Historia e Apostujve 7

Aus bibla-popullore.org
(Weitergeleitet von Veprat e Apostujve 7)
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Kryeprifti atëherë e pyti: „A asht e vërtetë kjo?“ 2 Stefani ju përgjigj: „Burra, vllazën edhe etën, ngomni! Zoti i lavdisë ju shfaq të parit tonë Abraham në Mesopotami, para se aj me u vendosë në Haran, 3 edhe i tha: ‘Dil pi vendit tand edhe pi të afërmve tu, edhe eja në vendin që kam me ta kallxu.’ 4 Atëherë aj doli pi vendi i Kaldejve edhe u vendos në Haran. Masi i vdiq baba, Zoti e çoi pi aty në vendin ku banoni ju tash. 5 Megjithatë, në atë vend nuk i dha trashëgimi, as edhe nji copë toke sa me shkelë me kambë. Po i premtoi që atë vend ka me ja dhanë si pronë atij edhe pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami hala s’kishte fmi. 6 Përveç kësaj, Zoti i tha që pasardhësit e tij kanë me jetu si të huj në nji vend të huj, edhe që kanë me i bo robër e kanë me i shtypë për 400 vjet. 7 ‘Unë kam me e dënu kombin të cilit ata kanë me i shërby si robër’, tha Zoti, ‘e mas kësaj kanë me dalë edhe kanë me më bo shërbim të shenjtë në këtë vend.’

8 Zoti bani me të edhe besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahami u bo baba i Isakut edhe e rrethpreu ditën e tetë. Isaku u bo baba i Jakupit, e Jakupi i dymbëdhjetë kryefamiljarëve. 9 Pastaj kryefamiljarët u bonë xhelozë për Jozefin edhe e shitën në Egjipt. Po Zoti ishte me të. 10 E shpëtoi pi krejt vështirësitë e tij, i dha mençuri edhe e bani me pasë pëlqim te Faraoni, mbreti i Egjiptit. Edhe e caktoi sundimtar mbi Egjiptin edhe mbi krejt shpinë e tij. 11 Po krejt Egjipti edhe Kanaani u kapën pi nji uri e madhe. Po, ishte kohë shumë e randë, edhe të parët tonë nuk gjejshin ma qka me hangër. 12 Por Jakupi nivi që në Egjipt kishte ushqim, edhe i dërgoi të parët tonë atje për herë të parë. 13 Herën e dytë, Jozefi ju tregoi vllaznive të vet kush ishte, edhe Faraoni mori vesh për familjen e Jozefit. 14 Pastaj Jozefi e thirri babën e vet Jakupin edhe krejt të afërmit e vet pi Kanaani. Krejt bashkë ishin 75 veta. 15 Kështu Jakupi zhdrypi në Egjipt edhe vdiq atje, qysh edhe të parët tonë. 16 Ata u çunë në Sikem edhe u vunë në varrin që Abrahami e kishte ble me argjend pi djemtë e Hamorit në Sikem.

17 Kur u afru koha që me u përmbushë premtimi që Zoti ja kishte dhanë Abrahamit, populli u rrit edhe u shtu në Egjipt. 18 Pastaj në Egjipt erdh në pushtet nji mbret tjetër, që nuk e njihte Jozefin. 19 Ky veproi me dredhi kundër popullit tonë edhe i detyroi padrejtësisht etnit me i lanë jashtë foshnjat e veta, që ato mos me mbetë gjallë. 20 Në atë kohë lindi Moisiu, edhe aj ishte i bukur në sytë e Zotit. U rrit tri muej në shpinë e babës së vet. 21 Po kur e lanë jashtë, vajza e Faraonit e mori edhe e rriti si djalin e vet. 22 Kështu Moisiu u shkollu në krejt mençurinë e Egjiptasve. Po, ishte i fuqishëm në fjalë edhe në vepra.

23 Kur i bani 40 vjet, i erdh në zemër me shku me i pa vllaznit e vet, bijtë e Izraelit. 24 Atëherë pa qysh njoni pi tyne po trajtohej padrejtësisht, edhe e mbrojti. U hakmor për atë që po keqtrajtohej, tu e goditë Egjiptasin. 25 Aj mendoi që vllaznit e tij kanë me kuptu se Zoti po i shpëton përmes tij, po ata nuk e kuptun. 26 Të nesërmen ju shfaq atyne, kur po ziheshin, edhe deshti me i pajtu prapë. Ju tha: ‘Burra, ju jeni vllazën. Pse po silleni keq me njani-tjetrin?’ 27 Po aj që po e trajtonte keq të afërmin e vet, e shtyu Moisiun edhe tha: ‘Kush të ka caktu ty sundimtar e gjykatës mbi neve? 28 A po don me më mbytë mu, qysh e mbyte dje Egjiptasin?’ 29 Kur e nivi këtë, Moisiu iku edhe jetoi si i huj në vendin e Midianit, ku u bo baba i dy djemve.

