Ezekiel 6
1 Prapë m'ka ardhë nji porosi pi Jehovait. Ajo thoshte:
2 «O bir i njeriut, ktheje ftyrën kah malet e Izraelit edhe profetizo kundër tyne.
3 Thuju: ‘O male t'Izraelit, ndëgjoni fjalët e Zotit Sovran Jehova: Kështu u thotë Zoti Sovran Jehova maleve, kodrave, përrenjve edhe luginave: “Unë kam me pru shpatën kundër juve edhe kam me i shkatërru vendet tuja t'nalta.
4 Altarët tuaj kanë me u rrëzu edhe mbajtëset e temjanit kanë me u thy. Ata që kanë me u vra prej jush, unë kam me i gjujtë përpara idhujve tuaj t'neveritshëm.
5 Trupat e vdekun t'popullit t'Izraelit kam me i gjujtë përpara idhujve t'neveritshëm të tyne, edhe eshtnat tuja kam me i shpërnda rreth altarëve tuaj.
6 Kudo që jetoni, qytetet kanë me u shkatërru, edhe vendet e nalta kanë me u rrëzu e me mbetë t'shkreta. Altarët tuaj kanë me u rrëzu e me u ba copë, idhujt tuaj t'neveritshëm kanë me u zhdukë, mbajtëset e temjanit kanë me u rrëzu, edhe krejt punët që i keni ba kanë me u shkatërru.
7 Ata që kanë me u vra kanë me mbetë t'shtrimë mes jush, edhe ju keni me e kuptu që unë jom Jehovai.
8 Po unë kam me lanë nji pjesë pi juve gjallë, se disa pi juve kanë me i shpëtu shpatës mes popujve, kur të shpërndaheni gjithkah.
9 Edhe ata që kanë me shpëtu, kanë me m'kujtu mu mes popujve ku kanë me i çu si robër. Atëherë kanë me e kuptu që ma kanë thy zemrën me zemrën e tyne pabesnike, që u largu pi meje, edhe me sytë e tyne që lakmojnë idhujt e neveritshëm. Kanë me pasë marre edhe kanë me u neveritë pi krejt t'kqijave edhe gjanave t'neveritshme që i kanë ba.
10 Edhe kanë me e kuptu që unë jom Jehovai, edhe që s'ju kom folë veç fjalë t'kota kur i kom paralajmëru për këtë fatkeqësi.”’
11 Kështu thotë Zoti Sovran Jehova: ‘Përplasi duart edhe shkeli kambët për toke, edhe vajto për krejt t'kqijat edhe gjanat e neveritshme që i ka ba populli i Izraelit, se ata kanë me ra pi shpata, uria edhe murtaja.
12 Kush asht larg, ka me vdekë pi murtajës. Kush asht afër, ka me ra pi shpatës. E kush u shpëton këtyne dyjave edhe mbetet gjallë, ka me vdekë pi urisë. Kështu unë kam me e derdhë krejt zemërimin tem mbi ta.
13 Edhe kanë me e kuptu që unë jom Jehovai, kur ata që janë vra kanë me mbetë t'shtrimë mes idhujve t'neveritshëm të tyne, rreth altarëve t'tyne, n'çdo kodër t'naltë, n'krejt majat e maleve, nën çdo pemë t'bujshme edhe nën degët e pemëve t'mdhaja, aty ku u kanë ofru kurbane me erë t'mirë krejt idhujve t'neveritshëm për me i qetësu.
14 Unë kam me e shtri dorën kundër tyne edhe kam me e shkretu vendin. Krejt vendet ku jetojnë kanë me u ba edhe ma t'shkreta se shkretëtina afër Diblës. Edhe kanë me e kuptu që unë jom Jehovai.’»