Historia e Apostujve 24
1 Pesë ditë ma vonë, Kryeprifti Anania zhdrypi me disa pleq edhe me nji folës publik me emnin Tertul. Ata ja paraqitën guvernatorit akuzën kundër Pavlit. 2 Kur e thirrën Tertulin, aj nisi akuzën me këto fjalë:
„Falë teje po gëzojmë paqe të madhe, edhe për shkak të largpamësisë tande po bahen reforma në këtë popull. 3 Këtë e pranojmë gjithmonë e gjithkund me mirënjohje të madhe, Shkëlqesi Feliks. 4 Po që mos me të marrë ma shumë kohë, po të lutna me na ngu shkurt me mirësi. 5 Sepse kemi pa që ky njeri asht si murtajë. Për shkak të tij po bahen trazira mes krejt Judenjve në krejt tokën e banueme, edhe aj asht udhëheqës i sektit të Nazareasve. 6 Aj u mundu edhe me e përdhosë tempullin, prandaj e arrestuam. 7 –– 8 Nëse e merr në pytje, mundesh vetë me e marrë vesh qartë për krejt këto akuza.“
9 Pastaj edhe Judenjtë ju bashkun sulmit, tu pohu që krejt këto ishin të vërteta. 10 Kur guvernatori i bani shenjë Pavlit me kry që me folë, aj tha:
„Masi e di që ti je gjykatës i këtij populli tash e shumë vjet, po flas me qef për mbrojtjen teme. 11 Siç mundesh vetë me e verifiku, s’janë bo ma shumë se dymbëdhjetë ditë prej kur hypa në Jerusalem për me adhuru. 12 Ata nuk më kanë pa as në tempull tu diskutu me dikon, as tu shkaktu naj trazirë, as në sinagoga, as kund tjetër në qytet. 13 As nuk munden me të dhanë prova për akuzat që po i bajnë kundër meje. 14 Megjithatë, po ta pranoj këtë: simas udhës së besimit që ata e qujnë sekt, unë i baj shërbim të shenjtë Zotit të të parëve të mi, sepse besoj krejt qka thuhet në Ligj edhe qka shkruhet në Shkrimet e Pejgamberëve. 15 Shpresën e kam te Zoti, edhe këta burra e kanë të njejtën shpresë, që ka me pasë ringjallje të të drejtëve edhe të padrejtëve. 16 Për qata gjithmonë mundohem me pasë ndërgjegje të pastër para Zotit edhe para njerzve. 17 Tash, mas shumë vjetësh, kam ardhë me i pru popullit tem ndihma edhe me ofru kurbane. 18 Derisa po merresha me këto sene, ata më panë në tempull të pastruem ritualisht, po jo me turmë, as si njeri që po shkakton trazirë. Megjithatë, aty ishin disa Judenj pi provinca e Azisë, 19 që në fakt do të duhej me qenë këtu para teje për me ngritë akuzë kundër meje, nëse përnime kanë diçka kundër meje. 20 Ose le të thojnë vetë këta burra këtu qka të keqe gjetën te unë kur qëndrova para Sinedrit. 21 Ishte veç kjo nji punë, që unë thirra në mesin e tyne: ‘Për shkak të ringjalljes së të dekuneve po gjykohem sot para jush!’“
22 Po Feliksi, që e njihte mjaft mirë këtë Udhë, e shtyu rastin për ma vonë me këto fjalë: „Sapo të zhdrypë komandanti ushtarak Lisia, kam me marrë vendim për çështjen tuej.“ 23 Edhe e urdhnoi oficerin me e mbajtë burrin nën arrest, po me ja dhanë njifarë lirie edhe me i leju njerzt e tij me u kujdesë për nevojat e tij.
24 Disa ditë ma vonë, Feliksi erdh me grunë e vet Drusilën, nji Judeje. Aj e thirri Pavlin edhe e ngoi qka kishte me thanë për besimin në Krishtin Jezus. 25 Po kur Pavli foli për drejtësinë, vetëpërmbajtjen edhe gjykimin që ka me ardhë, Feliksin e kapi frika edhe ju përgjigj: „Shko tash. Kur të kem kohë, kam me të thirrë prapë.“ 26 Në të njejtën kohë, aj shpresonte që Pavli ka me i dhanë pare. Për qata e thirrte edhe ma shpesh dhe fliste me të. 27 Po kur kaluan dy vjet, Porc Festi u bo pasardhës i Feliksit, edhe masi Feliksi dojke me fitu pëlqimin e Judenjve, e la Pavlin nën arrest.