30 Mbas 40 vjetësh, në shkretinë te mali Sinai, ju shfaq nji melaqe në flakën e nji kaçubeje me therra që po digjej. 31 Kur Moisiu e pa këtë, u çudit. Po kur u afru me kqyrë, u ni zani i Jehovajt që tha: 32 ‘Unë jom Zoti i të parëve tu, Zoti i Abrahamit, Isakut edhe Jakupit.’ Atëherë Moisiu nisi me u dridhë edhe nuk guxoi me e kqyrë ma afër atë sen. 33 Jehovaj i tha: ‘Hiqi sandalet pi kambëve, sepse vendi ku po qëndron asht tokë e shenjtë. 34 Unë e kam pa mirë qysh po shtypet populli jem në Egjipt. E kam ni rënkimin e tyne, edhe kam zhdrypë me i shpëtu. Eja tash, kam me të dërgu në Egjipt.’ 35 Qit Moisi, që ata e mohun kur thanë: ‘Kush të ka caktu ty sundimtar e gjykatës mbi neve?’, pikërisht atë Zoti e dërgoi si sundimtar edhe çlirimtar përmes melaqes që ju shfaq në kaçubën me therra. 36 Ky burrë i nxori jashtë edhe bani mrekulli e shenja në Egjipt, te Deti i Kuq edhe për 40 vjet në shkretinë.

37 Ky Moisi ju tha bijve të Izraelit: ‘Zoti ka me ju thirrë pi mesi i vllaznive tuej nji pejgamber si unë.’ 38 Aj ishte me kongregacionin në shkretinë, me melaqen që i foli në malin Sinai edhe me të parët tonë, edhe mori fjalë të gjalla e të shenjta për me na i dhanë neve. 39 Po të parët tonë nuk deshtën me ju bindë, por e shtynë larg pi vetes edhe me zemër u kthynë kah Egjipti. 40 I thanë Aronit: ‘Na bon zota që kanë me ecë para nesh. Se kush e di qka i ka ndodhë qitij Moisiu që na nxori pi Egjipti!’ 41 Atëherë e banë nji viç edhe i ofrun kurban qati idhulli, e nisën me u gëzu me atë që e kishin bo me duert e veta. 42 Prandaj Zoti u largu pi ta edhe i la me i bo shërbim të shenjtë ushtrisë së qiellit, qysh shkruhet në librin e Pejgamberëve: ‘A mos m’keni ofru mu kurbane kafshësh e kurbane tjera për 40 vjet në shkretinë, o shpi e Izraelit? 43 Jo, ju e bartët tendën e Molokut edhe yllin e zotit Refan, figurat që i batë për me i adhuru. Për qata kam me ju çu në mërgim përtej Babilonisë.’

44 Të parët tonë e kishin në shkretinë tendën e dëshmisë, që Moisiu duhej me e bo simas urdhrit të Zotit, simas modelit që kishte pa kur Zoti foli me të. 45 Të parët tonë e morën atë edhe e sollën me Jozuan në vendin e kombeve, që Zoti i dëboi para të parëve tonë. Ajo mbeti këtu deri në ditët e Davidit. 46 Davidi gjeti pëlqim te Zoti edhe kërkoi leje me i përgatitë nji vendbanim Zotit të Jakupit. 47 Po Solomoni ishte aj që ja ndërtoi nji shpi. 48 Megjithatë, Ma i Nalti nuk banon në shpi të bame me dorë njeriu. Qysh thotë pejgamberi: 49 ‘„Qielli asht froni jem, edhe toka asht stoli për kambët e mia. Çfarë shpije doni me më ndërtu?“, thotë Jehovaj. „Apo ku asht vendi jem i pushimit? 50 A nuk i ka bo dora jeme krejt këto?“‘

51 Ju jeni kryefortë, me zemër e veshë të parrethpremë. Ju gjithmonë po i kundërshtoni frymës së shenjtë. Po boni tamam qysh kanë bo të parët tuej. 52 Cilin pi pejgamberëve nuk e kanë përndjekë të parët tuej? Po, i kanë mbytë ata që e shpallën përpara ardhjen e të Drejtit, të cilin ju tash e keni tradhtu edhe e keni vra, 53 ju që e morët Ligjin qysh u përcoll përmes melaqeve, po nuk ju përmbajtët.“

54 Kur i ninë këto, u zemërun shumë me të edhe nisën me kërcëllu dhambët. 55 Po aj, i mushun me frymë të shenjtë, kqyri pa ia nda kah qielli edhe e pa lavdinë e Zotit, edhe Jezusin tu qëndru në anën e djathtë të Zotit. 56 Tha: „Qe! Po e shoh qiellin të hapun edhe Birin e njeriut tu qëndru në anën e djathtë të Zotit.“ 57 Atëherë ata bërtitën me za të madh, i mbyllën veshët me duer edhe krejt bashkë ju turrën. 58 Pasi e qitën jashtë qytetit, nisën me e gjujtë me gurë. Dëshmitarët i lanë petkat e jashtme te kambët e nji djali të ri që quhej Saul. 59 Derisa po e gjujshin Stefanin me gurë, aj u lut: „Zotni Jezus, pranoje frymën teme.“ 60 Pastaj ra në gjunjë edhe thirri me za të madh: „Jehova, mos jau llogarit këtë gjynah!“ Pasi e tha këtë, vdiq.