Libri i parë i Musës 44
1 Ma vonë, Jozefi e ka urdhnu njerin që ia ka kqyr shpinë: „Mbushua thasët këtyne burrave me drith, aq sa munden me bajt, edhe paret e secilit qitja nalt në thes.
2 Në thesin e ma t’voglit, përveç pareve për drithin e tij, qitja edhe kupën tem, kupën e argjendtë.“ Aj e ka ba qashtu qysh i ka thanë Jozefi.
3 Kur u zbardh dita, i kanë nis burrat bashkë me gomarët e tyne.
4 Ata hala s’kishin shku larg qytetit, kur Jozefi i ka thanë atij që ia ka kqyr shpinë: „Çohu! Shko mas atyne burrave! Kur t’i nxësh, thuju: ‚Pse po e ktheni t’mirën me t’keqe?
5 Pse e keni marrë kupën me të cilën pin zotnia jem, edhe që e përdor për me i lexu saktë shenjat? Përnime keni ba ni punë shumë t’keqe!‘“
6 Aj i ka nxanë burrat edhe ua ka thanë qato fjalë.
7 Po ata i kanë thanë: „Zotni, pse po thu qasi sene? Kurrë s’kishim ba na, shërbëtorët e tu, diçka t’tillë!
8 Na t’i kemi pru prapë pi vendit t’Kanaanit paret që i kemi gjet nalt n’thasët tonë. Qysh kishim mujt me vjedh argjend a ari pi shpija e zotnisë tand?
9 Nëse e gjen kupën te njani pi neve, robve të tu, aj le të vdesë, e na tjerët kemi me u ba robt e zotnisë tem.“
10 Aj ka thanë: „Ani, qashtu le t’jetë. Aj që i gjindet kupa ka me u ba robi jem, po ju tjerët s’keni faj.“
11 Menihere, secili e ka lshu thesin e vet përtokë edhe e ka çelë.
12 Aj i ka kontrollu thasët mirë e mirë. Ia ka nis pi ma t’vjetrit edhe e ka kry te ma i vogli. Në fund, kupa u gjet në thesin e Beniaminit.
13 Atëherë ata i kanë shqye teshat e veta, i kanë ngarku gomarët prapë edhe janë kthy në qytet.
14 Kur Juda edhe vllaznit e tij kanë ardh në shpinë e Jozefit, aj hala u konë aty, edhe ata kanë ra përtokë para tij.
15 Jozefi u ka thanë: „Qka keni ba kështu? A s’e keni ditë që ni njeri si unë din me i lexu saktë shenjat?“
16 Juda i ka thanë: „Zotni, qka me thanë na? S’po kemi fjalë. Qysh me dëshmu që s’kemi faj? Zoti i vërtetë e ka zbulu fajin e robve të tu. Tash jemi robt e tu, zotni, edhe na, edhe aj që iu gjet kupa në dorë.“
17 Po aj u ka thanë: „Kurrë s’kisha ba ni send t’tillë! Veç aj që iu gjet kupa në dorë ka me u ba robi jem. Ju tjerët mundeni me shku n’paqe te baba juaj.“
18 Atëherë Juda u afru edhe i ka thanë: „Të lutna, zotni, ma lejo mu, robit tand, me ta thanë nji fjalë. Mos u hidhëro me robin tand, se ti je si vetë faraoni.
19 Ti, zotni, na ke pyet neve, robt e tu: ‚A e keni babën a naj vlla?‘
20 Na i kemi thanë zotnisë tem: ‚Po, e kemi babën e moçëm edhe nji vlla ma t’vogël, ma t’riun. Aj ka lindë kur baba jonë u konë veç i shtymë n’moshë. Vllau i tij ka vdekë. Aj asht i vetmi djalë i nanës së vet që ka mbetë gjallë, edhe baba e don shumë.‘
21 Pastaj ti na ke thanë neve, robve të tu: ‚Ma bini këtu, se du me e pa.‘
22 Po na i kemi thanë zotnisë tem: ‚Djali s’mundet me e lanë babën e vet, se nëse e len, baba i tij ka me vdekë me siguri.‘
23 Atëherë ti na ke thanë neve, robve të tu: ‚Mos m’dilni ma përpara syve nëse vllau juaj ma i vogël s’vjen me ju.‘
24 Masanej jemi shku te robi yt, baba jem, edhe ia kemi tregu qka na ke thanë ti, zotni.
25 Ma vonë, baba jonë na ka thanë: ‚Shkoni edhe nji herë e na blini pak ushqim.‘
26 Po na i kemi thanë: ‚S’mujmë me shku, veç nëse vjen edhe vllau jonë ma i vogël me neve. S’mujmë me i dalë atij njeriut përpara syve, nëse vllau jonë ma i vogël s’asht me neve.‘
27 Atëherë robi yt, baba jem, na ka thanë: ‚Ju e dini që gruja jeme m’i ka lindë veç dy djem.
28 Njani pi tyne m’ka lanë, edhe unë kam thanë: „Me siguri e kanë shqye copë-copë!“ Deri tash s’e kam pa ma.
29 Nëse ma merrni edhe tjetrin e i ndodh diçka, keni me ma çu kryet e thinjun me mërzi në varr.‘
30 E tash, nëse unë kthehna te robi yt, baba jem, pa djalin, me të cilin aj asht aq shumë i lidhun,
31 edhe aj e sheh që djali s’asht aty, ka me vdekë. E na, robt e tu, kemi me e çu në varr me mërzi e me flokë t’thime robin tand, babën tonë.
32 Unë i kam dalë garant babës tem për djalin, edhe i kam thanë: ‚Nëse s’ta kthej djalin, kam me mbetë fajtor para babës tem për gjithë jetën.‘
33 Të lutna, zotni, më le mu me mbetë këtu si rob në vend të djalit, që aj me mujt me u kthy me vllaznit e vet.
34 Se qysh me u kthy unë te baba jem pa djalin? S’kisha mujt me e duru me pa babën tem tu e përjetu ni fatkeqësi t’tillë.“