Libri i tret i Musës 24
1 Jehovai i tha prapë Moisiut:
2 “Urdhëroji izraelitët me ta pru vaj të pastër pi ullinjtë e shtypun, për ndriçim, që llampat me mujtë me nejtë gjithmonë të ndezuna.
3 Aroni ka me u kujdesë që llampat në tendën e takimit, jashtë perdes para Dëshmisë, me nejtë gjithmonë të ndezuna para Jehovës, pi mramjes deri në mëngjes. Ky rregull ka me vlejtë përgjithmonë, brez mas brezi.
4 Aj ka me u kujdesë që llampat në shandanin pi arit të pastër me konë gjithmonë në rregull para Jehovës.
5 Piqi dymbëdhjetë bukë në formë unaze, secilën me nga dy të dhjetat e nji efe miell të imët.
6 Vnoji në dy grumbuj, me nga gjashtë bukë secili, para Jehovës mbi tavolinën pi arit të pastër.
7 Mbi secilin grumbull ke me vnu temjan të pastër. Aj ka me u ofru në vend të bukës si kurban simbolik, si kurban me zjarr për Jehovën.
8 Çdo të shtunë, në ditën e Sabatit, buka ka me u vnu rregullisht para Jehovës. Ky obligim i besëlidhjes ka me vlejtë përgjithmonë për izraelitët.
9 Buka ka me i taku Aronit edhe djemve të tij, edhe ata kanë me e hangër në nji vend të shenjtë, se për priftin kjo asht diçka shumë e shenjtë pi kurbanet me zjarr për Jehovën. Ky rregull ka me vlejtë përgjithmonë.”
10 Në mesin e izraelitëve u konë nji djalë që e ka pas nanën izraelite e babën egjiptian. Në kamp aj u kap me nji izraelit tjetër edhe janë rrehë.
11 Djali i izraelites ka nisë me e sha edhe me e mallku Emnin. Atëherë e kanë çu te Moisiu. Nana e tij e ka pas emnin Shelomith, çika e Dibrit, pi fisi i Danit.
12 E kanë mbajtë të ndalum derisa Jehovai me ua bo të qartë vendimin e vet.
13 Masanej Jehovai i tha Moisiut:
14 “Nxirre jashtë kampit atë që ka mallku. Krejt ata që e kanë ni kanë me ia vnu duart mbi krye, e masanej krejt bashkësia ka me e gjujtë me gurë deri sa me dekë.
15 Edhe izraelitëve thuaju: ‘Nëse dikush e mallkon Zotin e vet, ka me dhanë llogari për gjynahin e vet.
16 Kush e shan emnin e Jehovës, patjetër ka me u dënu me vdekje. Krejt bashkësia ka me e gjujtë me gurë deri sa me dekë. Qoftë i huj që jeton mes juve a vendas, kush e shan Emnin, ka me dekë.
17 Nëse dikush e mbyt nji njeri, patjetër ka me u dënu me vdekje.
18 Kush e mbyt nji kafshë të shpisë, ka me e zavendësu: jetë për jetë.
19 Nëse dikush e lëndon nji njeri tjetër, ka me iu bo edhe atij e njejta gja.
20 Asht për asht, sy për sy, dhamb për dhamb. Qfarë lëndimi ia ka bo tjetrit, i njejti lëndim ka me iu bo edhe atij.
21 Kush e mbyt nji kafshë, ka me e zavendësu, ama kush e mbyt nji njeri, ka me u dënu me vdekje.
22 Për krejt juve ka me vlejtë i njejti ligj, qoftë për të hujin që jeton mes juve, qoftë për vendasin, se unë jom Jehovai, Zoti juaj.’”
23 Masanej Moisiu ka fol me izraelitët, edhe ata e kanë nxjerrë jashtë kampit atë që ka mallku edhe e kanë gjujtë me gurë deri sa ka dekë. Qeshtu izraelitët e kanë bo tamam qka Jehovai e ka urdhëru Moisiun.