Esra 9
1 Sapo u krynë krejt këto punë, burrat që jonë në krye kanë ardhë te unë edhe më kanë thanë: „Populli i Izraelit, priftat edhe levitët s'jonë majtë larg pi popujve t'vendit edhe pi punëve t'tyne t'neveritshme, domethanë pi punëve t'kananitëve, hetitëve, perizitëve, jebusitëve, amonitëve, moabitëve, egjiptasve edhe amoritëve.
2 Ata kanë marrë gra për veti edhe për djemtë e vet pi vajzat e këtyne popujve. Kështu, pasardhësit e shenjtë jonë përzi me popujt e vendit. Burrat që jonë në krye edhe udhëheqësit ma t'ulët jonë konë të parët që kanë dhanë shembull t'keq me këtë pabesi.“
3 Sapo i kam ni këto fjalë, i kam shqy rrobat e mia, i kam shkulë flokët pi kryt edhe pi mjekrra, edhe jom ulë aty krejt i tronditun.
4 Krejt ata që kanë pasë respekt t'madh për fjalët e Zotit t'Izraelit, jonë mbledhë rreth meje për shkak t'pabesisë së atyne që u kthynë pi robnia. E unë kam nejtë ulë, krejt i tronditun, deri n'kohën e kurbanit t'drithit t'mbramjes.
5 Kur ka ardhë koha e kurbanit t'drithit t'mbramjes, jom çu pi vendi ku jom konë i përulun, me rrobat e mia t'shqyme. Jom ra n'gjunjë edhe i kam shtri duert kah Zoti jem, Jehova.
6 Kam thanë: „O Zoti jem, marre po m'vjen edhe s'po guxoj as me i çu sytë kah ti, o Zoti jem, se shkeljet tona jonë grumbullu mbi kryt tonë, e faji jonë ka mbërri deri n'qiell.
7 Qysh pi koha e t'parëve tonë e deri sot, na kemi marrë faj t'madh mbi veti. Për shkak t'shkeljeve tona, na, mbretat tonë edhe priftat tonë kemi ra n'duert e mbretave t'vendeve tjera. Kemi përfundu nën shpatë, n'robni, na kanë plaçkitë edhe na kanë turpnu. Qashtu asht edhe sot.
8 Po tash, o Jehova, Zoti jonë, për nji kohë t'shkurtë na ke tregu mirësi, se i ke lanë do pi nesh me shpëtu edhe na ke dhanë nji vend t'sigurt te vendi yt i shenjtë. Ti ke dashtë që sytë tanë me na shkëlqy, o Zoti jonë, edhe që me u gjallëru pak, edhe pse jemi n'robni.
9 Se edhe pse jemi rob, ti, o Zoti jonë, s'na ke lanë vetëm n'robni. Pi dashnisë tande besnike, ti i ke bo mbretat e Persisë me na pa me sy t'mirë. Kështu na ke ndihmu me u gjallëru prapë, që me e ndërtu shpinë e Zotit tonë pi rrënojat, edhe na ke dhanë nji mur mbrojtës n'Judë edhe n'Jerusalem.
10 E tash, o Zoti jonë, qka me thanë mas krejt këtyne? Se na i kemi lanë anash urdhnat e tu,
11 që na i ke dhanë përmes shërbëtorëve tu, profetëve. Ti ke thanë: ‚Vendi që keni me e marrë për veti asht nji vend i papastër, për shkak t'papastërtisë së popujve t'atij vendi edhe për shkak t'punëve t'tyne t'neveritshme. Ata e kanë mbushë krejt vendin me papastërti, pi nji skaj deri n'skajin tjetër.
12 Prandaj, mos ua jepni vajzat tuaja djemve t'tyne, as mos i merrni vajzat e tyne për djemtë tuaj. Edhe kurrë mos i ndihmoni me pasë paqe e me ju ecë mirë. Atëherë keni me u bo t'fortë, keni me i hangër t'mirat e atij vendi edhe keni me ua lanë atë vend djemve tuaj si trashëgim përgjithmonë.‘
13 E mas krejt atyne që na kanë ndodhë për shkak t'punëve tona t'këqija edhe fajit tonë t'madh, ti, o Zoti jonë, s'na ke trajtu qysh e kemi meritu për shkeljet tona. Përkundrazi, na ke lanë me shpëtu, neve që jemi këtu.
14 E tash, a me i thy prapë urdhnat e tu edhe me lidhë martesa me popuj që bojnë ksi punësh t'neveritshme? A s'kishe me u idhnu aq shumë me neve, sa me na zhdukë krejt, pa lanë asnji gjallë?
15 O Jehova, Zoti i Izraelit, ti je i drejtë, se nji pjesë pi nesh ka mbetë gjallë deri sot. E tash po dalim para teje me krejt fajin tonë, edhe pse mas krejt këtyne s'kemi kurrfarë t'drejte me qëndru para teje.“