Fjalët të urta 4
1 Ngoni, o djemtë e mi, kur nji babë ju mëson e ju
edukon, kushtoni mirë kujdes që me u bo t'mençëm e me kuptu.
2 Se unë kam me ju dhanë udhëzime t'mira.
Mos e lini mësimin tem.
3 Unë jom konë nji djalë i vërtetë për babën
tem edhe nana jem m'ka dashtë veçanërisht shumë.
4 Aj më ka mësu edhe më ka thanë: „Mbaji fort fjalët e
mia n'zemrën tande. Zbatoji udhëzimet e mia edhe ki me jetu.
5 Fito mençuri, fito kuptim.
Mos e harro qka po t'thom edhe mos u largo pi fjalëve të mia.
6 Mos e le mençurinë, edhe ajo ka me të mbrojtë.
Duje atë, edhe ajo ka me të rujtë.
7 Mençuria asht ma e rëndësishmja, për qata fitoje, edhe bashkë
me krejt senet që i fiton, fito edhe kuptim.
8 Çmoje shumë mençurinë, edhe ajo ka me të ngritë nalt.
Ajo ka me të nderu, se ti e përqafon.
9 Ajo ka me ta vu nji kurorë t'hijshme n'krye.
Ka me të zbukuru me nji kurorë t'bukur.“
10 Ngom, djali jem, edhe pranoji fjalët e
mia, edhe ki me jetu shumë vjet.
11 Kam me të udhëzu n'rrugën e mençurisë.
Kam me të pri n'rrugën e ndershmërisë.
12 Kur ecën, s'ka me pasë kurgjo që t'i pengon hapat.
Kur vrapon, s'ki me u pengu.
13 Mbaju fort për edukatën që po e merr, mos e lsho.
Ruaje, se ajo asht jetë për ty.
14 Mos e merr shtegun e njerëzve t'këqij
edhe mos ec n'rrugën e njerëzve t'ligj.
15 Largoju asaj rruge, mos shko nëpër të!
Kthehu pi saj edhe kalo anash.
16 Se ata s'mujnë me fjetë pa e bo nji t'keqe.
Nuk i zen gjumi nëse s'munden me e shkatërru dikon.
17 Se ata ushqehen me bukën e ligësisë
edhe e pijnë venën e dhunës.
18 Po rruga e njerëzve t'drejtë asht si drita e ndritshme e sabahut,
që bohet gjithnjë e ma e fortë, deri kur zbardhet dita krejt.
19 Rruga e njerëzve t'këqij asht si terri.
Ata s'e dinë qka po i bon me u pengu.
20 Djali jem, kushtoju kujdes fjalëve të mia.
Ngom mirë qka po t'thom.
21 Mos i hiq pi syve.
Mbaji thellë n'zemrën tande.
22 Se ato janë jetë për ata që i
gjejnë, edhe shëndet për krejt trupin e tyne.
23 Ma shumë se çdo sen tjetër, ruaje zemrën
tande, se pi saj dalin burimet e jetës.
24 Largoji fjalët e shtrembta, edhe rri
larg pi të folmes me rrena.
25 Le t'kqyrin sytë e tu drejt përpara, po,
mbaje shikimin te ajo që e ke përpara.
26 Rrafshoje rrugën ku e qet kamën, edhe krejt
rrugët e tua kanë me konë t'sigurta.
27 Mos u kthe as djathtas, as majtas.
Largoje kamën pi asaj që asht e keqe.