Danieli 6

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Mbretit Dari iu ka dok mirë me i caktu 120 satrapë nëpër krejt mbretninë.

2 Këta jonë konë nën tre zyrtarë të naltë, e njoni pi tyne u konë Danieli. Satrapët u dasht me ju dhanë llogari këtyne zyrtarëve, që mbreti mos me pasë humbje.

3 Me kohë, Danieli ka dalë ma i zoti se zyrtarët tjerë të naltë edhe satrapët, se në të u konë nji frymë e veçantë. Për qata mbreti ka dasht me e ngritë në detyrë edhe me ja dhanë përgjegjësinë për krejt mbretninë.

4 Atëherë zyrtarët e naltë edhe satrapët kanë nisë me lypë naj arsye me e akuzu Danielin për punën e tij si zyrtar. Po s’kanë mujt me gjetë kurrfarë arsyeje me e akuzu, as kurrfarë korrupsioni te aj, se aj u konë njeri i besës. S’kanë mujt me ja gjetë asnji pakujdesi a korrupsion.

5 Ata burra kanë thanë: “S’kemi me mujt me i gjetë kurrfarë faji këtij Danielit, veç nëse gjejmë diçka te ligji i Zotit të tij që mujmë me e përdorë kundër tij.”

6 Kështu, zyrtarët e naltë edhe satrapët kanë shku krejt bashkë te mbreti edhe i kanë thanë: “Rroftë përjetë mbreti Dari!

7 Krejt zyrtarët e mbretit, prefektët, satrapët, zyrtarët e naltë të mbretit edhe guvernatorët jonë marrë vesh bashkë me nxjerrë nji urdhën të mbretit edhe me e vu në fuqi nji ndalesë: Kushdo që brenda 30 ditëve i ban naj lutje cilitdo zot a njeriu tjetër, përpos teje, o mbret, ka me u hudhë në gropën e luanëve.

8 O mbret, nxirre tash këtë urdhën edhe nënshkruje, që mos me mujt me u ndrru, qysh e kërkon ligji i medëve edhe persëve, që s’mundet me u ndrru.”

9 Atëherë mbreti Dari e ka nënshkru urdhnin edhe ndalesën.

10 Sapo Danieli e ka marrë vesh që urdhni u nënshkru, ka shku në shpinë e vet. Dritaret e dhomës së tij nalt, nën kulm, jonë konë të hapuna kah Jerusalemi. Tri herë në ditë aj ka ra në gjunjë, i asht lutë Zotit edhe e ka lavdëru, qysh e ka pasë zakon me ba edhe ma përpara.

11 Atëherë ata burra kanë hi me të shpejtë edhe e kanë pa Danielin tu iu lutë Zotit të vet edhe tu e lutë për mirësi.

12 Pastaj kanë shku te mbreti edhe ia kanë kujtu ndalesën e mbretit: “A s’e ke nënshkru ti nji ndalesë që kushdo që brenda 30 ditëve i ban naj lutje cilitdo zot a njeriu tjetër, përpos teje, o mbret, ka me u hudhë në gropën e luanëve?” Mbreti u ka thanë: “Kjo punë asht e vendosun sipas ligjit të medëve edhe persëve, që s’mundet me u ndrru.”

13 Menjihere i kanë thanë mbretit: “Danieli, njoni pi atyne që jonë marrë robër pi Juda, s’të respekton as ty, o mbret, as ndalesën që e ke nënshkru, po vazhdon me u lutë tri herë në ditë.”

14 Kur e ka ni këtë, mbreti asht mërzitë shumë edhe ka nisë me lypë nji mënyrë qysh me e shpëtu Danielin. Deri në perëndim të diellit ka ba krejt qka ka mujt me e shpëtu.

15 Në fund, ata burra kanë dalë krejt bashkë përpara mbretit edhe i kanë thanë: “Dije, o mbret, që sipas ligjit të medëve edhe persëve, asnji ndalesë a urdhën i mbretit s’mundet me u ndrru.”

16 Atëherë mbreti ka dhanë urdhën. E kanë marrë Danielin edhe e kanë hudhë në gropën e luanëve. Mbreti i ka thanë Danielit: “Zoti yt, të cilit po i shërben pa u lëkundë, ka me të shpëtu.”

17 Pastaj e kanë sjellë nji gur edhe e kanë vu mbi grykën e gropës. Mbreti e ka vulosë gurin me unazën e vet me vulë edhe me unazat me vulë të fisnikëve të vet, që në rastin e Danielit mos me mujt me u ndrru kurgja.

18 Masanej mbreti ka shku në pallatin e vet edhe ka nejtë pa hangër krejt natën. S’ka dasht kurrfarë argëtimi edhe s’ka mujt me fjetë.

19 Sapo ka nisë me zbardhë dita, mbreti asht çu edhe ka vrapu te gropa e luanëve.

20 Kur i asht afru gropës, e ka thirrë Danielin me za të pikëllum edhe e ka pytë: “O Daniel, shërbëtor i Zotit të gjallë, a ka mujt Zoti yt, të cilit po i shërben pa u lëkundë, me të shpëtu pi luanëve?”

21 Danieli i ka kthy përgjigje meniherë: “Rrofsh përjetë, o mbret!

22 Zoti jem e ka çu engjëllin e vet edhe ua ka mbyllë gojën luanëve. Ata s’më kanë ba kurgja, se në sytë e tij jom i pafajshëm, edhe ty, o mbret, s’të kom ba kurrfarë të keqe.”

23 Mbreti u gëzu shumë edhe ka urdhnu me e nxjerrë Danielin pi gropës. Danielin e kanë nxjerrë pi gropës pa asnji lëndim, se aj i ka besu Zotit të vet.

24 Pastaj, me urdhën të mbretit, i kanë pru ata burra që e kanë akuzu Danielin edhe i kanë hudhë në gropën e luanëve bashkë me djemtë edhe gratë e tyne. Ende pa mbërri në fund të gropës, luanët ju kanë vërsulë edhe ua kanë grimcu krejt eshtnat.

25 Masanej mbreti Dari u ka shkru krejt popujve, kombeve edhe njerëzve të çdo gjuhe në krejt tokën: “Paqja ju shtoftë me bollëk!

26 Unë po jap urdhën që në çdo vend të mbretnisë teme, njerëzit me u dridhë pi frikës para Zotit të Danielit. Se aj asht Zoti i gjallë edhe ka me mbetë përgjithmonë. Mbretnia e tij s’ka me u shkatërru kurrë, edhe sundimi i tij ka me vazhdu përjetë.

27 Aj shpëton edhe çliron, ban shenja edhe mrekulli në qiell edhe në tokë, se aj e ka shpëtu Danielin pi kthetrave të luanëve.”

28 Kështu, Danielit i ka ecë mirë në mbretninë e Darit edhe në mbretninë e Kirit, persianit.