Historia e Apostujve 14
1 Në Ikoni, ata hynë bashkë në sinagogën e Judenjve edhe folën aq bindshëm, sa nji turmë e madhe Judenjsh edhe Grekësh u bonë besimtarë. 2 Po Judenjtë që nuk besuan, i nxitën njerzt pi kombeve tjera kundër vllaznive edhe ndikuan keq te ta. 3 Prandaj ata qëndruan aty nji kohë, tu folë me guxim e hapur me autorizimin e Jehovajt. Edhe aj dëshmonte për mesazhin e mirësisë së tij të pameritume, tu leju që përmes tyne me ndodhë shenja e mrekulli. 4 Po turma në qytet u nda. Disa ishin me Judenjtë, e disa me apostujt. 5 Kur njerzt pi kombeve tjera edhe Judenjtë, bashkë me udhëheqësit e tyne, banë plan me i keqtrajtu edhe me i gjujtë me gurë, 6 ata morën vesh për këtë edhe ikën në qytetet Listra e Derbe të Likaonisë, edhe në rrethinë. 7 Aty vazhduan me e shpallë lajmin e mirë.
8 Në Listra rrinte ulë nji burrë që i kishte kambët e paralizume. Aj ishte i çalë pi lindjes edhe kurrë s’kishte ecë. 9 Ky burrë po e ngonte Pavlin derisa fliste. Pavli e kqyri ngultas, edhe kur e pa që burri kishte besim me u shëru, 10 tha me za të madh: „Çohu në kambë!“ Atëherë aj kërceu përpjetë edhe nisi me ecë. 11 Kur turma pa qka bani Pavli, bërtiti në gjuhën likaonase: „Zotat janë bo si njerz edhe kanë zhdrypë te na!“ 12 Barnabën e qujtën Zeus, kurse Pavlin Hermes, sepse aj ishte ai që fliste. 13 Prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte te hyrja e qytetit, solli dema edhe kurora te dyert, edhe bashkë me turmën donte me ofru kurbane.
14 Po kur apostujt Barnaba edhe Pavli ninë për këtë, i shqyen rrobat e veta, vrapuan mes turmës edhe bërtitën: 15 „Burra, pse po e boni këtë? Edhe na jemi veç njerz, me dobësi qysh keni edhe ju! Na po jau shpallim lajmin e mirë që ju me u largu pi këtyne seneve të pavlera edhe me u kthy kah Zoti i gjallë, që e ka bo qiellin, tokën, detin edhe krejt qka ka në to. 16 Në brezat e kalum, aj i ka lanë krejt kombet me ecë në udhët e veta, 17 edhe pse gjithmonë ka pasë dëshmi për të: aj ka bo mirë, ju ka dhanë shi pi qielli edhe stinë të frytshme, ju ka furnizu me ushqim mjaft edhe jau ka mushë zemrat me gëzim.“ 18 Po edhe pse i thanë këto, mezi e ndalën turmën që mos me ju ofru kurbane.
19 Pastaj erdhën Judenj pi Antiokia edhe Ikonia, edhe i bindën turmat me dalë në anën e tyne. Ata e gjujtën Pavlin me gurë edhe e tërhoqën jashtë qytetit, tu mendu që kishte vdekë. 20 Po kur nxansat u mblodhën rreth tij, aj u çu edhe u kthye në qytet. Të nesërmen u nis me Barnabën për në Derbe. 21 Pasi e shpallën lajmin e mirë në atë qytet edhe goxha shumë vetave ju ndihmuan me u bo nxansa, u kthyn në Listra, Ikoni edhe Antioki. 22 Aty i forcuan nxansat edhe i inkurajuan me mbetë në besim. Ju thanë: „Na duhet me kalu shumë vështirësi para se me hy në mbretninë e Zotit.“ 23 Përveç kësaj, në çdo kongregacion caktuan pleq. U lutën, agjëruan edhe ja besuan Jehovajt, në të cilin tash kishin besu.
24 Pastaj kaluan nëpër Pisidi edhe erdhën në Pamfili. 25 Pasi e shpallën fjalën e Zotit në Pergë, zhdrypën në Atali. 26 Pi aty lundruan prapë për në Antioki, ku ishin besu në mirësinë e pameritume të Zotit për punën që tash e kishin kry.
27 Kur mbrrinën, e thirrën bashkë kongregacionin. Ata kallxuan krejt qka kishte bo Zoti përmes tyne, edhe që aj ju kishte çelë kombeve tjera derën për besim. 28 Kështu kaluan nji kohë me nxansat.