Efesianëve 4
1 Unë që jom në burg për shkak të Zotnisë, po ju lutem fort: Jetoni qysh i ka hije thirrjes që e keni marrë, 2 me krejt përulësi, butësi edhe durim. Durojeni njani-tjetrin me dashni, 3 edhe mundohuni seriozisht me e rujtë bashkimin e frymës në lidhjen e paqes që ju bashkon. 4 Ka veç nji trup edhe veç nji frymë, qysh edhe jeni thirrë në të njejtën shpresë, 5 nji Zotni, nji besim, nji pagëzim, 6 nji Zot edhe Atë i krejtve, që asht mbi krejt, përmes krejtve edhe në krejt.
7 Tash secilit pi neve i asht dhanë mirësi e pameritume, qysh Krishti e ka nda këtë dhuratë. 8 Sepse thuhet: „Kur hypi nalt, i mori robërit me veti. Dha njerz si dhurata.“ 9 Qka domethanë shprehja „kur hypi nalt“, përveç që aj edhe zhdrypi në vendet ma të poshtme, domethanë në tokë? 10 Aj që zhdrypi, asht po aj që hypi shumë ma nalt se krejt qiejt, që me i dhanë plotësi gjithçkaje.
11 Edhe aj i dha disa si apostuj, disa si pejgamberë, disa si shpallës të lajmit të mirë, disa si barinj edhe mësues, 12 që me i çu të shenjtit në udhën e duhun, që me ju shërby të tjerëve edhe që trupi i Krishtit me u ndërtu, 13 derisa të vijmë krejt te bashkimi në besim edhe në njohurinë e saktë për Birin e Zotit, derisa të bohemi nji burrë i rritun plotësisht edhe ta arrijmë masën që i përshtatet plotësisë së Krishtit. 14 Pra, mos të jemi ma fmi që i hedhin valët andej-këndej edhe që çdo erë mësimi i çon sa andej sa këndej, përmes lojës së rreme të njerzve, përmes dredhive mashtruese. 15 Përkundrazi, le ta flasim të vërtetën, edhe kështu me dashni të rritemi në çdo sen drejt atij që asht kreu, Krishti. 16 Pi aj krejt trupi asht i lidhun bashkë në harmoni, edhe përmes çdo nyje që e kryn punën e vet, gjithçka bashkëpunon. Kur secila pjesë e trupit punon si duhet, kjo ndihmon që trupi me u rritë edhe me u ndërtu në dashni.
17 Prandaj po thom edhe po dëshmoj në emën të Zotnisë: Mos jetoni ma qysh jetojnë kombet tjera, pa kuptim e pa mend. 18 Mendja e tyne asht e errësume, edhe jeta që i takon Zotit ju asht bo e huj për shkak të padijes së tyne edhe për shkak të zemrës së tyne pa ndjenja. 19 Masi e kanë humbë çdo ndjenjë morale, ata janë dhanë mas sjelljes së paturpshme, që me praktiku me lakmi çdo lloj papastërtie.
20 Po ju nuk e keni njoftë Krishtin kështu, 21 nëse përnime e keni ni edhe jeni mësu përmes tij, qysh asht e vërteta në Jezusin. 22 Ju keni mësu që duhet me e hjekë personalitetin e vjetër, që i takon mënyrës suej të mëparshme të jetesës edhe që prishet përmes dëshirave mashtruese. 23 Po ashtu duhet me u ripërtëri vazhdimisht në mënyrën e mendimit që mbizotëron në ju, 24 edhe me e veshë personalitetin e ri, që asht kriju simas vullnetit të Zotit në drejtësi të vërtetë edhe besnikëri.
25 Prandaj, masi e keni hjekë mashtrimin, secili pi jush le t’i flasë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi pjesë të nji trupi që i takojmë njani-tjetrit. 26 Nëse zemëroheni, mos bani gjynah. Mos e leni diellin me perëndu derisa hala jeni të nervozum. 27 Mos i jepni Djallit rast. 28 Kush vjedh, mos të vjedhë ma. Përkundrazi, le të punojë fort edhe le të bojë punë të mirë me duert e veta, që me pasë qka me i dhanë dikujt që ka nevojë. 29 Asnji fjalë e keqe mos të dalë pi goja juej, po veç ajo që i ndërton të tjerët simas nevojës. Kështu mundeni me ju dhanë të mirë atyne që ju ngojnë. 30 Edhe mos e pikëlloni frymën e shenjtë të Zotit, me të cilën jeni vulosë për ditën e çlirimit përmes shpërblesës.
31 Hjekni pi vetja çdo hidhni të keqe, mllef, zemërim, britma, sharje edhe çdo sen që lëndon. 32 Përkundrazi, silluni mirë me njani-tjetrin, jini me zemër të dhimbshme, faljani njani-tjetrit me zemërgjerësi, qysh edhe Zoti ju ka falë juve me zemërgjerësi përmes Krishtit.