Fjalët të urta 17
1 Ma mirë nji copë bukë e thatë me paqe,
se nji shpi plot me ushqim t'mirë e grindje.
2 Nji shërbëtor që merr vesh ka me sundu mbi nji djalë që sillet me turp.
Ka me marrë hise n'trashëgimi, njisoj si nji pi vllaznive.
3 Ena për me pastru argjendin asht për argjend, e furra për me shkrinë
arin asht për ar, po Jehovai asht aj që i provon zemrat.
4 Njeriu i keq ua vë veshin fjalëve që
lëndojnë, e mashtruesi e ngon gjuhën e keqe.
5 Kush tallet me t'vorfnin, e fyen Atë që e ka kriju, e
kush gëzohet me fatkeqësinë e tjerëve, s'ka me shpëtu pa u dënu.
6 Nipat e mbesat janë kurorë për t'moshuarit,
e baballarët janë krenaria e djemve t'vet.
7 Fjalët e sinqerta s'i kanë hije nji budalle, e
aq ma pak fjalët e rrejshme nji sundimtari!
8 Nji dhuratë asht si nji gur i çmueshëm për atë që e ka.
Kahdo që kthehet, ajo i sjell sukses.
9 Kush ia fal nji gabim tjetrit, mundohet me rujtë dashninë, po
kush e përmend vazhdimisht nji sen, i ndan shokët e mirë.
10 Nji fjalë e qartë e prek ma shumë njeriun
që merr vesh, se njiqind të rame nji budalle.
11 Njeriu i keq veç kryengritje kërkon, po ka me
iu çu nji lajmëtar mizor për me e dënu.
12 Ma mirë me u taku me nji arushë që i
ka hupë këlyshët, se me nji budallë kur bon budallaki.
13 Nëse dikush ia kthen t'mirën me t'keqe, e keqja
s'ka me iu largu pi shpisë së tij.
14 Me nisë nji grindje asht si me hapë nji portë që e mban ujin.
Para se me shpërthy grindja, largohu.
15 Kush e shpall t'pafajshëm t'keqin edhe kush e
dënon t'drejtin, të dy janë t'neveritshëm për Jehovain.
16 Qka vlen që budalla i ka mjetet me fitu
mençuni, kur s'e ka zemrën për me e fitu?
17 Nji shok i vërtetë tregon dashni gjithmonë,
e vllau asht lindë për kohë t'hallit.
18 Nji njeri që s'ka mend e vërteton nji sen
me shtrëngim dore, edhe bohet garant para nji tjetri.
19 Kush i don grindjet, i don edhe gabimet.
Kush e bon hyrjen e vet shumë t'naltë, e fton rrëzimin.
20 Kush e ka zemrën me hile, s'ka me pa t'mirë, e
kush e ka gjuhën e pandershme, e fut veten n'fatkeqësi.
21 Kush bohet babë i nji fëmije pa mend, ka me pasë
mërzi, e baba i nji fëmije që s'kupton, s'ka gëzim.
22 Nji zemër e gëzume asht ilaç i mirë, po
kur shpirti asht i mërzitun, njeriut i hup fuqia.
23 Nji njeri i keq merr ryshfet fshehtas,
edhe e shtrembnon rrugën e drejtësisë.
24 Njeriu që din me i dallu mirë senet, e mban mençuninë
para syve, po sytë e budallës enden deri n'fund t'botës.
25 Nji djalë pa mend ia sjell mërzinë babës, e
ia shkakton dhimtë asaj që e ka lindë.
26 S'asht mirë me e dënu njeriun e drejtë, e
me i rrehë njerëzit e ndershëm asht kundër drejtësisë.
27 Njeriu që ka dije i mat fjalët kur folë, e njeriu
që din me i dallu mirë senet rrin i qetë.
28 Edhe budallën e marrin për t'mençëm kur rrin pa folë, e atë
që e mban gojën mbyllë, e marrin për njeri që merr vesh.