Isaia 61
1 Fryma e Zotnisë Jehova, Sunduesit të krejtve, asht përmi mu, se Jehovai m'ka
miros për me ua pru lajmin e mirë njerzve të butë e të
përulun. Aj m'ka çu me ua shëru zemrat atyne që i kanë
të thyme, me ju lajmëru liri atyne që jonë në robni edhe atyne
që jonë të mbyllun, që sytë e tyne kanë me u çelë krejt,
2 me lajmëru vitin kur Jehovai ka me kallxu pëlqimin e
vet edhe ditën kur Zoti jonë ka me marrë hak,
me i ngushëllu krejt ata që jonë tu mbajt zi,
3 me u kujdes për ata që po mbajnë zi
për Sionin, me ju dhanë nji stoli për krye
n'vend të hinit, vajin e gëzimit n'vend të pikëllimit, teshat
e lavdërimit n'vend të mërzisë së madhe. Edhe ata
kanë me u thirrë druj të mëdhaj të drejtësisë,
që i ka mbjellë Jehovai për lavdinë e vet.
4 Ata kanë me i ndërtu prapë rrënojat e vjetra. Kanë me
i ngrit prapë vendet që kanë mbet shkret qysh moti
edhe kanë me i ndreq qytetet e shkatërrume, po, ato vende
që kanë mbet shkret e të braktisuna brez mas brezi.
5 “Të hujt kanë me nejt e me i rujt tufat e bagëtive tuja edhe
të hujt kanë me ju punu tokën e me ju kujdes për vneshtat.
6 E juve kanë me ju thirrë priftat e Jehovait.
Kanë me ju qujt shërbëtorët e Zotit tonë.
Keni me u ushqy me pasunitë e popujve edhe
keni me u krenu me lavdinë e tyne.
7 N'vend të marres, keni me marrë dyfish edhe n'vend të
poshtnimit, populli jem ka me brohorit prej gëzimit për pjesën që
i takon. Po, ata kanë me pas pjesë të dyfishtë
n'vendin e vet. Gëzimi i tyne s'ka me pas fund.
8 Se unë, Jehovai, e du drejtësinë, e urrej
plaçkitjen edhe padrejtësinë. Unë kom me ua dhanë
me besnikni shpërblimin që ju takon edhe kom
me lidhë me ta nji besëlidhje të amshume.
9 Fëmijët e tyne kanë me u njoft mes
kombeve edhe pasardhësit e tyne mes popujve. Krejt
ata që i shohin kanë me i
njoft si pasardhësit që Jehovai i ka beku.”
10 Unë kom me u gëzu pa masë për shkak të
Jehovait. Me krejt shpirtin tem kom me u gëzu
për Zotin tem. Se aj m'i ka veshë teshat e
shpëtimit. M'ka mbështjellë me mantelin e drejtësisë, si nji dhëndër
që e ka vnu n'krye nji çallmë si priftat,
edhe si nji nuse që i vnon stolitë e veta.
11 Se qysh toka i nxjerr filizat e rinj edhe
qysh nji kopsht e bon farën me mbijë, qashtu
Zotnia Jehova, Sunduesi i krejtve, ka me bo
që drejtësia edhe lavdërimi me mbijë para krejt popujve.