Letra e parë e Samuelit 2
1 Masanej Hana u lut: “Zemra jem
po gëzohet për Jehovën, Jehova po më
jep forcë. Goja jem po hapet
gjanë kundër armiqve të mi, po gëzohem
për veprat e tua të shpëtimit.
2 Kurkush s’asht aq i shenjtë
sa Jehova, përveç teje s’ka tjetër,
s’ka shkamb si Zoti jonë.
3 Mos folni gjithmonë me mendjemadhësi, mos
ju dalshin fjalë krenare pi goje, se
Jehova asht Zoti që din gjithçka,
aj i vlerëson drejt krejt veprat.
4 Harqet e burrave të fortë jonë thy copë-copë, po
ata që mezi rrishin në kamë kanë marrë forcë.
5 Ata që jonë konë të ngimë tash duhet me punu te tjerët
për bukë, kurse ata që jonë konë të untë s’kanë ma uri.
Gruja që s’ka mujtë me ba fëmijë ka lindë shtatë djem,
po ajo që i ka pasë shumë djem, ka mbetë e vetmume.
6 Jehova e merr jetën edhe e mban gjallë, aj e
çon njerin poshtë në vorr edhe e nxjerr prapë.
7 Jehova e bon njerin fukara edhe të pasun,
aj e ul poshtë edhe e ngrit nalt.
8 Aj e ngrit të pafuqishmin pi pluhnit.
Të varfnin e ngrit pi grumbullit të hinit,
me e ulë bashkë me princat, me
i dhanë nji vend nderi. Shtyllat që
e mbajnë tokën jonë të Jehovës, e përmi
to aj e ka vnu tokën pjellore.
9 Aj ua run hapat atyne që i rrijnë besnikë,
po të këqijtë kanë me u detyru me heshtë në
terr, se njeriu s’fiton veç me forcën e vet.
10 Jehova ka me i thy ata që luftojnë kundër
tij, pi qiellit ka me bubullu kundër tyne.
Jehova ka me gjyku deri në skajet e tokës,
mbretit të vet ka me i dhanë fuqi,
edhe të mirosunin e vet ka me e forcu.”
11 Masanej Elkana ka shku në shpi të vet në Rama, kurse djali ka nisë me i shërby Jehovës nën udhëheqjen e priftit Eli.
12 Djemtë e Elit jonë konë burra të këqij edhe s’kanë pasë kurrfarë respekti për Jehovën.
13 Me pjesën që u takonte priftave pi populli, ata kanë vepru kështu: Sa herë që dikush ka pru nji kurban edhe mishi u konë tu u zi, ka ardhë nji shërbëtor i priftit me nji pirun me tri dhambë.
14 Aj e ka ngulë pirunin në legen, në tenxheren me dy vegë, në kazan a në tenxheren me nji vegë. Krejt qka ka nxjerrë piruni, prifti e ka marrë për veti. Qeshtu ua kanë ba në Shilo krejt izraelitëve që vishin atje.
15 Ose, hala pa e djegë dhjamin ai që e ka pru kurbanin, ka ardhë shërbëtori i priftit edhe ka thanë: “Jepi priftit mish për me pjekë. Aj s’don mish të zimë pi teje, veç mish të gjallë.”
16 Kur burri ka thanë: “Po së pari duhet me e djegë dhjamin që me u çu tymi, masanej munesh me marrë qka të dush”, shërbëtori ia ka kthy: “Jo, ma jep tash, përndryshe e marr me zor!”
17 Qeshtu gjynahi i shërbëtorëve u bo shumë i madh para Jehovës, se kurbanet për Jehovën i trajtojshin pa respekt.
18 Edhe pse u konë hala djalë i vogël, Samueli i ka shërby Jehovës i veshun me nji efod prej liri.
19 Nana e tij ia ka ba çdo vit nji petk të vogël pa mangë edhe ia ka pru kur ka hypë me burrin e vet për me ba kurbanin e përvitshëm.
