Fjalët të urta 11
1 Peshorja e rregullume me hile asht e neveritshme
për Jehovain, po pesha e saktë e gëzon.
2 Kur njeriu bohet mendjemadh, mas saj vjen turpi,
po mençunia asht te ata që janë modestë.
3 Njerëzit e drejtë i udhëheq ndershmënia e tyne, po
t'pabesët kanë me u shkatërru pi dredhive t'veta.
4 Ditën e zemërimit, pasunia s'ka me vlejtë kurgjo,
po drejtësia ka me shpëtu pi vdekjes.
5 Drejtësia e njeriut t'pafajshëm ia rrafshon rrugën, po i
keqi ka me ra për shkak t'keqes së vet.
6 Njerëzit e drejtë kanë me shpëtu falë drejtësisë së vet, po
t'pabesët kanë me u nxanë n'kurth pi dëshirat e veta.
7 Kur vdes nji njeri i keq, i vdes edhe shpresa, e
zhduken edhe shpresat që i ka pasë te fuqia e vet.
8 Njeriu i drejtë shpëton pi hallit,
e n'vend t'tij hyn i keqi.
9 Njeriu që e ka braktisë besimin e shkatërron tjetrin me
fjalët e veta, po dija i shpëton njerëzit e drejtë.
10 Pi mirësia e njerëzve t'drejtë, qyteti gëzohet,
e kur vdesin t'këqijtë, njerëzit brohorasin.
11 Bekimi i njerëzve t'drejtë e naltëson qytetin,
po goja e t'këqijve e rrënon.
12 Kush s'ka mend, e përbuz tjetrin, po kush din
me i dallu mirë senet, rrin pa folë.
13 Ai që shpif, sillet gjithkah e i kallxon senet që i kanë besu
fshehtas, po kush asht i besueshëm, din me i rujtë për vete.
14 Pa udhëzim t'mençëm, populli ka me ra,
po kur ka shumë këshilltarë, ka sukses.
15 Kush bohet garant për nji t'huej, pa tjetër ka me e pasë punën keq, po
kush nuk pranon me u lidhë me premtim përmes shtrëngimit t'dorës, rrin i sigurt.
16 Nji grue e dashun fiton respekt, po burrat
pa pikë ndërgjegje e marrin pasuninë me zor.
17 Kush sillet mirë me tjerët, ia bon mirë edhe
vetes, po kush asht mizor, ia sjell vetes telashet.
18 Njeriu i keq fiton nji shpërblim mashtrues, po
kush mbjell drejtësi, ka me marrë shpërblim t'vërtetë.
19 Kush i rrin fort drejtësisë, ka shpresë me jetu,
po kush vrapon mas t'keqes, ka me përfundu n'vdekje.
20 Jehovai i ka neveri njerëzit që e kanë zemrën me hile,
po i gëzohet atyne që jetojnë drejt e pa hile.
21 Ji i sigurt:
Njeriu i keq s'ka me shpëtu pa u dënu, po fëmijtë e njeriut t'drejtë kanë me shpëtu.
22 Si nji unazë ari n'hundë t'derrit, ashtu asht
nji grue e bukur që s'e pranon arsyen.
23 Ajo që e dëshirojnë njerëzit e drejtë, çon te e
mira, po ajo që e shpresojnë t'këqijtë, sjell zemërim.
24 Njoni jep me dorë t'hapët e n'fund ka edhe ma shumë, tjetri e mban
për vete atë që duhet me e dhanë, po n'fund mbetet i vorfën.
25 Njeriut dorëlirë ka me i shku mirë, e kush
i freskon tjerët, ka me u fresku edhe vetë.
26 Kush e nal drithin për vete, populli ka me e
mallku, po kush e shet, populli ka me e beku.
27 Kush mundohet fort me bo mirë, mundohet me fitu pëlqim, po kush
kërkon me bo keq, e keqja ka me i ra mbi kry.
28 Kush mbështetet te pasunia e vet, ka me ra, po
njerëzit e drejtë kanë me lulëzu si gjethet e gjelbra.
29 Kush ia sjell telashet familjes së vet, ka me trashëgu veç erë, e aj
që s'ka mend, ka me i shërby atij që e ka zemrën e mençme.
30 Fryti i njeriut t'drejtë asht nji pemë e jetës,
e kush i fiton shpirtrat, asht i mençëm.
31 Nëse edhe njeriu i drejtë e merr shpërblimin e vet këtu n'tokë,
sa ma shumë ka me e marrë i keqi edhe mëkatari!