Luka 17
1 Masanej aj ju tha nxansave të vet: „Gjana që i shtyjnë njerzt me u pengu kanë me ardhë patjetër. Po mjerë aj përmes të cilit vijnë! 2 Ma mirë për të kish me qenë me ja varë nji gur mullini në qafë e me e gjujtë në det, sesa me e pengu njonin pi këtyne të vegjëlve. 3 Kini kujdes për veten. Nëse vllau yt bon gjynah, foli seriozisht, edhe nëse pendohet, fale. 4 Edhe nëse shtatë herë në ditë bon gjynah kundër teje, e shtatë herë kthehet te ti e thotë: ‘Po pendohem’, ti duhet me e falë.“
5 Atëherë apostujt i thanë Zotnisë: „Na e shto besimin.“ 6 Zotnia ju përgjigj: „Edhe nëse besimi juej kish me qenë veç sa nji kokërr sinapi, ju kishit me i thanë qitij mani të zi: ‘Shkulu me rrajë pi tokës edhe mbillu në det!’, edhe aj kish me ju ngu.
7 Ta zamë se njoni pi juve e ka nji shërbëtor, edhe aj kthehet pi ara mas plugimit a mas rujtjes së dhenve. Kush pi juve ka me i thanë: ‘Hajde menjiherë qitu edhe ulu në sofër’? 8 A nuk kishit me i thanë ma mirë: ‘Ma përgatit darkën, lidhe përparsen edhe m’shërbe derisa të ha e të pi, e masanej ha edhe pi ti’? 9 A ka me ju ndi borxhli shërbëtorit pse e ka kry detyrën që ju ka dhanë? 10 Qashtu edhe ju: kur t’i keni bo krejt qka ju asht urdhnu, thuni: ‘Na jemi shërbëtorë të pavlerë. E kemi bo veç detyrën tonë.’“
11 Rrugës për Jerusalem, aj ka kalu mes Samarisë edhe Galilesë. 12 Kur po donte me hy në nji katun, i dolën përpara dhjetë burra të smutë me lebër, po u nalën pak larg 13 edhe thirrën me za të madh: „Jezus, Mësues, ki dhimt për neve!“ 14 Kur aj i pa, ju tha: „Shkoni edhe paraqituni te priftërinjtë.“ E rrugës ata u shërun. 15 Njani pi tyne u kthy, kur e pa që ishte shëru, edhe me za të madh nisi me i dhanë lavdi Zotit. 16 Ra përmbys te kambët e Jezusit edhe e falënderoi. E aj ishte Samaritan. 17 Atëherë Jezusi pyti: „A nuk u shërun krejt të dhjetë? Ku janë pra nëntë të tjerët? 18 A s’u kthy kërkush tjetër me i dhanë lavdi Zotit, përveç qitij burri pi nji populli tjetër?“ 19 Pastaj i tha: „Çohu edhe shko. Besimi yt të ka shëru.“
20 Kur Farisenjtë e pytën kur ka me ardhë mbretnia e Zotit, aj ju përgjigj: „Mbretnia e Zotit nuk vjen në mënyrë të dukshme, që krejt me mujt me e pa. 21 Edhe nuk kanë me thanë: ‘Kqyrni qitu!’, a ‘Ja, atje asht!’ Se kqyrni, mbretnia e Zotit asht në mesin tuej.“
22 Masanej ju tha nxansave: „Ka me ardhë koha kur keni me pas qef me pa veç nji pi ditëve të Birit të njeriut, po s’keni me e pa. 23 Edhe njerzt kanë me ju thanë: ‘Kqyrni atje!’, a ‘Kqyrni qitu!’ Mos shkoni edhe mos vraponi mas tyne. 24 Se qysh rrufeja ndriçon pi nji anë e qiellit deri në anën tjetër, qashtu ka me qenë Biri i njeriut në ditën e vet. 25 Po së pari aj duhet me hjekë shumë edhe me u refuzu pi qikjo gjeneratë. 26 Qysh ka qenë në ditët e Noes, qashtu ka me qenë edhe në ditët e Birit të njeriut: 27 Njerzt hajshin, pijshin, martoheshin edhe i martojshin të tjerët, deri në ditën kur Noeja hini në arkë. Atëherë erdh përmbytja edhe i zhduki krejt. 28 Edhe qysh ka qenë në ditët e Lotit: njerzt hajshin e pijshin, blejshin e shitshin, mbjellshin e ndërtojshin. 29 Po ditën kur Loti doli pi Sodomës, ra zjarr e squfur si shi pi qiellit edhe i zhduki krejt. 30 Qashtu ka me qenë edhe ditën kur Biri i njeriut të zbulohet.
31 Kush atë ditë asht në kulm, po senet i ka në shpi, mos të zhdrypë me i marrë. Edhe kush asht jashtë në arë, mos të kthehet te ato që i ka lanë mbrapa. 32 Kujtojeni grunë e Lotit. 33 Kush mundohet me e rujtë jetën e vet, ka me e humbë, po kush e humb, ka me e rujtë. 34 Po ju thom: atë natë dy veta kanë me qenë në nji shtrat, njoni ka me u marrë, e tjetri ka me u lanë. 35 Dy gra kanë me blu në të njejtin mulli, njona ka me u marrë, e tjetra ka me u lanë.“ 36 –– 37 Atëherë nxansat e pytën: „Ku, Zotni?“ Aj tha: „Ku asht kufoma, aty mblidhen edhe shqiponjat.“