Libri i dytë i Musës 3
1 Moisiu u bo bari edhe i ka rujt delet e vjehrrit të vet, Jethros, priftit të Midianit. Nji ditë e ka çu kopenë në anën perëndimore të shkretinës edhe ka mbrri te Horebi, mali i Zotit të vërtetë.
2 Atje i asht shfaqë melaqja e Jehovës në nji flakë zjarmi, në mes të nji kaçube me therra. Kur Moisiu e ka kqyrë kaçubën, e ka pa që ajo po digjej, po nuk po shkrumbohej.
3 Atëherë Moisiu ka thanë me veti: “Kom me shku me e kqyr ma mirë këtë sen. Çudi qysh kjo kaçubë nuk po shkrumbohet.”
4 Kur Jehova e ka pa që Moisiu po shkojke me kqyrë, e ka thirr pi mesit të kaçubës: “Moisi! Moisi!” E Moisiu ia ka kthy: “Qe ku jom.”
5 Atëherë Zoti i ka thanë: “Mos u afro ma ngat! Hiqi sandalet, se toka ku je tu nejt asht e shenjtë!”
6 Masanej i ka thanë: “Unë jom Zoti i babës tand, Zoti i Abrahamit, Zoti i Isakut edhe Zoti i Jakobit.” Atëherë Moisiu e ka mbulu ftyrën, se u tut me e kqyr Zotin e vërtetë.
7 Jehova ka vazhdu me thanë: “E kom pa shumë mirë sa keq po hjek populli jem në Egjipt. I kom ni britmat e tyne për shkak të atyne që po i shtijnë me punu, edhe e di fort mirë sa shumë po vujnë.
8 Unë kom me zhdryp me i çliru pi durve të egjiptianëve edhe me i nxjerr pi atij veni. Kom me i çu në nji ven të mirë e të gjanë, nji ven ku rrjedh tamël e mjaltë, në venin e kananitëve, hetitëve, amoritëve, perizitëve, hivitëve edhe jebusitëve.
9 E tash kqyre! E kom ni britmën e izraelitëve edhe e kom pa sa mizorisht po i shtypin egjiptianët.
10 E tash hajde, po të çoj te faraoni, edhe ti ki me e nxjerr popullin tem, izraelitët, pi Egjiptit.”
11 Po Moisiu i ka thanë Zotit të vërtetë: “Kush jom unë me shku te faraoni edhe me i nxjerr izraelitët pi Egjiptit?”
12 Zoti ia ka kthy: “Unë kom me konë me ty. Edhe kjo ka me konë shenjë për ty që unë të kom çu: Mas që ta nxjerrësh popullin pi Egjiptit, ju keni me i shërby Zotit të vërtetë në këtë mal.”
13 Po Moisiu i ka thanë Zotit të vërtetë: “Ta zamë se shkoj te izraelitët edhe ju thom: ‘Zoti i të parëve tuj më ka çu te ju’, e ata më vesin: ‘Qysh e ka emnin?’ Qka me ju thanë?”
14 Atëherë Zoti i ka thanë Moisiut: “Unë kom me u bo qka du me u bo.” Edhe ka shtu: “Thuaju izraelitëve: ‘Unë kom me u bo më ka çu te ju.’”
15 Masanej Zoti i ka thanë edhe nji herë Moisiut: “Thuaju izraelitëve: ‘Jehova, Zoti i të parëve tuj, Zoti i Abrahamit, Zoti i Isakut edhe
Zoti i Jakobit, më ka çu te ju.’ Ky asht emni jem përgjithmonë, edhe me këtë emën kanë me m’kujtu brez mas brezi.
16 Tash shko, mblidhi pleqtë e Izraelit edhe kallxoju: ‘Jehova, Zoti i të parëve tuj, Zoti i Abrahamit, Isakut edhe Jakobit, m’u ka shfaqë. Aj ka thanë: “Unë ju kom kqyr me kujdes edhe e kom pa mirë qka po ju bojnë në Egjipt.
17 Për qata po ju premtoj: Unë kom me ju çliru pi vujtjeve që po jau shkaktojnë egjiptianët, edhe kom me ju çu në venin e kananitëve, hetitëve, amoritëve, perizitëve, hivitëve edhe jebusitëve, në nji ven ku rrjedh tamël e mjaltë.”’
18 Ata kanë me të ngu pa tjetër. Masanej shko bashkë me pleqtë e Izraelit te mbreti i Egjiptit edhe thuji: ‘Jehova, Zoti i hebrenjve, na ka folë. Të lutna, na le me shku tri ditë rrugë në shkretinë, që atje me i ofru kurban Jehovës, Zotit tonë.’
19 Po unë e di fort mirë që mbreti i Egjiptit s’ka me ju lanë me shku, veç nëse nji dorë e fortë e detyron me ju lanë.
20 Unë kom me e shtri dorën teme edhe kom me e ndëshku Egjiptin me krejt veprat e jashtëzakonshme që kom me i bo atje. Masanej aj ka me ju lanë me shku.
21 Unë kom me bo që ky popull me e fitu simpatinë e egjiptianëve, edhe kur të shkoni, s’keni me shku duarthatë.
22 Çdo grue le t’i lypë kojshikes së vet edhe grues që jeton në shpinë e saj sende pi argjendi e dukati edhe tesha. E ju keni me ua veshë ato djemve edhe qikave tuja. Qashtu keni me i plaçkit egjiptianët.”