Jeremia 52
1 Zedekia u bo mbret kur i ka pasë 21 vjet, edhe ka mbretnu 11 vjet n’Jerusalem. Nana e tij e ka pasë emnin Hamutal, edhe u konë bija e Jeremisë pi Libna.
2 Aj ka bo vazhdimisht qka u konë keq n’sytë e Jehovait, bash qysh ka bo Jojakimi.
3 Krejt qka ka ndodh n’Jerusalem edhe n’Judë u konë për shkak se Jehovai u konë i zemrum, derisa aj i ka largu pi syve të vet. Zedekia u çu kundër mbretit të Babilonisë.
4 N’vitin e 9-të të mbretnimit të Zedekisë, ditën e 10-të të muajit të 10-të, mbreti Nebukadnezar i Babilonisë ka ardh me krejt ushtrinë e vet kundër Jerusalemit. Ata e kanë ngrit kampin edhe kanë ndërtu fortifikime përreth qytetit.
5 Qyteti ka mbet i rrethum deri n’vitin e 11-të të mbretit Zedekia.
6 Ditën e 9-të të muajit të 4-të, kur n’qytet u konë nji uri shumë e madhe edhe populli i vendit s’ka pasë qka me hanger,
7 muri i qytetit ma n’fund u ça. Kur kaldejt e kishin rrethu qytetin, krejt ushtarët kanë ik natën pi qytetit, nëpër portën ndërmjet dy mureve te kopshti i mbretit, edhe kanë vazhdu rrugën kah Araba.
8 Ama ushtria e kaldejve e ka ndjek mbretin edhe e ka nxanë Zedekinë n’fushën e shkretë të Jerihos. Krejt ushtarët që u konë me të jonë shpërnda.
9 E kanë kap mbretin, e kanë çu te mbreti i Babilonisë n’Ribla, n’vendin e Hamathit, edhe aj e ka dënu.
10 Mbreti i Babilonisë i ka ther djemtë e Zedekisë para syve të tij, edhe aty n’Ribla i ka ther krejt burrat e parë të Judës.
11 Masanej mbreti i Babilonisë e ka verbu Zedekinë, e ka lidh me zingjirë bakri, e ka çu n’Babiloni edhe e ka majt n’burg deri ditën kur ka vdek.
12 Ditën e 10-të të muajit të 5-të, n’vitin e 19-të të mbretit Nebukadnezar të Babilonisë, Nebusaradani, kryetari i rojave edhe shërbëtori i mbretit të Babilonisë, ka hy n’Jerusalem.
13 Aj ia ka shti flakën shpisë së Jehovait, pallatit të mbretit edhe krejt shpive të Jerusalemit. I ka kallë edhe krejt shpitë e mëdhaja.
14 Krejt ushtria e kaldejve që u konë me kryetarin e rojave i ka rrëzu muret përreth Jerusalemit.
15 Nebusaradani, kryetari i rojave, i ka marrë rob do njerëz pi populli i thjeshtë edhe njerëzit e tjerë që kishin mbet n’qytet. I ka marrë edhe ata që kishin kalu n’anën e mbretit të Babilonisë, bashkë me mjeshtrat që kishin mbet.
16 Ama Nebusaradani, kryetari i rojave, i ka lanë mbrapa do pi njerëzve ma të vorfën të vendit, për me punu n’vreshta edhe me bo punë me zor.
17 Kaldejt i kanë thy në copa shtyllat e bakrit të shpisë së Jehovait, karrocat edhe detin e bakrit që u konë n’shpinë e Jehovait, edhe e kanë çu krejt bakrin n’Babiloni.
18 I kanë marrë edhe enët, lopatat, gërshantë për fitila, tasat, kupat edhe krejt sendet pi bakri që përdoreshin për shërbimin n’tempull.
19 Kryetari i rojave i ka marrë edhe legenat, enët për zjarr, tasat, kovët, shandanat, kupat edhe tasat që u konë pi ari e argjendi të pastër.
20 Për dy shtyllat, detin, 12 demat pi bakri që u konë poshtë detit edhe karrocat që i ka bo mbreti Salomo për shpinë e Jehovait, u konë përdor aq shumë bakër sa s’mujshin me e peshu.
21 Secila pi shtyllave u konë 18 kutë e naltë, edhe mundej me u rrethu me nji shirit matës 12 kutë të gjatë. Shtyllat u konë të zbrazta përmrena, edhe muret e tyne u konë të trasha sa 4 gishta.
22 Pjesa e epërme e shtyllës u konë pi bakri edhe u konë 5 kutë e naltë. Rrjeta edhe shegët përreth pjesës së epërme të secilës shtyllë u konë pi bakri. Të dy shtyllat u konë krejt njisoj, bashkë me shegët.
23 N’anët u konë 96 shegë. Krejt bashkë u konë 100 shegë përreth rrjetës.
24 Kryetari i rojave i ka marrë edhe Serajën, kryepriftin, Zefanjën, priftin e dytë, edhe tre rojtarët e dyerve.
25 Pi qyteti e ka marrë edhe nji zyrtar të oborrit që i kish ushtarët nën komandë, 7 burra pi rrethi ma i afërt i mbretit që i kishin gjet n’qytet, sekretarin e komandantit të ushtrisë që e bonte regjistrimin e popullit të vendit, edhe 60 burra pi populli i thjeshtë i vendit që hala gjendeshin n’qytet.
26 Nebusaradani, kryetari i rojave, i ka çu ata te mbreti i Babilonisë n’Ribla.
27 Mbreti i Babilonisë i ka vra n’Ribla, n’vendin e Hamathit. Kështu populli i Judës u mor rob edhe u largu pi vendi i vet.
28 Qe sa njerëz i ka marrë rob Nebukadnezari: n’vitin e 7-të, i ka marrë 3023 judenj.
29 N’vitin e 18-të të Nebukadnezarit, jonë çu rob 832 veta pi Jerusalemi.
30 N’vitin e 23-të të Nebukadnezarit, Nebusaradani, kryetari i rojave, i ka marrë rob 745 judenj. Krejt bashkë jonë marrë rob 4600 njerëz.
31 N’vitin e 37-të të robnisë së mbretit Jojakin të Judës, ditën e 25-të të muajit të 12-të, mbreti Evil-Merodak i Babilonisë, që ka ardh n’pushtet atë vit, e ka liru mbretin Jojakin të Judës edhe e ka nxjerr pi burgu.
32 Aj u sill mirë me të edhe ia ka ngrit fronin ma nalt se fronat e mbretërve tjerë që u konë me të n’Babiloni.
33 Jojakini i ka hjek teshat e burgut edhe ka hanger para mbretit deri n’fund të jetës së vet.
34 Për sa kohë ka jetu, ditë për ditë deri n’ditën kur ka vdek, mbreti i Babilonisë ia ka dhanë nji sasi të caktume ushqimi.