Isaia 59
1 Kqyrni!
Dora e Jehovait s'asht tepër e shkurtë për me shpëtu, as veshi i tij s'asht tepër i shurdhët për me ni.
2 Jo, gabimet tuja ju kanë nda pi Zotit tuj.
Gjynahet tuja e kanë bo atë me e mshefë ftyrën
pi juve, edhe aj s'po don me ju ngu.
3 Se shuplakat e duerve tuja jonë të përlyme me
gjak edhe gishtat tuj me gabime. Buzët tuja po
rrejnë edhe gjuha juve po flet sene të padrejta.
4 Kërkush s'po kërkon drejtësi, kërkush s'po shkon në gjyq me
qëllime të ndershme. Ata po ju besojnë seneve që s'jonë të
vërteta edhe po flasin fjalë pa vlerë. N'brendi të tyne
po ngjizin fatkeqësi edhe po nxjerrin sene që bojnë dam.
5 Ata po i çelin vezët e gjarpijve helmues
edhe po thurin rrjeta merimangash. Kush i
han vezët e tyne, ka me dekë, edhe
pi vezës së shtypun del nji nepërkë.
6 Rrjetat e tyne s'munden me u përdorë si
tesha, as s'munden me u mbulu me ato
që i marojnë. Punët e tyne jonë
të dëmshme, edhe duert e tyne bojnë dhunë.
7 Ata po vrapojnë me bo të këqija, edhe
po nguten me derdh gjak të pafajshëm.
Mendimet e tyne jonë plot të këqija. Kahdo
që shkojnë, lanë mbrapa shkatërrim edhe mjerim.
8 Rrugën e paqes s'e njohin edhe n'rrugët
e tyne s'ka drejtësi. Ata i bojnë
rrugët e veta të shtrembta, edhe kush
ecën n'ato rrugë, s'ka me njoft paqe.
9 Për qata e drejta asht larg pi neve
edhe drejtësia s'po na arrin. Na vazhdimisht po presim
dritë, po ka veç terr, po presim me
u bo dritë, po hala po ecim n'errësinë.
10 Si të verbët po i prekim muret me duar për me
gjet rrugën, po ecim tu u matë me hapa, si
mos me pas sy. Po pengohemi n'mes të ditës, si me
konë n'muzg. Mes të fortëve na jemi si të dekun.
11 Krejt na vazhdimisht po hungërojmë si arinj
edhe po gugatim plot mërzi si pëllumba.
Po presim drejtësi, po s'ka, po presim
shpëtim, po aj asht larg pi neve.
12 Se shumë herë të kemi dalë kundër para syve tu.
Secili gjynah i joni po dëshmon kundër neve.
Po, krejt ato herë që të kemi dalë kundër i kemi para vetes.
Na i dimë shumë mirë gabimet tona.
13 Kemi bo gjynahe edhe e kemi mohu Jehovain.
Ia kemi kthy shpinën Zotit tonë.
Kemi folë për shtypje edhe për me u çu kundër tij.
Mrena neve kemi ngjizë rrena edhe pi zemrës tonë kanë dalë fjalë të rrejshme.
14 E drejta u shty mbrapa edhe
drejtësia rrin larg. Se e vërteta
u pengu n'mes të sheshit
edhe ndershmënia s'po munet me hi.
15 E vërteta u zhduk, edhe kush
largohet pi të keqes, po plaçkitet.
Jehovai e ka pa këtë edhe
s'i ka pëlqy, se s'kishte drejtësi.
16 Aj e ka pa që s'kishte asnji njeri, edhe
u habit që kërkush s'po hynte në mes
me ndihmu. Për qata krahu i vet ka sjellë
shpëtim edhe drejtësia e vet e ka mbajt.
17 Masanej aj e ka veshë drejtësinë si nji
parzmore hekuri edhe e ka vnu n'krye helmetën e
shpëtimit. I ka veshë teshat e hakmarrjes edhe
u mbështoll me zell si me nji mantel.
18 Aj ka me ua kthy krejtve sipas punëve që i kanë bo:
zemrim kundërshtarëve të vet, hakmarrje armiqve të vet.
Edhe ishujve ka me ua kthy qka e meritojnë.
19 Atje ku perëndon dielli, njerëzit kanë me pas tutë pi emnit
të Jehovait, edhe atje ku lind dielli, kanë me pas tutë
pi lavdisë së tij, se aj ka me ardh si
nji lumë i rrëmbyshëm, që po e shtyn fryma e Jehovait.
20 “N'Sion ka me ardh aj që i blen prapë, te pasardhësit
e Jakobit që largohen pi gabimeve të tyne”, thotë Jehovai.
21 “Sa për mu, kjo asht besëlidhja jeme me ta”, thotë Jehovai. “Fryma jeme që asht përmi ty edhe fjalët e mia që t'i kom vnu n'gojë, s'kanë me u largu as pi gojës tande, as pi gojës së fëmijëve tu, as pi gojës së nipave e mbesave tua, pi tash e përjetë”, thotë Jehovai.