20 Eli i ka beku Elkanën edhe grun e tij e ka thanë: “Jehova të dhashtë nji fëmijë pi kësaj gruje, në vend të atij që iu dha Jehovës.” Masanej ata kanë shku në shpi.
21 Jehova u kujdes për Hanën, edhe ajo ka mujtë me mbetë shtatzanë. Ajo ka lindë edhe tre djem e dy çika. E Samueli i vogël ka vazhdu me u rritë para Jehovës.
22 Eli u konë shumë plak edhe ka ni për krejt senet që djemtë e vet ua kanë ba krejt izraelitëve. Ka ni edhe që ata kanë flejtë me gratë që shërbejshin te hyrja e tendës së takimit.
23 Aj shpesh ju ka thanë: “Pse po i boni gjithmonë këto sene? Pi krejt njerëzve po ni veç të këqija për ju.
24 Jo, o djemtë e mi, s’asht i mirë lajmi që po përhapet mes popullit të Jehovës.
25 Nëse nji njeri i ban gjynah nji njeriu tjetër, dikush munet me ndërhy te Jehova për të. Po nëse nji njeri i ban gjynah Jehovës, kush munet me u lutë për të?” Po ata s’kanë dashtë me e ngu babën e vet, se Jehova veç kish vendosë me i vra.
26 Ndërkohë Samueli ka vazhdu me u rritë edhe ka fitu gjithnjë e ma shumë pëlqim te Jehova edhe te njerëzit.
27 Nji ditë, nji njeri i Zotit ka ardhë te Eli edhe i ka thanë: “Qeshtu thotë Jehova: ‘A nuk ua kom kallxu qartë të parëve të tu kush jom, kur ata jonë konë skllevër të faraonit në Egjipt?
28 Të parin tand e kom zgjedhë mes krejt fiseve të Izraelit me më shërby si prift, me hyp te altari jem për me ba kurban, me djegë temjan edhe me mbajtë efodin para meje. Edhe shpisë së të parit tand ia kom dhanë krejt kurbanet që izraelitët i kanë djegë në zjarm.
29 Pse po i shkelni me kamë kurbanet edhe dhuratat që i kërkoj në vendin ku banoj? Pse po i nderon djemtë e tu ma shumë se mu, tu u trashë me copat ma të mira pi secilit kurban të popullit tem Izrael?
30 Për qata, qeshtu thotë Jehova, Zoti i Izraelit: “Asht e vërtetë që kom thanë se shpija jote edhe shpija e të parit tand kanë me më shërby gjithmonë.” Po tash Jehova po thotë: “Kjo s’ka me ndodhë kurrsesi, se unë i nderoj ata që më nderojnë, po ata që më përbuzin kanë me u trajtu me përbuzje.”
31 Ke me pa, po vjen koha kur kom me ia dhanë fund fuqisë tane edhe fuqisë së shpisë së babës tand, e asnjoni pi shpisë tane s’ka me mbërri pleqninë.
32 Ndërkohë që Izraelit ka me i shku mirë, ti ke me pa nji kundërshtar në vendin ku banoj, edhe në shpinë tane s’ka me pasë ma kurrë nji plak.
33 Nji pasardhës tandin që s’kom me e largu pi shërbimit te altari jem ka me t’i dobësu sytë edhe ka me të sjellë mërzi, po shumica e atyne pi shpija jote kanë me u vra me shpatë pi njerëzve.
34 E shenja për ty ka me kon kjo që ka me ju ndodhë dy djemve të tu, Hofnit edhe Pinehasit: të dy kanë me vdekë në të njejtën ditë.
35 Masanej kom me zgjedhë për veti nji prift besnik. Aj ka me e ba qka unë e du me krejt zemër. Kom me ia ngritë nji shpi që ka me qëndru, edhe aj ka me shërby gjithmonë para të mirosunit tem.
36 Kushdo që ka me mbetë pi shpisë tane, ka me ardhë e ka me u përkulë para tij, për me marrë pak pare edhe nji bukë si pagesë. Aj ka me i thanë: “Të lutna, ma cakto nji punë si prift, që me pasë nji copë bukë me hangër.”’”