Gjoni 9
1 Rrugës, aj e pa nji burrë që ishte i verbët pi lindjes. 2 Nxansat e tij e pytën: „Rabi, kush ka bo gjynah që ky ka lindë i verbët, ky vetë a prindët e tij?“ 3 Jezusi ju përgjigj: „As ky s’ka bo gjynah, as prindët e tij, po ndodhi kështu që te ky me u pa qka mundet Zoti me bo. 4 Na duhet me i kry punët e Atij që më ka dërgu, derisa asht ditë. Po vjen nata, kur kërkush s’mundet me punu. 5 Sa të jem në botë, unë jom drita e botës.“ 6 Pasi i tha këto, aj pështyu në tokë, bani baltë me pështymë, ja leu sytë burrit 7 edhe i tha: „Shko lahu në pellgun Siloam“, që kur përkthehet domethanë „I Dërguem“. Burri shkoi, u la, edhe kur u kthye, mujke me pa.
8 Kojshitë e tij edhe njerzt që ma herët e kishin pa tu lypë lëmoshë, u çuditën: „A s’asht ky burri që rrinte gjithmonë ulë edhe lypte lëmoshë?“ 9 Do thojshin: „Po, ky asht“, të tjerët: „Jo, veç po i përngjan.“ Po burri thoshte me ngulm: „Unë jom.“ 10 Atëherë e pytën: „Qysh t’u çelën sytë?“ 11 Aj ju përgjigj: „Burri që quhet Jezus bani baltë edhe ma leu në sy. Pastaj më tha: ‘Shko te pellgu Siloam edhe lahu.’ Kështu shkova, u lava, edhe mujta me pa.“ 12 Ata deshtën me ditë: „Ku asht qaj njeri?“ Aj tha: „S’e kam idenë.“
13 Ata e çun te Farisenjtë burrin që ma herët kishte qenë i verbët. 14 E dita kur Jezusi kishte bo baltën edhe ja kishte çelë sytë burrit ishte sabat. 15 Tash edhe Farisenjtë e pytën qysh po mundet me pa. Aj ju shpjegoi: „Aj më qiti baltë në sy, pastaj u lava, edhe tash po shoh.“ 16 Do pi Farisenjve thanë: „Ky njeri nuk vjen pi Zotit, se nuk e mban sabatin.“ Të tjerët thojshin: „Qysh mundet nji gjynahqar me bo kësi shenjash?“ Kështu u përçanë mes veti. 17 Atëherë ju kthyn prapë të verbëtit: „Qka po thua ti për qit njeri? Se fundja, tuat janë sytë që i ka çelë.“ Burri tha: „Aj asht pejgamber.“
18 Po Judenjtë nuk besun që aj kishte qenë i verbët e tash po shihte, derisa i thirrën prindët e tij 19 edhe i pytën: „A asht ky djali juej, për të cilin thuni që ka lindë i verbët? Qysh po sheh tash pra?“ 20 Prindët e tij ju përgjigjën: „Na e dimë që ky asht djali jonë edhe që ka lindë i verbët. 21 Po qysh po sheh tash, nuk e dimë, edhe as nuk e dimë kush ja ka çelë sytë. Pytene atë. Aj asht mjaft i madh. Le të flet vetë për veti.“ 22 Prindët e tij thanë kështu pi frikës pi Judenjve. Se ata veç kishin vendosë që secilin që e pranonte Jezusin si Krisht, me e qitë jashtë sinagogës. 23 Për qata prindët e tij thanë: „Aj asht mjaft i madh. Pytene atë.“
24 Atëherë e thirrën për herë të dytë burrin që kishte lindë i verbët edhe i thanë: „Jepi lavdi Zotit! Na e dimë që ky njeri asht gjynahqar.“ 25 Aj ju përgjigj: „A asht gjynahqar, nuk e di. Nji sen e di: kam qenë i verbët, e tash po shoh.“ 26 Atëherë e pytën: „Qka t’ka bo? Qysh t’i ka çelë sytë?“ 27 Aj ju përgjigj: „Veç ju kallxova, po ju nuk nguat. Pse po doni me e ni prapë? A mos po doni edhe ju me u bo nxansat e tij?“ 28 Ata i folën me përbuzje: „Ti je nxansi i qati njeriu, kurse na jemi nxansa të Moisiut. 29 Për Moisiun e dimë që Zoti ka folë me të, po për qit njeri nuk e dimë pi kah asht.“ 30 Burri ju përgjigj: „Kjo përnime asht e çuditshme, që ju nuk e dini pi kah asht, e prapë aj m’i ka çelë sytë. 31 Na e dimë që Zoti nuk i ngon gjynahqarët, po nëse dikush i tutet Zotit edhe e bon vullnetin e tij, atë e ngon. 32 Pi se mbahet mend, kurrë s’asht ni që dikush ja ka çelë sytë nji njeriu që ka lindë i verbët. 33 Po t’mos kishte ardhë ky njeri pi Zotit, s’kish mujtë me bo kurgjo.“ 34 Ata ju përgjigjën: „Ti krejt je lindë në gjynah, e tash po don me na msu neve?“ Edhe e qitën jashtë!
35 Jezusi nivi që e kishin qitë jashtë, edhe kur e gjeti, e pyti: „A beson në Birin e njeriut?“ 36 Burri ju përgjigj: „Kush asht aj, Zotni, që me besu në të?“ 37 Jezusi i tha: „E ke pa, po, aj që po flet me ty asht.“ 38 Atëherë burri tha: „Besoj në të, Zotni“, edhe u përkul para tij. 39 Jezusi vazhdoi: „Unë kam ardhë në qit botë për gjykim, që ata që nuk shohin, me pa, e ata që shohin, me u bo të verbët.“ 40 Këtë e ninë Farisenjtë që ishin aty edhe e pytën: „A mos jemi edhe na të verbët?“ 41 Jezusi ju përgjigj: „Po t’ishit të verbët, s’kishit me pasë gjynah. Po masi po thuni: ‘Na shohim’, gjynahi juej mbetet.“