Jeremia 36
1 N'vitin e katërt t'sundimit t'Jojakimit, djalit t'Josias, mbretit t'Judës, Jeremias i ka ardhë kjo fjalë pi Jehovait:
2 “Merre nji rrotull libri edhe shkruji n të krejt ato që t'i kam thanë, krejt fjalët kundër Izraelit, Judës edhe krejt popujve, qysh pi ditës së parë kur t'kam folë n'kohën e Josias e deri sot.
3 Ndoshta njerëzit e Judës, kur t'i ndëgjojnë krejt fatkeqësitë që kam n'mend me ua pru, kanë me u kthy secili pi rrugës së vet t'keqe, që unë me mujtë me ua falë fajet edhe gjynahet.”
4 Atëherë Jeremia e ka thirrë Barukun, djalin e Nerias, edhe ia ka thanë krejt fjalët që Jehovai ia kishte thanë atij. E Baruku i ka shkru ato n'rrotullën e librit.
5 Masanej Jeremia i ka dhanë këtë urdhën Barukut: “Mu m'asht ndalu me hy n'shpinë e Jehovait.
6 Për qata ti duhet me shku atje edhe me i lexu me za fjalët e Jehovait pi rrotullës së librit që i ke shkru qysh t'i kam thanë unë. Lexoju njerëzve që jonë n'shpinë e Jehovait ditën e agjërimit, që ata me i ndëgju. Qishtu ke me ua lexu krejt njerëzve t'Judës që kanë ardhë pi qytetet e tyne.
7 Ndoshta lutjet e tyne për mëshirë kanë me mbërri te Jehovai, edhe secili ka me u kthy pi rrugës së vet t'keqe, se Jehovai ka paralajmëru zemërim edhe hidhërim t'madh kundër këtij populli.”
8 Baruku, djali i Nerias, i ka ba krejt ato që profeti Jeremia ia ka urdhnu, edhe i ka lexu me za fjalët e Jehovait pi rrotullës së librit n'shpinë e Jehovait.
9 N'vitin e pestë t'sundimit t'Jojakimit, djalit t'Josias, mbretit t'Judës, n'mujin e nandë, i kanë thirrë krejt njerëzit e Jerusalemit edhe krejt ata që kanë ardhë pi qytetet e Judës n'Jerusalem, me agjëru para Jehovait.
10 Atëherë Baruku i ka lexu me za fjalët e Jeremias pi rrotullës së librit n'shpinë e Jehovait, n'dhomën e Gemarjas, djalit t'Shafanit, që u konë shkrues. Ajo dhomë u konë n'oborrin e epërm, te hymja e portës së re t'shpisë së Jehovait, edhe krejt njerëzit i kanë ndëgju.
11 Kur Mikaja, djali i Gemarjas, djalit t'Shafanit, i ka ndëgju krejt fjalët e Jehovait pi rrotullës së librit,
12 ka zhdryp te pallati i mbretit, n'dhomën e sekretarit. Aty rrishin krejt prijësit: sekretari Elishama, Delaja, djali i Shemajas, Elnathani, djali i Akborit, Gemarja, djali i Shafanit, Zedekia, djali i Hananjas, edhe krejt prijësit tjerë.
13 Mikaja ua ka kallxu krejt fjalët që i kishte ndëgju kur Baruku i ka lexu pi rrotullës së librit para popullit.
14 Atëherë krejt prijësit e kanë çu Jehudin, djalin e Nethanjas, djalit t'Shelemjas, djalit t'Kushit, te Baruku edhe i kanë çu fjalë: “Hajde edhe merre me veti rrotullën e librit pi së cilës u ke lexu njerëzve!” Kështu Baruku, djali i Nerias, e ka marrë rrotullën e librit edhe ka shku te ata.
15 Ata i kanë thanë: “Ulu, t'lutna, edhe lexona neve.” Kështu Baruku ua ka lexu rrotullën e librit.
16 Sapo i kanë ndëgju krejt ato fjalë, janë kqyrë njani-tjetrin t'frikësum edhe i kanë thanë Barukut: “Patjetër duhet me ia kallxu mbretit krejt këto fjalë.”
