Efesianëve 6

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Ju fmi, ngoni prindërit tuej qysh i përshtatet vullnetit të Zotnisë, sepse kjo asht e drejtë. 2 „Nderoje babën tand edhe nanën tande.“ Ky asht urdhnimi i parë me nji premtim: 3 „Që me të shku mirë edhe me mbetë gjatë në tokë.“ 4 Edhe ju etën, mos i provokoni fmitë tuej, po vazhdoni me i rritë simas disiplinës edhe udhëzimit të Jehovajt.

5 Ju robër, bindjuni zotnive tuej tokësorë si Krishtit, me frikë e dridhje edhe me sinqeritet që vjen pi zemra, 6 jo veç kur ju kqyrin, pra për me ju pëlqy njerzve, po si robër të Krishtit që e kryjnë vullnetin e Zotit me krejt shpirt. 7 Si robër, kini qëndrim të mirë, sikur po i shërbeni Jehovajt e jo njerzve. 8 Sepse e dini që secili që bon çfarëdo të mire, ka me e marrë prapë pi Jehovaj, qoftë rob a njeri i lirë. 9 Edhe ju zotni, silluni me robërit tuej në të njejtën mënyrë, edhe mos i kërcënoni. Sepse e dini që edhe ata, edhe ju, e keni të njejtin Zotni në qiell, edhe te aj s’ka mbajtje ane.

10 Në fund, vazhdoni me u forcu në Zotninë edhe në fuqinë e tij të madhe. 11 Veshni krejt armatimin e Zotit, që me mujtë me qëndru kundër sulmeve dinake të Djallit. 12 Sepse lufta jonë nuk asht kundër mishit e gjakut, po kundër qeverive, kundër autoriteteve, kundër sundimtarëve botërorë të këtij terri, kundër forcave frymore të këqija në vendet qiellore. 13 Prandaj merrni krejt armatimin e Zotit, që në ditën e keqe me mujtë me rezistu edhe, pasi t’i keni bo krejt senet, me qëndru fort.

14 Pra, qëndroni fort, me rripin e së vërtetës rreth belit, veshni parzmoren e drejtësisë, 15 edhe mbathni në kambë gatishmërinë për me e shpallë lajmin e mirë të paqes. 16 Përveç kësaj, merrni mburojën e madhe të besimit, me të cilën mundeni me i fikë krejt shigjetat e ndezuna të të Keqit. 17 Merrni edhe helmetën e shpëtimit edhe shpatën e frymës, fjalën e Zotit. 18 Në të njejtën kohë, vazhdoni me u lutë në çdo rast në frymë, me çdo lloj lutjeje edhe përgjërimi. Për këtë rrini zgjuet edhe përgjërohuni vazhdimisht për krejt të shenjtit. 19 Lutuni edhe për mu, që të më jepen fjalët e duhuna kur ta hapi gojën, që me folë me guxim edhe me e bo të njohun sekretin e shenjtë të lajmit të mirë, 20 për të cilin jom i dërgum në zinxhirë, edhe që të flas për të me guxim e hapur, qysh e kam detyrim.

21 Që edhe ju me ditë për mu, qysh jam, Tihiku, nji vlla i dashtun edhe shërbëtor besnik në Zotninë, ka me jau kallxu krejt. 22 Po e dërgoj te ju që ta merrni vesh qysh jemi, edhe që aj t’jua ngushëllojë zemrat.

23 Ju uroj vllaznive paqe edhe dashni me besim pi Zoti, Ati, edhe pi Zotnia Jezu Krisht. 24 Mirësia e pameritume qoftë me krejt ata që e dojnë Zotninë tonë Jezu Krisht me dashni që nuk prishet.