Josiu 2
1 Jozua, djali i Nunit, i ka çu fshehtas dy burra pi Shitimit me e spiunue vendin. U ka thanë: “Shkoni e kqyrne mirë vendin, sidomos Jerihon.” Ata janë nisë. Tu lypë nji vend ku me nejtë, kanë shku te shpija e nji gruje prostitutë që e ka pasë emnin Rahab.
2 Mbretit të Jerihos i kanë tregu: “Sonte kanë ardh këtu do burra izraelitë me e spiunue vendin!”
3 Atëherë mbreti i Jerihos ka çu njerëz te Rahaba me i thanë: “Nxirri jashtë ata burra që kanë ardh e po flejnë në shpinë tane! Ata kanë ardh me e spiunue krejt vendin.”
4 Po ajo grue i ka mshefë ata dy burra e mandej ka thanë: “Po, ata burra kanë ardh te unë, po s’e kom ditë pi kah janë.
5 Kur u bo terr e ishin gati me e mshelë portën e qytetit, ata kanë dalë jashtë. S’e di kah kanë shku, po nëse u shkoni shpejt mas, i zini.”
6 (Po ajo i ka pasë çu burrat n’kulm edhe i ka mshefë nën kërcejt e lirit që i ka pasë stivu aty.)
7 Ata që po i ndjekshin kanë shku mas tyne kah vendet ku kalohet Jordani, edhe porta e qytetit u mbyll menjëherë mas tyne.
8 Para se me ra me fjetë burrat, Rahaba ka hyp n’kulm te ta.
9 Ajo u ka thanë burrave: “Unë e di që Jehovai ka me jua dhanë këtë vend. Na ka kapë frika pi juve, edhe krejt njerëzit e këtij vendi e kanë hupë guximin për shkak t’juve.
10 Se na kemi ni qysh Jehovai ju ka kalu nëpër Detin e Kuq, në tokë t’thatë, kur keni dalë pi Egjiptit. Kemi ni edhe qka u keni bo dy mbretënve amoritë, Sihonit e Ogut, matanë Jordanit, që i keni shkatërru krejt.
11 Kur i kemi ni këto, zemra gati na ka nalë. T’gjithëve u ka hupë guximi pi juve, se Jehovai, Zoti juej, asht Zot n’qiell nalt edhe në tokë poshtë.
12 Tash, ju lutna, betohuni në Jehovain që keni me u sillë mirë me familjen e babës tem! Se edhe unë jom sillë mirë me ju. Ma jepni nji shenjë që muj me i besu.
13 Leni gjallë babën tem, nanën tem, vllaznit e motrat e mia, edhe krejt ata që u përkasin atyne. Na shpëtoni pi vdekja.”
14 Atëherë burrat i kanë premtu: “Na e japim jetën tonë për jetën tuej! Mos i kallxo kërkujt sen për punën tonë, edhe na ta mbajmë besën e sillemi mirë me ty kur Jehovai të na e japë vendin.”
15 Mandej ajo i ka lshu burrat poshtë me nji konop pi dritarja. Shpija e saj u konë në nji anë të murit të qytetit, se ajo jetojke nalt në mur.
16 Ajo u ka thanë edhe: “Shkoni kah malet e mshehuni atje tri ditë, që mos me ju gjetë ata që po ju ndjekin. Kur t’kthehen ata, vazhdoni rrugën.”
17 Burrat ia kanë kthy: “Na e mbajmë betimin që na e ke lypë veç nëse i plotëson këto kushte:
18 Kur t’hyjmë në vend, lidhe këtë konop të hollë të kuq flakë në dritaren pi ku po na lshon poshtë. Merri babën, nanën, vllaznit, motrat edhe krejt familjen e babës tand në shpinë tane.
19 Nëse dikush del jashtë pi dera e shpisë tane, vetë e ka fajin nëse vdes, e na s’kemi faj. Po nëse dikujt që rrin në shpinë tane i ndodh diçka, atëherë fajin për vdekjen e tij e kemi na.
20 Po nëse ia kallxon dikujt punën tonë, na s’jemi ma t’lidhun me betimin që na e ke lypë.”
21 “Qysh po thuni ju, ashtu u boftë!”, ua ka kthy ajo.
Kështu ajo i ka nisë burrat në rrugë, e mandej e ka lidhë konopin e kuq te dritarja.
22 Burrat janë nisë e kanë shku n’male. Kanë nejtë aty tri ditë, derisa ata që po i ndjekshin janë kthy, masi i kanë kontrollu krejt rrugët e s’kanë gjetë kurgjo.
23 Ata dy burra kanë zhdryp pi maleve deri te lumi edhe e kanë kalu lumin. Kur kanë mbërri te Jozua, djali i Nunit, ia kanë tregu krejt qka u ka ndodhë.
24 I kanë thanë Jozuas: “Jehovai na e ka dhanë krejt vendin, edhe krejt banorëve t’atij vendi u ka hupë guximi pi neve.”