17 Edhe e kanë vetë Barukun: “Na kallxo, t'lutna, qysh i ke shkru krejt këto fjalë? A t'i ka thanë aj e ti i ke shkru?”
18 Baruku u ka thanë: “Aj m'i ka thanë krejt këto fjalë, e unë i kam shkru me ngjyrë shkrimi n'këtë rrotull libri.”
19 Atëherë prijësit i kanë thanë Barukut: “Shkoni e mshehuni, ti edhe Jeremia, edhe mos e leni kërkan me e ditë ku jeni.”
20 Masanej ata kanë shku te mbreti n'oborr. Rrotullën e librit e kanë lanë n'dhomën e sekretarit Elishama, edhe ia kanë kallxu mbretit krejt ato që i kishin ndëgju.
21 Mbreti e ka çu Jehudin me e marrë rrotullën e librit, edhe aj e ka marrë pi dhoma e sekretarit Elishama. Masanej Jehudi ka nisë me e lexu me za para mbretit edhe krejt prijësve që rrishin te mbreti.
22 Mbreti u konë ulë n'shpinë e dimnit, se u konë muji i nandë, edhe para tij u konë nji enë me prush, ku po digjke zjarri.
23 Sa herë që Jehudi i lexojke tri a katër shtylla shkrimi, mbreti e prejke atë pjesë me thikën e sekretarit edhe e gjujke n'zjarrin që digjke n'enën me prush. Qishtu ka vazhdu derisa krejt rrotulla e librit u djegë n'zjarr.
24 Po as mbreti e as ndonji pi shërbëtorëve t'tij që i kanë ndëgju krejt këto fjalë s'janë frikësu, e as s'i kanë shqy teshat e veta.
25 Edhe pse Elnathani, Delaja edhe Gemarja i janë lutë mbretit mos me e djegë rrotullën e librit, aj s'i ka ndëgju.
26 Mbreti ka urdhnu edhe Jerahmeelin, djalin e mbretit, Serajan, djalin e Azrielit, edhe Shelemjan, djalin e Abdeelit, me i kapë sekretarin Baruk edhe profetin Jeremia. Po Jehovai i ka mbajtë t'mshehun.
27 Masi mbreti e ka djegë rrotullën e librit me fjalët që Baruku i kishte shkru qysh ia kishte thanë Jeremia, Jeremias i ka ardhë prapë nji fjalë pi Jehovait:
28 “Merre nji rrotull tjetër libri edhe shkruji n të krejt fjalët që u konë n'rrotullën e parë, atë që e ka djegë Jojakimi, mbreti i Judës.
29 Edhe mbretit Jojakim t'Judës thuja këtë fjalë kundër tij: ‘Kështu thotë Jehovai: “Ti e ke djegë këtë rrotull libri edhe ke thanë: ‘Pse e ke shkru n të që mbreti i Babilonisë pa tjetër ka me ardhë, ka me e shkatërru këtë vend edhe ka me i zhdukë njerëzit e kafshët pi tij?’
30 Për qata, kështu thotë Jehovai kundër Jojakimit, mbretit t'Judës: ‘Aj s'ka me pasë kërkan që ka me u ulë n'fronin e Davidit, edhe trupi i tij i dekun ka me mbetë jashtë, ditën n'vapë e natën n'acar.
31 Unë kam me e marrë n'përgjegjësi atë, pasardhësit e tij edhe shërbëtorët e tij për fajet që i kanë ba. Edhe kam me ua pru atyne, banorëve t'Jerusalemit edhe njerëzve t'Judës krejt fatkeqësinë që ua kam paralajmëru, po ata s'kanë dashtë me ndëgju.’”’”
32 Atëherë Jeremia e ka marrë nji rrotull tjetër libri edhe ia ka dhanë sekretarit Baruk, djalit t'Nerias. Baruku i ka shkru krejt fjalët që Jeremia ia ka thanë, ato fjalë që u konë n'rrotullën e librit që e ka djegë Jojakimi, mbreti i Judës. Edhe janë shtu shumë fjalë tjera t'ngjashme.