Letra e dytë e Samuelit 16
1 Kur Davidi e ka lanë majën e malit pak mbrapa, i ka dalë përpara Ziba, shërbëtori i Mefiboshethit, me dy gomarë me samarë. Ata ishin të ngarkum me 200 bukë, 100 kulaçë me rrush të thatë, 100 kulaçë me pemë të verës edhe nji shtambë të madhe me venë.
2 Mbreti e ka vetë: «Pse i ke pru krejt këto?» Ziba i ka thanë: «Gomarët jonë për njerëzit e shpisë së mbretit me hypë në ta, buka edhe pemët e verës jonë për djemtë e ri, e vena asht për ata që ju hup fuqia në shkretinë.»
3 Mbreti e ka vetë: «E ku asht djali i zotnisë tand?» Ziba i ka thanë: «Aj ka metë në Jerusalem, se ka thanë: ‘Sot shpija e Izraelit ka me ma kthy mbretninë e babës tem.’»
4 Atëherë mbreti i ka thanë Zibës: «Krejt qka i takon Mefiboshethit, tash po ta jap ty.» Ziba i ka thanë: «Po përkulem para teje, o zotnia jem mbret, edhe shpresoj që ti me konë gjithmonë i kënaqun me mu.»
5 Kur mbreti David ka mbrri në Bahurim, i ka dalë përpara nji burrë që po mallkojke me za të naltë. Aj u konë Shimei, djali i Gerës, pi familjes së shpisë së Saulit.
6 Aj ka gjujtë gurë drejt Davidit, krejt shërbëtorëve të mbretit, krejt ushtarëve edhe luftëtarëve të fortë që rrishin në të djathtë e në të majtë të mbretit.
7 Shimei po mallkojke e po thojke: «Ik, ik pi këtu, o vrasës! O njeri që s'vlen kurgjo!
8 Jehova ta ka kthy mbi krye krejt fajin për gjakun e derdhun të shpisë së Saulit, në vend të të cilit ti je bo mbret. E tash Jehova ia ka dhanë mbretninë djalit tand Absalomit. Qe, tash të ka gjetë e keqja, se ti e ki mbi veti fajin për gjakun e derdhun!»
9 Atëherë Abishai, djali i Zerujës, i ka thanë mbretit: «Qysh po guxon ky qen i dekun me të mallku ty, o zotnia jem mbret! Lëm, të lutna, me kalu matanë e me ia pre kryt.»
10 Po mbreti i ka thanë: «Qka kom unë punë me ju, o djemtë e Zerujës? Leni le të më mallkojë. Jehova i ka thanë: ‘Mallkoje Davidin!’ E kush munet me i thanë: ‘Pse po e bon këtë?’»
11 Masanej Davidi i ka thanë Abishait edhe krejt shërbëtorëve të vet: «Kur edhe djali jem, gjaku jem, po don me ma marrë jetën, sa ma shumë munet me ma dashtë të keqen ky benjaminit! Leni rahat! Leni le të më mallkojë, se Jehova i ka thanë me bo qashtu.
12 Ndoshta Jehova ka me e pa gjendjen tem të keqe edhe ka me më bo mirë, në vend të mallkimeve që m'i kanë thanë sot.»
13 Masanej Davidi edhe burrat e tij kanë vazhdu rrugën teposhtë, kurse Shimei po ecte anash tyne, në shpat të malit, tu mallku, tu gjujtë gurë edhe shumë dhe drejt tyne.
14 Më në fund, mbreti edhe krejt të tjerët kanë mbrri shumë të lodhun në vendin ku po shkojshin, edhe kanë pushu aty.
15 Ndërkohë, Absalomi ka mbrri në Jerusalem bashkë me krejt burrat e Izraelit që e përkrahnin, edhe Ahithofeli ka ardhë me të.
16 Kur Hushai, arkititi, shoku i Davidit, ka ardhë te Absalomi, i ka thanë: «Rroftë mbreti! Rroftë mbreti!»
17 Absalomi e ka vetë Hushain: «A qeshtu po ia kallxon dashninë besnike shokut tand? Pse s'ke shku me të?»
18 Hushai i ka thanë Absalomit: «Unë jom me atë që e ka zgjedh Jehova, këta njerëz këtu edhe krejt burrat tjerë të Izraelit. Me atë kom me nejtë.
19 Edhe përveç qasaj, kujt me i shërby unë, nëse jo djalit të mbretit? Qysh i kom shërby babës tand, qashtu kom me të shërby edhe ty.»
20 Masanej Absalomi i ka thanë Ahithofelit: «Na jep nji këshillë. Qka me bo?»
21 Ahithofeli i ka thanë Absalomit: «Flej me gratë e dyta të babës tand, që i ka lanë me u kujdesë për pallatin. Atëherë krejt Izraeli ka me marrë vesh që ti je bo i urrytun te baba yt, edhe ata që jonë me ty kanë me u bo ma të fortë.»
22 Qeshtu ia kanë ngritë Absalomit nji çadër mbi kulm, edhe aj ka flejtë me gratë e dyta të babës së vet, para syve të krejt Izraelit.
23 Në atë kohë, këshillat e Ahithofelit u merrshin si me konë fjalë të Zotit të vërtetë. Kaq shumë peshë kanë pasë krejt këshillat e tij, si te Davidi, si te Absalomi.