Luka 17
1Masanej aj ju tha nxansave të vet: „Gjana që i shtyjnë njerzt me u pengu kanë me ardhë patjetër. Po mjerë aj përmes të cilit vijnë! 2Ma mirë për të kish me qenë me ja varë nji gur mullini në qafë e me e gjujtë në det, sesa me e pengu njonin pi këtyne të vegjëlve. 3Kini kujdes për veten. Nëse vllau yt bon gjynah, foli seriozisht, edhe nëse pendohet, fale. 4Edhe nëse shtatë herë në ditë bon gjynah kundër teje, e shtatë herë kthehet te ti e thotë: ‘Po pendohem’, ti duhet me e falë.“
5Atëherë apostujt i thanë Zotnisë: „Na e shto besimin.“ 6Zotnia ju përgjigj: „Edhe nëse besimi juej kish me qenë veç sa nji kokërr sinapi, ju kishit me i thanë qitij mani të zi: ‘Shkulu me rrajë pi tokës edhe mbillu në det!’, edhe aj kish me ju ngu.
7Ta zamë se njoni pi juve e ka nji shërbëtor, edhe aj kthehet pi ara mas plugimit a mas rujtjes së dhenve. Kush pi juve ka me i thanë: ‘Hajde menjiherë qitu edhe ulu në sofër’? 8A nuk kishit me i thanë ma mirë: ‘Ma përgatit darkën, lidhe përparsen edhe m’shërbe derisa të ha e të pi, e masanej ha edhe pi ti’? 9A ka me ju ndi borxhli shërbëtorit pse e ka kry detyrën që ju ka dhanë? 10Qashtu edhe ju: kur t’i keni bo krejt qka ju asht urdhnu, thuni: ‘Na jemi shërbëtorë të pavlerë. E kemi bo veç detyrën tonë.’“
11Rrugës për Jerusalem, aj ka kalu mes Samarisë edhe Galilesë. 12Kur po donte me hy në nji katun, i dolën përpara dhjetë burra të smutë me lebër, po u nalën pak larg 13edhe thirrën me za të madh: „Jezus, Mësues, ki dhimt për neve!“ 14Kur aj i pa, ju tha: „Shkoni edhe paraqituni te priftërinjtë.“ E rrugës ata u shërun. 15Njani pi tyne u kthy, kur e pa që ishte shëru, edhe me za të madh nisi me i dhanë lavdi Zotit. 16Ra përmbys te kambët e Jezusit edhe e falënderoi. E aj ishte Samaritan. 17Atëherë Jezusi pyti: „A nuk u shërun krejt të dhjetë? Ku janë pra nëntë të tjerët? 18A s’u kthy kërkush tjetër me i dhanë lavdi Zotit, përveç qitij burri pi nji populli tjetër?“ 19Pastaj i tha: „Çohu edhe shko. Besimi yt të ka shëru.“
20Kur Farisenjtë e pytën kur ka me ardhë mbretnia e Zotit, aj ju përgjigj: „Mbretnia e Zotit nuk vjen në mënyrë të dukshme, që krejt me mujt me e pa. 21Edhe nuk kanë me thanë: ‘Kqyrni qitu!’, a ‘Ja, atje asht!’ Se kqyrni, mbretnia e Zotit asht në mesin tuej.“
22Masanej ju tha nxansave: „Ka me ardhë koha kur keni me pas qef me pa veç nji pi ditëve të Birit të njeriut, po s’keni me e pa. 23Edhe njerzt kanë me ju thanë: ‘Kqyrni atje!’, a ‘Kqyrni qitu!’ Mos shkoni edhe mos vraponi mas tyne. 24Se qysh rrufeja ndriçon pi nji anë e qiellit deri në anën tjetër, qashtu ka me qenë Biri i njeriut në ditën e vet. 25Po së pari aj duhet me hjekë shumë edhe me u refuzu pi qikjo gjeneratë. 26Qysh ka qenë në ditët e Noes, qashtu ka me qenë edhe në ditët e Birit të njeriut: 27Njerzt hajshin, pijshin, martoheshin edhe i martojshin të tjerët, deri në ditën kur Noeja hini në arkë. Atëherë erdh përmbytja edhe i zhduki krejt. 28Edhe qysh ka qenë në ditët e Lotit: njerzt hajshin e pijshin, blejshin e shitshin, mbjellshin e ndërtojshin. 29Po ditën kur Loti doli pi Sodomës, ra zjarr e squfur si shi pi qiellit edhe i zhduki krejt. 30Qashtu ka me qenë edhe ditën kur Biri i njeriut të zbulohet.
31Kush atë ditë asht në kulm, po senet i ka në shpi, mos të zhdrypë me i marrë. Edhe kush asht jashtë në arë, mos të kthehet te ato që i ka lanë mbrapa. 32Kujtojeni grunë e Lotit. 33Kush mundohet me e rujtë jetën e vet, ka me e humbë, po kush e humb, ka me e rujtë. 34Po ju thom: atë natë dy veta kanë me qenë në nji shtrat, njoni ka me u marrë, e tjetri ka me u lanë. 35Dy gra kanë me blu në të njejtin mulli, njona ka me u marrë, e tjetra ka me u lanë.“ 36–– 37Atëherë nxansat e pytën: „Ku, Zotni?“ Aj tha: „Ku asht kufoma, aty mblidhen edhe shqiponjat.“