Historia e Apostujve 25
1 Tri ditë pasi Festi mbrrini në provincë edhe e mori detyrën, hypi pi Cezareja në Jerusalem. 2 Kryepriftërinjtë edhe burrat kryesorë të Judenjve ja paraqitën ankesën kundër Pavlit. Ata nisën me ju lutë Festit, 3 që me ju bo nji nder edhe me urdhnu që Pavli të sillej në Jerusalem. Po ata kishin plan me i dalë Pavlit në pritë gjatë udhës edhe me e mbytë. 4 Megjithatë, Festi ju përgjigj që Pavli duhej me mbetë nën arrest në Cezare, edhe që aj vetë kishte me u kthy atje së shpejti. 5 Aj tha: „Nëse ky burrë përnime ka bo diçka të keqe, le të zhdrypin me mu burrat përgjegjës mes jush edhe le ta akuzojnë.“
6 Pasi qëndroi me ta jo ma shumë se tetë a dhjetë ditë, zhdrypi në Cezare. Të nesërmen u ul në karrigen e gjykimit edhe urdhnoi me e pru Pavlin mrena. 7 Kur aj erdh, Judenjtë që kishin ardhë pi Jerusalemi e rrethuan edhe ngritën shumë akuza të randa kundër tij, po nuk mujshin me i dëshmu.
8 Pavli tha në mbrojtje të vet: „Unë nuk kam bo kurrfarë gjynahi, as kundër Ligjit të Judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit.“ 9 Atëherë Festi, që dojke me fitu pëlqimin e Judenjve, i tha Pavlit: „A don me hypë në Jerusalem, që rasti yt të gjykohet atje para meje?“ 10 Po Pavli ju përgjigj: „Unë po qëndroj para karriges së gjykimit të Cezarit, edhe këtu duhet me u gjyku. Judenjve nuk ju kam bo kurrfarë të keqe, qysh edhe ti vetë e sheh shumë mirë. 11 Nëse përnime kam bo naj të keqe që meriton vdekje, nuk po refuzoj me vdekë. Po nëse akuzat e këtyne burrave janë pa bazë, askush s’ka të drejtë me më dorëzu te ta për me ju bo nder. Po apeloj te Cezari!“ 12 Pasi Festi foli me grupin e këshilltarëve të vet, u përgjigj: „Te Cezari ke apelu, te Cezari ke me shku.“
13 Mas disa ditësh, mbreti Agripa edhe Bernika erdhën në Cezare për me e përshëndetë Festin. 14 Meqë qëndruan aty disa ditë, Festi ja paraqiti mbretit rastin e Pavlit. Tha:
„Feliksi e ka lanë këtu nji burrë si të burgosun, 15 edhe kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë edhe pleqtë e Judenjve ngritën akuzë kundër tij edhe kërkuan dënimin e tij. 16 Po unë ju përgjigja që Romakët nuk e kanë zakon me ja dorëzu nji të akuzuem dikujt për me ju bo nder, pa u përballë ma parë aj me akuzuesit e vet ftyrë për ftyrë edhe pa e pasë mundësinë me folë për mbrojtjen e vet. 17 Prandaj, kur erdhën këtu, pa vonesë, të nesërmen u ula në karrigen e gjykimit edhe urdhnova me e pru atë burrë. 18 Akuzuesit u çunë, po nuk e akuzuan për asnji pi veprave të këqija që unë i pritsha në rastin e tij. 19 Ata kishin veç disa mosmarrëveshje me të për adhurimin e tyne edhe për nji burrë me emnin Jezus, që ka vdekë, po për të cilin Pavli vazhdimisht pohonte që asht gjallë. 20 E masi nuk dijsha mirë qysh me vepru në këtë çështje, e pyta a don me hypë në Jerusalem, që rasti i tij të gjykohet atje. 21 Po kur Pavli apeloi që me mbetë nën arrest deri te vendimi i Augustit, urdhnova me e mbajtë të burgosun derisa ta dërgoj te Cezari.“
22 Atëherë Agripa i tha Festit: „Kam qef me e ngu vetë qit njeri.“ Festi ju përgjigj: „Nesër ke me e ngu.“ 23 Kështu, të nesërmen Agripa edhe Bernika erdhën me shumë madhështi edhe hynë në sallën e dëgjimit bashkë me komandantët ushtarakë edhe burrat e njohun të qytetit. Kur Festi dha urdhën, Pavli u soll mrena. 24 Pastaj Festi tha: „Mbret Agripa edhe ju krejt që jeni këtu me neve! Për qit burrë që po e shihni këtu, krejt populli i Judenjve, si në Jerusalem ashtu edhe këtu, më asht drejtu. Ata bërtitshin me za të madh që aj nuk duhet me jetu ma. 25 Po unë e pashë që aj nuk ka bo kurgjo që meriton vdekje. E kur aj apeloi te Augusti, vendosa me e dërgu te aj. 26 Megjithatë, nuk kam diçka konkrete me i shkru zotnisë tem për të. Prandaj e kam pru para jush, e sidomos para teje, mbret Agripa, që pas marrjes në pytje gjyqësore me pasë diçka me shkru. 27 Sepse nuk më duket e arsyeshme me e dërgu nji të burgosun pa tregu akuzat që janë ngritë kundër tij.“