Ezekiel 46
1 „Kështu thotë Zotnia Jehova, Sundimtari i krejtve: ‚Porta e oborrit të mbrendshëm, që asht e kthyeme kah lindja, duhet me nejtë e mshelun gjatë gjashtë ditëve të punës, po ditën e Sabatit edhe ditën e hanës së re duhet me u çelë.
2 Prijësi ka me hi pi jashtë përmes hajatit të portës edhe ka me u ndalë te shtylla e derës së portës. Priftat kanë me ia ofru kurbanin që digjet krejt n'zjarr edhe kurbanet e bashkësisë. Aj ka me u përkulë te pragu i portës, e masanej ka me dalë. Po porta s'duhet me u mshelë deri n'mramje.
3 Edhe populli i vendit ka me u përkulë para Jehovait te hymja e kësaj porte, ditëve të Sabatit edhe ditëve të hanës së re.
4 Kurbani që digjet krejt n'zjarr, që prijësi ka me ia ofru Jehovait ditën e Sabatit, duhet me pasë gjashtë qingja meshkuj pa të meta edhe nji dash pa të meta.
5 Kurbani i drithit duhet me konë nji efa për dashin, edhe për qingjat meshkuj aq sa ka mundësi me dhanë, bashkë me nji hin vaj për secilën efa.
6 Ditën e hanës së re, kurbani duhet me pasë nji dem të ri pa të meta pi tufa e gjedheve, gjashtë qingja meshkuj edhe nji dash. Krejt duhet me konë pa të meta.
7 Si kurban drithi, aj duhet me ofru nji efa për demin e ri edhe nji efa për dashin, e për qingjat meshkuj aq sa ka mundësi me dhanë. Për secilën efa duhet me ofru nji hin vaj.
8 Kur prijësi hyn mrena, duhet me hi përmes hajatit të portës edhe me dalë prapë pi e njajta rrugë.
9 Po kur populli i vendit vjen para Jehovait gjatë festave, ata që hyjnë përmes portës veriore për me adhuru, kanë me dalë përmes portës jugore. E ata që hyjnë përmes portës jugore, kanë me dalë përmes portës veriore. Kërkush s'guxon me u kthy përmes portës kah ka hi, po duhet me dalë përmes portës që asht përballë.
10 Prijësi që asht mes tyne ka me hi kur ata hyjnë, edhe ka me dalë kur ata dalin.
11 Gjatë festave edhe ditëve të festave, kurbani i drithit duhet me konë nji efa për demin e ri edhe nji efa për dashin, e për qingjat meshkuj aq sa ka mundësi me dhanë, bashkë me nji hin vaj për secilën efa.
12 Kur prijësi ia ofron Jehovait nji kurban që digjet krejt n'zjarr ose nji kurban bashkësie si dhuratë vullnetare, kanë me ia çelë portën që asht e kthyeme kah lindja. Aj ka me i bo gati kurbanin që digjet krejt n'zjarr edhe kurbanet e bashkësisë, qysh i bon ditën e Sabatit. Masi të dalë, porta duhet me u mshelë.
13 Çdo ditë duhet me siguru nji qingj mashkull pa të meta, që s'i ka ma shumë se nji vjet, si kurban që digjet krejt n'zjarr për Jehovain. Çdo sabah duhet me e bo gati.
14 Bashkë me të, çdo sabah duhet me bo gati edhe nji të gjashtën e nji efe si kurban drithi, bashkë me nji të tretën e nji hini vaj për me e stërpikë miellin e mirë. Ky asht kurbani i rregullt i drithit për Jehovain. Ky rregull ka me vlejtë përgjithmonë.
15 Çdo sabah duhet me u bo gati qingji mashkull, kurbani i drithit edhe vaji, si kurban i rregullt që digjet krejt n'zjarr.‘
16 Kështu thotë Zotnia Jehova, Sundimtari i krejtve: ‚Nëse prijësi i falë ndonjonit pi djemve të vet nji pjesë pi trashëgimisë së vet, ajo ka me u bo pronë e djemve të tij. Ajo asht trashëgimia e tyne.
17 Po nëse aj i falë ndonjonit pi shërbëtorëve të vet nji pjesë pi trashëgimisë së vet, ajo ka me i taku atij shërbëtori deri n'vitin e lirimit. Masanej ka me iu kthy prijësit. Veç djemtë e tij kanë me e pasë trashëgiminë përgjithmonë.
18 Prijësi s'guxon me e qitë me zor asnji njeri pi popullit pi pronës së vet, për me ia marrë trashëgiminë. Djemve të vet duhet me ju dhanë trashëgimi pi tokës së vet, që kërkush pi popullit tem mos me u dëbu pi pronës së vet.‘“
19 Masanej aj më çoi përmes kalimit ngat portës, që çonte te dhomat e shenjta për me hangër të priftave n'anën veriore. Aty, n'fund kah perëndimi, e pashë nji vend.
20 Aj më tha: „Ky asht vendi ku priftat kanë me i zi kurbanet për faj edhe kurbanet për gjynah, edhe ku kanë me e pjekë kurbanin e drithit. Kështu s'kanë me nxjerrë kurgjo n'oborrin e jashtëm, që mos me ia kalu shenjtërinë popullit.“
21 Masanej aj më nxori n'oborrin e jashtëm edhe më çoi përreth katër qosheve të oborrit. E unë e pashë që n'secilen qoshe të oborrit të jashtëm kishte nga nji oborr.
22 N'katër qoshet e oborrit ishin oborre të vogla, dyzet kutë të gjata edhe tridhjetë kutë të gjana. Krejt katër oborret ishin të njajtës madhësi.
23 Secili pi katër oborreve e kish nji mur përreth, e poshtë atij muri ishin ndërtu vende për me i zi kurbanet.
24 Atëherë aj më tha: „Këto jonë kuzhinat ku shërbëtorët e tempullit kanë me i zi kurbanet e popullit.“