Letra e dytë e Shembujve 6
1 Atëherë Salomoni ka thanë: “O Jehova, ti ke thanë që ke me banu në terr të thellë.
2 Tash unë ta kom ndërtu nji shpi të madhe e të bukur, nji vend të qëndrueshëm ku munesh me banu përgjithmonë.”
3 Masanej mbreti u kthy kah krejt izraelitët që u konë mbledhë aty edhe ka nisë me i beku, ndërsa krejt ata rrishin në kambë.
4 Aj ka thanë: “Qoftë i lavdum Jehova, Zoti i Izraelit. Aj e ka plotësu me durt e veta atë që ia ka premtu me gojën e vet babës tem Davidit, kur ka thanë:
5 ‘Qysh pi ditës që e kom nxjerrë popullin tem pi Egjiptit, s'kom zgjedhë asnji qytet në asnji fis të Izraelit për me ndërtu aty nji shpi ku ka me mbetë emni jem. As s'kom zgjedhë kërkon me konë prijës i popullit tem Izraelit.
6 Po tash e kom zgjedhë Jerusalemin, që aty me mbetë emni jem, edhe e kom zgjedhë Davidin me sundu mbi popullin tem Izrael.’
7 Baba jem Davidi e ka pasë dëshirë me krejt zemër me ndërtu nji shpi për nder të emnit të Jehovës, Zotit të Izraelit.
8 Po Jehova i ka thanë babës tem Davidit: ‘Ti e ke pasë dëshirë me krejt zemër me ndërtu nji shpi për nder të emnit tem, edhe mirë ke bo që e ke pasë këtë dëshirë.
9 Ama s'ke me konë ti aj që ka me e ndërtu shpinë për nder të emnit tem, po djali yt që ka me të lindë.’
10 Jehova e ka mbajtë fjalën e vet, se tash unë jom ulë në fronin e Izraelit në vend të babës tem Davidit, qysh ka premtu Jehova. Edhe e kom ndërtu shpinë për nder të emnit të Jehovës, Zotit të Izraelit.
11 Në atë shpi e kom vendosë arkën e besëlidhjes, ku gjindet besëlidhja që Jehova e ka bo me popullin e Izraelit.”
12 Masanej Salomoni ka dalë përpara altarit të Jehovës, përballë krejt izraelitëve që u konë mbledhë aty, edhe i ka ngritë durt.
13 (Salomoni e kishte punu nji platformë pi bakri edhe e kishte vendosë në mes të oborrit. Ajo u konë 5 kutë e gjatë, 5 kutë e gjanë edhe 3 kutë e naltë.) Aj u ul në gujë përpara krejt izraelitëve që u konë mbledhë aty, i ka ngritë durt kah qielli
14 edhe u lut: “O Jehova, Zoti i Izraelit, s'ka as në qiell e as në tokë nji Zot si ti. Ti e mban besëlidhjen edhe ju kallxon dashni besnike shërbëtorëve tu, që ecin përpara teje me krejt zemër.
15 Ti e ke mbajtë premtimin që ia ke dhanë babës tem, shërbëtorit tand Davidit. Atë që ia ke premtu me gojën tane, sot e ke plotësu me dorën tane.
16 O Jehova, Zoti i Izraelit, ti i ke thanë edhe babës tem, shërbëtorit tand Davidit: ‘Nëse djemtë e tu kanë kujdes qysh ecin, tu jetu simas ligjit tem edhe tu ecë përpara meje qysh ke ecë ti, atëherë gjithmonë ka me pasë nji pi pasardhësve tu që ka me u ulë përpara meje në fronin e Izraelit.’ Të lutna, mbaje edhe këtë premtim.
17 O Jehova, Zoti i Izraelit, le të plotësohet ky premtim që ia ke dhanë shërbëtorit tand Davidit.
18 Po a ke me banu ti përnime, o Zot, me njerzit këtu në tokë? As qiejt, bile as qiejt ma të naltë s'mujnë me të nxanë, e le ma kjo shpi që ta kom ndërtu unë!
19 O Jehova, Zoti jem, unë shërbëtori yt po të lus: Ngoma lutjen edhe kërkesën teme për mirësi. Të lutna, ngoje thirrjen teme për ndihmë edhe përgjigju lutjes që po ta boj.
20 Mbaji sytë ditë e natë kah kjo shpi, kah ky vend për të cilin ke thanë që ka me konë i lidhun me emnin tand. Edhe përgjigju lutjes që shërbëtori yt e bon i kthym kah ky vend.
21 Ngoji lutjet e mia të përzemërta për ndihmë, edhe lutjet e popullit tand Izraelit, kur luten të kthym kah ky vend. Ngoji pi vendit ku banon ti, pi qiellit. Po, të lutna, ngoji edhe falja gjynahet.
22 Nëse dikush akuzohet që i ka bo gjynah nji njeriu tjetër, edhe i kërkohet me u betu, e për shkak të atij betimi vjen te altari yt në këtë shpi,
23 atëherë të lutna, ngoje pi qiellit. Vepro edhe gjykoji shërbëtorët e tu. Atij që ka bo keq, ktheja simas asaj që ka bo, që e keqja e vet t'i bjerë mbi kry. Kurse atë që asht i drejtë, shpalle të pafajshëm edhe shpërbleje simas drejtësisë së tij.
