Filipianëve 2

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Nëse pra ka naj inkurajim në Krishtin, naj ngushëllim pi dashnisë, naj bashkësi frymore, naj dashni të thellë a naj dhimt, 2 atëherë bone gëzimin tem të plotë, tu mendu njajtë, tu pasë të njejtën dashni, tu qenë krejt të bashkum edhe tu pasë mendjen te i njejti sen. 3 Mos boni kurgjo pi grindjes a pi egoizmit, po me përulësi tjerët mbani ma nalt se veten. 4 Mos kqyrni veç interesat e juja, po edhe interesat e tjerëve.

5 Majeni qit mendim mrena vetes, qysh e ka pasë edhe Krishti Jezus. 6 Edhe pse aj ekzistonte në formë të Zotit, nuk i shkoi mendja hiç me tentu me qenë i barabartë me Zotin. 7 Jo, përkundrazi, aj hoqi dorë pi krejt qka kishte, e mori formën e nji shërbëtori edhe u bo njeri. 8 Edhe ma shumë: kur erdh si njeri, aj e uli veten edhe u bo i bindun deri në vdekje, po, deri në vdekje në shtyllë mundimi. 9 Pikërisht për qit arsye, Zoti e ngriti në nji pozitë ma të naltë edhe me mirësi ja dha emnin që asht mbi çdo emën tjetër, 10 që në emnin e Jezusit secili me u përkulë në gjunjë, qoftë në qiell, në tokë a nën tokë, 11 edhe secili me pranu hapur që Jezu Krishti asht Zotni, për lavdi të Zotit, Atit.

12 Prandaj, të dashtunit e mi, qysh keni qenë gjithmonë të bindun, jo veç kur isha unë aty, po tash edhe ma shumë kur s’jom aty, vazhdoni me punu për shpëtimin tuej me tutë e me dridhje. 13 Se Zoti asht aj që ju jep edhe dëshirën edhe fuqinë me bo atë që i pëlqen atij. 14 Vazhdoni me bo krejt senet pa u anku edhe pa kundërshtu, 15 që me u tregu të pastër e të pafajshëm, fmi të Zotit pa t’meta, që ndriçojnë si dritëdhënës në botë, në mes të nji gjenerate të shtremtë e të prishun. 16 Ndërkohë kapuni fort për fjalën e jetës. Atëherë në ditën e Krishtit kam me pasë arsye me u gëzu, se s’kam vrapu kot e as s’kam punu randë kot. 17 Po edhe nëse derdhna si kurban pije mbi kurbanin edhe shërbimin e shenjtë ku ju ka çu besimi juej, jom i lumtun edhe gëzohem me krejt ju. 18 Edhe ju jini të lumtun edhe gëzohuni me mu.

19 Tash shpresoj në Zotninë Jezus që së shpejti me mujtë me jau dërgu Timoteun, që edhe unë me marrë zemër kur të ni diçka për ju. 20 Se s’kam kërkon tjetër që e ka të njejtin mendim si aj, e që ka me u kujdes përnime për punët tueja. 21 Krejt tjerët po i lypin interesat e veta, e jo ato të Jezu Krishtit. 22 Po ju e dini sa mirë e ka dëshmu veten aj, që si fmi me babën ka punu randë me mu për me e çu përpara lajmin e mirë. 23 Për qata shpresoj me e dërgu, sapo ta shoh qysh ka me shku puna me mu. 24 Po kam besim në Zotninë që edhe unë kam me ardhë së shpejti.

25 Po për tash po e shoh të nevojshme me jau dërgu Epafroditin, vllaun tem, bashkëpunëtorin edhe bashkëluftëtarin tem, të dërguemin tuej edhe shërbëtorin personal për nevojat e mia. 26 Se aj ka shumë mall me ju pa krejt juve, edhe asht i mërzitun, se keni ni që ishte smu. 27 Përnime u smu, gati sa s’vdiq. Po Zoti pati dhimt për të, e jo veç për të, po edhe për mu, që mos me pasë mërzi mbi mërzi. 28 Prandaj po e dërgoj te ju sa ma shpejt që muj. Kur ta shihni, keni me u gëzu prapë, edhe unë kam me pasë ma pak marak. 29 Prandaj pritne me krejt gëzim, si zakonisht në Zotninë. Edhe vazhdoni me i nderu burrat si ky, 30 se aj gati vdiq për shkak të veprës së Krishtit. E rrezikoi jetën e vet për me e plotësu mungesën tuej, se ju s’ishit qitu me m’shërby personalisht.