Filipianëve 1

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Pali edhe Timoteu, shërbëtorë të Krishtit Jezus, krejt të shenjtëve në Filipi, që janë të lidhun me Krishtin Jezus, bashkë me mbikqyrësit edhe shërbëtorët ndihmës:

2 Ju urojmë mirësi të pameritume edhe paqe pi Zotit, Atit tonë, edhe pi Zotnisë Jezu Krisht.

3 E falënderoj Zotin tem sa herë që mendoj për ju, 4 gjithmonë kur i lutna Zotit për krejt ju. Çdo përgjërim e boj me gëzim, 5 sepse pi ditës së parë e deri tash keni dhanë kontribut për lajmin e mirë. 6 Se jom i sigurt që Aj që ka nisë nji punë të mirë te ju, ka me e çu deri në fund deri në ditën e Krishtit Jezus. 7 Asht veç e drejtë me mendu kështu për krejt ju. Se ju kam në zemër, ju që bashkë me mu keni pjesë në mirësinë e pameritume, edhe kur jom në pranga, edhe kur po e mbroj e po e forcoj ligjërisht lajmin e mirë.

8 Zoti asht dëshmitari jem sa shumë malli po m’merr për krejt ju, me po qat dashni të thellë që e ka Krishti Jezus. 9 Edhe vazhdoj me u lutë që dashnia juej, bashkë me njohni të saktë edhe me krejt aftësinë për me dallu, të shtohet edhe ma shumë, 10 që ju me provu qka asht përnime me randësi, që deri në ditën e Krishtit me qenë pa t’meta edhe mos me i pengu tjerët, 11 edhe që me qenë të mbushun me frytin e drejtësisë, që vjen përmes Jezu Krishtit, për lavdi edhe lavdërim të Zotit.

12 Tash du me ju kallxu, vllazën, që gjendja jeme bile e ka çu përpara përhapjen e lajmit të mirë, 13 sepse krejt roja pretoriane edhe krejt tjerët e kanë marrë vesh që jom në pranga për shkak të Krishtit. 14 Për shkak të prangave të mia, shumica e vllaznive në Zotninë kanë marrë zemër, edhe tash kanë edhe ma shumë guxim me folë pa frikë për fjalën e Zotit.

15 Vërtet, do po e predikojnë Krishtin pi zilisë edhe garës, po do tjerë e bojnë pi arsye të mira. 16 Ata po e shpallin Krishtin pi dashnisë, se e dinë që unë jom caktu me e mbrojtë lajmin e mirë. 17 Po të parët e bojnë pi grindjes, e jo me motiv të pastër. Ata kanë për qëllim me m’qitë telashe derisa jom në pranga. 18 E qka del pi krejt kësaj? Veç që Krishti po shpallet në çdo mënyrë, qoftë për sy e faqe a përnime. Edhe për këtë po gëzohem. Po, kam me vazhdu me u gëzu, 19 sepse e di që kjo, përmes përgjërimit tuej edhe me ndihmën e frymës së Jezu Krishtit, ka me çu te shpëtimi jem. 20 Jom i sigurt edhe shpresoj që s’kam me u marrosë në asnji sen, po kam me folë pa frikë, edhe Krishti ka me u madhnu përmes trupit tem, qysh edhe deri tash, qoftë me jetu a me dekë.

21 Se për mu vlen kjo: nëse jetoj, jetoj për Krishtin, e nëse vdes, asht fitim. 22 Nëse vazhdoj me jetu në trup, puna jem mundet me vazhdu me dhanë fryt, po nuk po e kallxoj qka kisha zgjedhë. 23 Jom i ndamë mes këtyne dyjave. Kam dëshirë për lirimin edhe me qenë bashkë me Krishtin, se kjo pa dyshim asht shumë ma mirë. 24 Po për ju asht ma e nevojshme që unë me mbetë hala në trup. 25 Për këtë jom i sigurt edhe e di që kam me mbetë e kam me vazhdu me krejt ju, për përparimin tuej edhe për gëzimin tuej në besim, 26 që gëzimi juej në Krishtin Jezus me u shtu edhe ma shumë për shkak temin, kur të jem prapë me ju.

27 Veç silluni në nji mënyrë që i ka hije lajmit të mirë për Krishtin. Atëherë, a vij e ju shoh, a jom larg, kam me ni për ju edhe kam me marrë vesh që po qëndroni fort në nji frymë të vetme, që po luftoni bashkë krah për krah për besimin e lajmit të mirë 28 edhe që nuk po frikësoheni në asnji mënyrë pi kundërshtarëve tuej. Pikërisht kjo për ta asht dëshmi që kanë me u shkatërru, kurse për ju që keni me u shpëtu; edhe kjo vjen pi Zotit. 29 Se juve ju asht dhanë privilegji jo veç me besu në Krishtin, po edhe me hjekë për të. 30 Ju po e boni të njejtën luftë që e keni pa te unë. Edhe qysh po neni tash, unë hala po e boj.