ke me u shkatrru në mesin e të parrethpremëve, edhe ke me u shtri bashkë me ata që jonë vra me shpatë.
29 Aty asht Edomi, me mbretat e vet edhe krejt prijësit e tij, që edhe pse jonë konë të fuqishëm, i kanë shtri në mesin e atyne që jonë vra me shpatë. Edhe ata kanë me u shtri bashkë me të parrethpremët edhe me ata që zhdrypin n’vorr.
30 Aty jonë krejt prijësit e veriut bashkë me krejt sidonasit, që kanë zhdryp poshtë me marre bashkë me të vramët, edhe pse fuqia e tyne ka përhapë tmerr. Ata kanë me u shtri të parrethpremë bashkë me ata që jonë vra me shpatë, edhe kanë me e bartë marrën e vet bashkë me ata që zhdrypin n’vorr.
31 Faraoni ka me i pa krejt ata, edhe kjo ka me e ngushëllu për krejt qka i ka ndodhë ushtrisë së tij. Faraoni edhe krejt ushtria e tij kanë me u vra me shpatë’, thotë Zotnia Sovran Jehova.
32 ‘Se aj ka përhapë tmerr në tokën e të gjallëve, faraoni edhe krejt ushtritë e tij kanë me u shtri për me pushu bashkë me të parrethpremët, në mesin e atyne që jonë vra me shpatë’, thotë Zotnia Sovran Jehova.”