Jobi 42
1 Masanej Jobi i ka kthy përgjigje Jehovait:
2 „Tash e di që ti munesh me bo gjithçka edhe që s’ka
kurgjo që e ki në mendje e që s’munesh me e bo.
3 Ti ke thanë: ‘Kush asht aj që e errëson atë
që kom vendosë, pa pasë njohuri?’ Po, unë kom folë
pa e ditë mirë qka po thom, për sene që
jonë tepër të mrekullueshme për mu e që s’i di.
4 Ti ke thanë: ‘Ngom, të lutna, se unë kom me
folë. Unë kom me të vetë, e ti më kallxo.’
5 Ma herët veç me veshë kom ni për ty,
po tash po të shoh me sytë e mi.
6 Për qata po i marr mbrapsht fjalët që i
kom thanë, edhe po pendohem në pluhun e hi.“
7 Pasi Jehovai e ka kry fjalën me Jobin, i ka folë Elifazit, temanistit:
„Jom shumë i zemërum me ty edhe me dy shokët e tu, se ju s’keni folë të vërtetën për mu, qysh ka folë shërbëtori jem Jobi.
8 Tash merrni shtatë dema edhe shtatë desh, shkoni te shërbëtori jem Jobi edhe bani nji kurban të djegun për veti. Shërbëtori jem Jobi ka me u lutë për ju. Unë pa tjetër kom me ia pranu lutjen edhe s’kom me ju dënu për marrëzinë tuaj, se ju s’keni folë të vërtetën për mu, qysh ka folë shërbëtori jem Jobi.“
9 Kështu Elifazi, temanisti, Bildadi, shuhisti, edhe Zofari, naamathisti, kanë shku edhe e kanë bo qka ju ka thanë Jehovai. Edhe Jehovai e ka dëgju lutjen e Jobit.
10 Pasi Jobi u lut për shokët e vet, Jehovai ia ka marrë vuajtjet edhe ia ka kthy pasuninë. Jehovai i ka dhanë dyfish ma shumë se qka ka pasë përpara.
11 Krejt vllaznitë e motrat e tij, edhe krejt shokët që i ka pasë ma herët, kanë ardhë me e vizitu edhe kanë hangër bashkë me të në shpinë e tij. Atyne ju ka ardhë keq për të edhe e kanë ngushëllu për krejt fatkeqësitë që Jehovai ka leju me i ndodhë. Secili pi tyne ia ka dhanë nji pare edhe nji unazë ari.
12 Jehovai e ka beku pjesën e fundit të jetës së Jobit ma shumë se fillimin. Tash aj i ka pasë 14 000 dele, 6 000 deve, 2 000 gjedhe edhe 1 000 gomarica.
13 I kanë lindë edhe shtatë djem tjerë edhe tri vajza tjera.
14 Vajzës së parë ia ka lanë emnin Jemima, të dytës Kezia, e të tretës Keren-Hapuk.
15 Në krejt venin s’ka pasë gra aq të bukura sa vajzat e Jobit. Edhe babai i tyne ju ka dhanë trashëgimi njisoj si vllaznive të tyne.
16 Mas kësaj, Jobi ka jetu edhe 140 vjet tjera edhe i ka pa katër breza të fëmijëve, nipave e mbesave të veta.
17 Në fund, Jobi ka vdekë mas nji jete të gjatë e të plotë.