Ezekiel 41
1 Masanej aj m’ka çu n’shenjtëroren e jashtme edhe i ka matë shtyllat anash. Ato jonë konë 6 kubitë t’thella edhe jonë konë n’të dy anët.
2 Hyrja u konë 10 kubitë e gjanë, kurse muret anash hyrjes jonë konë nga 5 kubitë t’gjana n’të dy anët. Aj e ka matë shenjtëroren e jashtme edhe ajo u konë 40 kubitë e gjatë e 20 kubitë e gjanë.
3 Masanej aj ka hy mbrenda edhe e ka matë shtyllën anash hyrjes. Ajo u konë 2 kubitë e thellë, kurse hyrja u konë 6 kubitë e gjanë. Muret anash hyrjes i kanë pasë nga 7 kubitë.
4 Masanej aj e ka matë dhomën mbrapa shenjtërores së jashtme. Ajo u konë 20 kubitë e gjatë edhe 20 kubitë e gjanë. Aj m’ka thanë: „Ky asht vendi ma i shenjtë.“
5 Masanej aj e ka matë murin e tempullit edhe aj u konë 6 kubitë i trashë. Dhomat anash, rreth e rrotull tempullit, jonë konë 4 kubitë t’gjana.
6 Ka pasë dhoma anash n’tri kate, nji dhomë mbi tjetrën. Secili kat i ka pasë 30 dhoma. Rreth e rrotull murit t’tempullit ka pasë pjesë t’daluna ku jonë mbështetë trarët e tavanit t’dhomave anash, kështu që trarët s’jonë konë t’futun n’murin e tempullit.
7 N’të dy anët e tempullit ka pasë nji kalim me kthesa që zgjanohej kah dhomat e nalta. Kur hypje pi katit ma t’poshtëm, nëpër katin e mesëm, e deri te kati ma i naltë, kalimi zgjanohej n’secilin kat.
8 E kam pa nji bazament rreth e rrotull tempullit, edhe themelet e dhomave anash i kanë pasë 6 kubitë deri te skaji, sa gjatësia e plotë e nji shkopi matës.
9 Muri i jashtëm i dhomave anash u konë 5 kubitë i trashë. Përgjatë pjesës së ndërtume me dhoma anash, që i takojshin tempullit, ka pasë nji rrip vendi t’lirë.
10 Mes tempullit edhe dhomave ku hahej bukë, n’secilën anë ka pasë nji hapësirë 20 kubitë t’gjanë.
11 N’anën e veriut ka pasë nji hyrje që çojke pi vendit t’lirë te dhomat anash, edhe nji hyrje tjetër u konë n’anën e jugut. Vendi i lirë u konë 5 kubitë i gjanë rreth e rrotull.
12 Ndërtesa n’perëndim, që u konë ngjit me hapësirën e hapun, i ka pasë 70 kubitë gjanësi edhe 90 kubitë gjatësi. Muri i ndërtesës u konë 5 kubitë i trashë rreth e rrotull.
13 Aj e ka matë tempullin edhe aj u konë 100 kubitë i gjatë. Edhe hapësira e hapun, bashkë me ndërtesën edhe muret e saj, u konë 100 kubitë e gjatë.
14 Gjanësia e pjesës së përparme t’tempullit, kah lindja, bashkë me hapësirën e hapun, u konë 100 kubitë.
15 Aj e ka matë gjatësinë e ndërtesës që u konë mbrapa hapësirës së hapun, bashkë me galeritë e saj n’të dy anët, edhe jonë konë 100 kubitë.
Aj e ka matë edhe shenjtëroren e jashtme, shenjtëroren e mbrendshme edhe hajatet e oborrit,
16 bashkë me pragjet, dritaret që i kishin hapjet që ngushtoheshin edhe galeritë n’këto tri pjesë. Jo larg pragut ka pasë veshje me dërrasa druni, pi dyshemesë deri te dritaret, edhe dritaret jonë konë t’mbulume.
17 Jonë marrë masat edhe mbi hyrje, mbrenda tempullit e jashtë tij, si edhe përgjatë krejt murit rreth e rrotull.
18 Aty ka pasë gdhendje t’kerubinëve edhe t’palmave, me nga nji palmë mes dy kerubinëve, edhe secili kerubin i ka pasë dy ftyra.
19 Ftyra e njeriut shikojke kah palma n’njanën anë, kurse ftyra e luanit kah palma n’anën tjetër. Këto gdhendje jonë konë n’krejt tempullin.
20 N’murin e shenjtërores, pi dyshemeja e deri mbi hyrje, ka pasë gdhendje t’kerubinëve edhe t’palmave.
21 Shtyllat e derës t’shenjtërores jonë konë katrore. Përpara vendit t’shenjtë ka pasë diçka si
22 nji altar pi druni, 3 kubitë i naltë edhe 2 kubitë i gjatë. Aj i ka pasë shtyllat n’këndet e veta, edhe bazamenti e anët e tij jonë konë pi druni. Atëherë aj m’ka thanë: „Kjo asht tavolina që qëndron para Jehovait.“
23 Shenjtërorja e jashtme edhe vendi i shenjtë i kanë pasë secila nga dy dyer.
24 Dyert i kanë pasë nga dy kanate që rrotulloheshin, dy kanate n’secilën derë.
25 N’dyert e shenjtërores ka pasë gdhendje t’kerubinëve edhe t’palmave, njejt si ato n’mure. Edhe jashtë, n’pjesën e përparme t’hajatit, ka pasë nji kornizë druni që dilke jashtë.
26 Aty ka pasë edhe dritare me hapje që ngushtoheshin edhe figura palmash n’të dy anët e hajatit, si edhe përgjatë dhomave anash t’tempullit edhe kornizave që dilshin jashtë.