24 Nëse populli yt Izraeli mundet pi armiqve, se vazhdimisht kanë bo gjynahe kundër teje, e masanej kthehen te ti, e madhnojnë emnin tand, luten edhe të lusin për mirësi përpara teje në këtë shpi,
25 atëherë të lutna, ngoji pi qiellit edhe falja gjynahun popullit tand Izraelit. Ktheji prapë në vendin që ua ke dhanë atyne edhe të parëve të tyne.
26 Nëse qielli mbyllet edhe s'bjen shi, se ata vazhdimisht kanë bo gjynahe kundër teje, e masanej luten të kthym kah ky vend, e madhnojnë emnin tand edhe nalin me bo gjynahe, se ti i ke përulë,
27 atëherë të lutna, ngoji pi qiellit edhe falja gjynahun shërbëtorëve tu, popullit tand Izraelit. Kallxoju rrugën e mirë, rrugën kah duhet me ecë. Edhe lësho shi mbi tokën që ia ke dhanë popullit tand si trashëgimi.
28 Nëse në vend bjen uri a murtajë, nëse vapa e shkatërron bereqetin, nëse del myku, nëse vijnë tufa karkalecash a karkaleca që hanë gjithçka, nëse armiqtë e rrethojnë naj qytet në vend, ose nëse vjen naj fatkeqësi a sëmundje tjetër,
29 pa marrë parasysh për qka lutet a të lus për mirësi nji njeri, ose krejt populli yt Izraeli, se secili e din mërzinë edhe dhimtën e vet, kur i ngritin durt kah kjo shpi,
30 atëherë të lutna, ngoji pi qiellit, pi vendit ku banon ti. Falja gjynahet edhe shpërbleje secilin simas krejt rrugëve të veta, se ti e njeh zemrën e tij. Veç ti je aj që e njeh përnime zemrën e njerzve.
31 Qashtu ata kanë me pasë respekt të madh për ty edhe kanë me ecë në rrugët e tua tanë kohën sa jetojnë në vendin që ua ke dhanë të parëve të tyne.
32 Edhe nëse nji i huj, që s'i takon popullit tand Izraelit, vjen pi nji vend të largët për shkak të emnit tand të madh, dorës tane të fortë edhe krahut tand të shtrimë, edhe lutet i kthym kah kjo shpi,
33 atëherë të lutna, ngoje pi qiellit, pi vendit ku banon ti, edhe boje krejt qka të lutet aj i huj. Qashtu krejt popujt e tokës kanë me e njoftë emnin tand edhe kanë me pasë respekt të madh për ty, qysh ka populli yt Izraeli. Edhe kanë me e kuptu që kjo shpi që e kom ndërtu e mban emnin tand.
34 Nëse ti e çon popullin tand në luftë kundër armiqve të vet, kudo që t'i çosh, edhe ata të luten ty të kthym kah ky qytet që e ke zgjedhë, edhe kah kjo shpi që e kom ndërtu për nder të emnit tand,
35 atëherë ngoje pi qiellit lutjen e popullit tand edhe kur të lusin për mirësi, e jepju drejtësinë që ju takon.
36 Nëse ata bojnë gjynahe kundër teje, se s'ka njeri që s'bon gjynah, edhe ti idhnohesh me ta e i len në durt e armikut, e armiku i merr rob edhe i çon në nji vend tjetër, qoftë afër a larg,
37 e nëse atje, në vendin ku i kanë çu rob, ju vijnë ment, kthehen te ti edhe të lusin për mirësi, tu thanë: ‘Kemi bo gjynahe, kemi gabu edhe kemi vepru keq’,
38 e nëse në atë vend ku i kanë çu rob kthehen te ti me krejt zemër e me krejt shpirt, edhe luten të kthym kah vendi që ua ke dhanë të parëve të tyne, kah qyteti që e ke zgjedhë edhe kah shpia që e kom ndërtu për nder të emnit tand,
39 atëherë ngoje pi qiellit, pi vendit ku banon ti, lutjen e tyne edhe kur të lusin për mirësi. Jepju drejtësinë që ju takon edhe falja gjynahet popullit tand që ka bo gjynahe kundër teje.
40 E tash, o Zoti jem, të lutna, shikoji ata që luten në këtë vend edhe mbaji veshët çelë për lutjet e tyne.
41 O Jehova Zot, tash eja në vendin tand të pushimit, ti bashkë me arkën e besëlidhjes, që asht shenjë e fuqisë tane. O Jehova Zot, le të vishen priftat e tu me shpëtim, edhe krejt ata që të rrijnë besnikë le të gëzohen për mirësinë tane.
42 O Jehova Zot, mos e refuzo atë që e ke mirosë. Kujtoje dashninë tane besnike që ia ke kallxu shërbëtorit tand Davidit.”