Letra e parë e Mbreterve 12
1 Rehabeami ka shku në Sikem, se krejt Izraeli ka ardh në Sikem për me e bo mbret.
2 Jerobeami, djali i Nebatit, e ka ni këtë lajm. Aj u konë hala tu jetu në Egjipt, ku ka ik pi mbreti Salomon.
3 Atëher kanë çu njerëz me e thirrë Jerobeamin. Aj edhe izraelitët që jonë mbledhë kanë shku te Rehabeami edhe i kanë thanë:
4 “Baba yt na e ka vu nji zgjedhë të randë. Nëse ti na e lehtëson këtë barrë edhe s’na e len zgjedhën aq të randë, na kemi me të shërby.”
5 Rehabeami ju ka thanë: “Kthehuni te unë mas tri ditësh.” Atëher ata kanë shku.
6 Mbreti Rehabeam u këshillu me burrat e vjetër që i kanë shërby babës së tij, Salomonit. I ka vetë: “Qka po më këshilloni? Qka me i thanë këtij populli?”
7 Ata i kanë thanë: “Nëse sot ju shërben këtyne njerëzve, ua plotëson kërkesën edhe ju jep nji përgjigje të mirë, ata kanë me të shërby gjithmonë.”
8 Po aj s’e ka pranu këshillën e burrave të vjetër. Në vend të saj, u këshillu me djemtë e ri që jonë rritë bashkë me të edhe që tash i shërbejshin.
9 I ka vetë: “Qka po mendoni ju? Ky popull më ka thanë mos me ua lonë zgjedhën aq të randë sa ua ka lonë baba jem. Qka me ju përgjigj?”
10 Djemtë e ri që jonë rritë bashkë me të i kanë thanë: “Kur ky popull të thotë që baba yt ua ka vu nji zgjedhë të randë edhe që ti duhet me ua lehtësu, thuju kështu: ‘Gishti jem i vogël ka me konë ma i trashë se ijët e babës tem.
11 Baba jem ju ka vu nji zgjedhë të randë, po unë kom me jua bo edhe ma të randë. Baba jem ju ka rrehë me kamxhikë për me ju dënu, po unë kom me ju rrehë me kërbaçë.’”
12 Ditën e tretë, Jerobeami edhe izraelitët kanë shku prap te mbreti Rehabeam, se aj ju ka thanë: “Kthehuni te unë mas tri ditësh.”
13 Mbreti ju ka dhanë nji përgjigje të ashpër. Kështu aj e ka injoru këshillën e burrave të vjetër.
14 Ju ka fol qysh e kanë këshillu djemtë e ri: “Baba jem jua ka bo zgjedhën të randë, po unë kom me jua bo edhe ma të randë. Baba jem ju ka rrehë me kamxhikë për me ju dënu, po unë kom me ju rrehë me kërbaçë.”
15 Kështu mbreti s’e ka ngu popullin. Jehovai e ka bo që puna me shku kështu, që me u plotësu ajo që Jehovai ia ka thanë Jerobeamit, djalit të Nebatit, nëpërmjet Ahijas pi Shiloja.
16 Kur izraelitët e kanë pa që mbreti s’po don me i ngu, i kanë thanë: “Qka kemi na me Davidin? Na s’kemi kurrfarë trashëgimie pi djali i Isait. Te zotat e tu, o Izrael! Kqyre shpinë tane, o David!” Atëher izraelitët kanë shku nëpër shpijat e veta.
17 Po Rehabeami ka vazhdu me sundu mbi izraelitët që kanë jetu në qytetet e Judës.
18 Masanej mbreti Rehabeam e ka çu Adoramin, që i ka mbikëqyrë njerëzit që punojshin me zor, te izraelitët. Po ata e kanë gjujtë me gurë. Mbreti Rehabeam mezi ka mujt me hyp në qerren e vet edhe me ik në Jerusalem.
19 Izraelitët jonë çu kundër shpisë së Davidit edhe vazhdojnë me konë kundër saj deri sot.
20 Sapo izraelitët kanë ni që Jerobeami u kthy, kanë çu njerëz me e thirrë në mbledhjen e popullit edhe e kanë bo mbret të Izraelit. Përveç fisit të Judës, askush tjetër pi populli s’e ka përkrah shpinë e Davidit.
21 Kur Rehabeami ka ardh në Jerusalem, menjëherë i ka mbledhë krejt njerëzit e shpisë së Judës edhe fisin e Beniaminit, 180 000 luftëtarë të stërvitun. Ata u desht me luftu kundër shpisë së Izraelit, për me ia kthy mbretninë Rehabeamit, djalit të Salomonit.
22 Atëher Shemaja, njeriu i Zotit të vërtetë, e ka marrë këtë fjalë pi Zoti i vërtetë:
23 “Thuji Rehabeamit, djalit të Salomonit e mbretit të Judës, krejt shpisë së Judës e Beniaminit, edhe pjesës tjetër të popullit:
24 ‘Kështu thotë Jehovai: “Mos shkoni me luftu kundër vllaznive tu, izraelitëve. Kthehuni krejt nëpër shpijat e juve, se këtë që ka ndodh e kom bo unë.”’” Ata e kanë ngu fjalën e Jehovës edhe jonë kthy nëpër shpija, qysh ju ka thanë Jehovai.
25 Masanej Jerobeami e ka ndërtu Sikemin në malet e Efraimit edhe ka jetu aty. Pi aty ka shku ma tutje edhe e ka ndërtu Penuelin.
26 Jerobeami ka thanë me veti: “Tash mbretnia ka me iu kthy prap shpisë së Davidit.
27 Nëse ky popull vazhdon me hyp në Jerusalem për me fliju kurbane në shpinë e Jehovës, zemra e tyne ka me u kthy prap te zotnia i tyne, mbreti Rehabeam i Judës. Ata kanë me më vra mu edhe kanë me u kthy te mbreti Rehabeam i Judës.”
28 Mas këshillimit, mbreti i ka bo dy viça pi ari edhe i ka thanë popullit: “Shumë zor e keni me hyp deri në Jerusalem. O Izrael, qe ku e ke Zotin tand, që të ka nxjerrë pi Egjiptit!”
29 Masanej njanin viç e ka vendos në Bethel, e tjetrin në Dan.
30 Kjo e ka shty popullin me bo gjynah. Ata kanë shku deri në Dan për me e adhuru viçin që u konë aty.
31 Jerobeami ka ndërtu edhe vende adhurimi nëpër vendet e nalta edhe ka caktu priftërinj pi njerëzit e zakonshëm të popullit, që s’jonë konë levitë.
32 Jerobeami ka caktu edhe nji festë ditën e 15-të të mujit të tetë, si festa që u mbajke në Judë. Në altarin që e ka ndërtu në Bethel, ka fliju kurbane për viçat që i ka bo. Edhe në Bethel ka caktu priftërinj për vendet e nalta të adhurimit që i ka ndërtu vet.
33 Ditën e 15-të të mujit të tetë, muj që e ka zgjedh vet, ka nis me fliju kurbane mbi altarin që e ka ndërtu në Bethel. Kështu ka caktu nji festë për popullin e Izraelit. Aj ka hyp në altar për me i djeg kurbanet edhe për me e ngrit tymin e kurbaneve.