Libri i pest i Musës 31
1 Masanej Moisiu i ka folë krejt popullit të Izraelit edhe ua ka thanë këto fjalë.
2 Aj ka thanë: «Sot i kom 120 vjet. S’muj ma me të udhëheqë, se Jehovai më ka thanë: ‘Ti s’ke me e kalu Jordanin.’
3 Jehovai, Zoti yt, vet ka me kalu përpara teje. Aj ka me i zhdukë këta popuj para teje, edhe ti ke me e marrë vendin e tyne në pronë. Josueu ka me të pri matanë, qysh ka thanë Jehovai.
4 Jehovai ka me ua bo atyne njajtë qysh ua ka bo Sihonit edhe Ogut, mbretave të amoritëve, edhe vendit të tyne, kur i ka zhdukë.
5 Jehovai ka me i mundë ata për ty, edhe ti duhet me vepru me ta qysh të kom urdhnu për krejt këto sene.
6 Bohu trim edhe i fortë. Mos u tut pi tyne e as mos u trano, se Jehovai, Zoti yt, po shkon bashkë me ty. Aj s’ka me të lanë, as s’ka me të braktisë.»
7 Masanej Moisiu e ka thirrë Josueun edhe i ka thanë para syve të krejt Izraelit: «Bohu trim edhe i fortë, se ti je aj që ke me e çu këtë popull në vendin që Jehovai u asht betu të parëve të tyne se ka me ua dhanë. Edhe ti ke me ua dhanë atë vend për trashëgim.
8 Jehovai vet ka me ecë përpara teje edhe ka me vazhdu me konë me ty. Aj s’ka me të lanë, as s’ka me të braktisë. Mos u tut e as mos u trano.»
9 Masanej Moisiu e ka shkru këtë ligj edhe ua ka dhanë priftave levitë, që e bartshin arkën e besëlidhjes së Jehovait, edhe krejt pleqve të Izraelit.
10 Moisiu i ka urdhnu: «Në fund të çdo shtatë vjetëve, në kohën e caktume të vitit kur falen borxhet, gjatë Festës së Kasolleve,
11 kur krejt Izraeli vjen para Jehovait, Zotit tuej, në vendin që aj e zgjedh, duhet me ua lexu këtë ligj krejt izraelitëve, që me e ni.
12 Mblidheni krejt popullin, burrat, gratë, fëmijët edhe të hujt që jetojnë në qytetet tueja. Ata duhet me ngu, me mësu për Jehovain, Zotin tuej, me pasë respekt e frikë ndaj tij, edhe me pasë kujdes me i zbatu krejt fjalët e këtij ligji.
13 Qeshtu edhe djemtë e tyne që hala s’e njohin këtë ligj, kanë me mujtë me e ni edhe me mësu me pasë respekt e frikë ndaj Jehovait, Zotit tuej, për krejt kohën sa kanë me jetu në vendin që keni me e marrë në pronë matanë Jordanit.»
14 Masanej Jehovai i ka thanë Moisiut: «Tash të ka ardhë koha me dekë. Thirre Josueun edhe ejani bashkë te tenda e takimit, që me ia besu atij udhëheqjen.» Atëher Moisiu edhe Josueu kanë shku te tenda e takimit edhe kanë nejtë aty.
15 Masanej Jehovai u ka shfaqë te tenda, në nji shtyllë reje, edhe shtylla e resë ka nejtë te hymja e tendës.
16 Atëher Jehovai i ka thanë Moisiut: «Ti tash ke me dekë, edhe ky popull ka me ia nisë me shku si në kurvni mas zotave të huj që kanë me i pasë rreth vetes në vendin ku po shkojnë. Ata kanë me më lanë mu edhe kanë me e shkelë besëlidhjen që e kom bo me ta.
17 Në atë kohë ka me m’u kallë zemrimi kundër tyne, edhe unë kom me i lanë. Kom me ua mshefë ftyrën teme, deri sa të përpihen. Kur t’ju vijnë shumë fatkeqësi e halle, ata kanë me thanë: ‘A s’na kanë ra këto fatkeqësi se Zoti jonë s’asht në mesin tonë?’
18 Po unë në atë kohë kom me vazhdu me ua mshefë ftyrën teme, për shkak të krejt të këqijave që i kanë bo, tu u kthy kah zotat tjerë.
19 Tash shkrujeni këtë kangë. Mësojau izraelitëve që edhe ata me e mësu, që kjo kangë me shërby si dëshmitare e jemja kundër popullit të Izraelit.
20 Kur unë t’i çoj në vendin që u jom betu të parëve të tyne se kom me ua dhanë, në atë vend ku rrjedh tamël e mjaltë, edhe kur ata të hanë e të ngihen e t’ju shkojë mirë, atëher kanë me u kthy kah zotat tjerë edhe kanë me ju shërby atyne. Kanë me më trajtu pa respekt edhe kanë me e shkelë besëlidhjen teme.
21 Kur t’ju vijnë shumë fatkeqësi e halle, kjo kangë ka me shërby si dëshmitare kundër tyne, se pasardhësit e tyne s’duhet me e harru. Se unë e di mirë kah po ua merr menja qysh tash, hala pa i çu në vendin që u jom betu se kom me ua dhanë.»
22 Atë ditë Moisiu e ka shkru këtë kangë edhe ua ka mësu izraelitëve.
23 Masanej Jehovai ia ka besu udhëheqjen Josueut, djalit të Nunit, edhe i ka thanë: «Bohu trim edhe i fortë, se ti je aj që ke me i çu izraelitët në vendin që u jom betu se kom me ua dhanë. Edhe unë kom me vazhdu me konë me ty.»
24 Sapo Moisiu e ka përfundu me i shkru krejt fjalët e këtij ligji në nji libër,
25 aj i ka urdhnu levitët që e bartshin arkën e besëlidhjes së Jehovait:
26 «Merreni këtë libër të ligjit edhe vnojeni ngat arkës së besëlidhjes së Jehovait, Zotit tuej. Le të rrinë aty si dëshmitar kundër juve.
27 Se unë e di shumë mirë sa rebelë e kryefortë jeni. Nëse ju qysh tash po rebeloheni kundër Jehovait, sa jom hala gjallë e në mesin tuej, qka ka me u bo mas dekës teme!
28 M’i thirrni krejt pleqtë e fiseve tueja edhe zyrtarët tuej, që me ua thanë këto fjalë para tyne edhe me e marrë qiellin edhe tokën si dëshmitarë kundër tyne.
29 Se unë e di shumë mirë që mas dekës teme ju keni me bo patjetër të këqija edhe keni me u largu pi rrugës që ua kom kallxu. Në fund patjetër ka me ju gjetë fatkeqësia, se keni me bo atë që asht e keqe në sytë e Jehovait, edhe keni me e fy atë me punët e duerve tueja.»
30 Masanej Moisiu i ka thanë para krejt mbledhjes së Izraelit fjalët e kësaj kange, pi fillimit deri në fund: