Fjalët të urta 13
1 Nji djalë i mençëm e pranon edukatën e babës së
vet, po aj që tallet s'ia vë veshin kritikës.
2 Pi frytit të gojës së vet, njeriu ka me hanger t'mira, po
dëshira e atyne që s'e mbajnë besën asht me bo dhunë.
3 Kush e ruan gojën e vet, e mbron jetën e vet,
po kush e çel gojën tepër, e çon veten n'shkatërrim.
4 Përtaci ka dëshira, po s'ka kurgjo, kurse
punëtori ka me u ngopë tamam.
5 Njeriu i drejtë i urren rrenat, po njeriu i keq,
me punët e veta, i sjell vetes marre e turp.
6 Drejtësia e mbron atë që s'ka faj n'rrugën
e vet, po ligësia e rrëzon gjynahqarin.
7 Njoni shtiret si i pasun, po s'ka kurgjo, kurse
tjetri shtiret si fukara, po ka pasuni sa t'dush.
8 Pasunia e t'pasunit asht si nji çmim që e pagun për
me e shpëtu jetën e vet, po fukaraja as nuk kërcënohet.
9 Drita e njerëzve t'drejtë ndriçon fort, po llampa
e njerëzve t'këqij ka me u fikë.
10 Mendjemadhësia sjell veç grindje, po kush
lyp këshillë asht i mençëm.
11 Pasunia që fitohet shpejt ka me u pakësu, po pasunia
që mblidhet pak ka pak ka me u shtu.
12 Kur shpresa s'plotësohet për nji kohë t'gatë, zemra sëmuret, po
kur t'plotësohet dëshira, asht si nji dru i jetës.
13 Kush e përbuz udhëzimin, ka me e pagu shtrenjtë,
po kush e respekton ligjin, ka me u shpërbly.
14 Udhëzimi i njeriut t'mençëm asht burim
jete, të ruan pi kurtheve t'dekës.
15 Kuptimi i thellë t'sjell respekt, po rruga e
atyne që s'e mbajnë besën asht e randë.
16 Nji njeri i mençëm e din qka po bon, po
aj që s'ka mend e kallxon budallakinë e vet.
17 Nji lajmëtar i keq futet n'probleme, po
nji i dërgum besnik sjell shërim.
18 Kush s'ia vë veshin edukatës, përfundon n'fukarallëk e turp,
po kush e pranon qortimin, ka me u nderu.
19 Kur nji dëshirë t'plotësohet, kjo t'jep gëzim, po budalla
e urren me u largu pi së keqes.
20 Kush ecë me njerëz t'mençëm, ka me u bo i mençëm, po
kush shoqnohet me ata që s'kanë mend, ka me hjekë keq.
21 Gjynahqarët i ndjek fatkeqësia, po njerëzit
e drejtë shpërblehen me pasuni.
22 Nji njeri i mirë ua len trashëgiminë nipave e mbesave
t'vet, po pasunia e gjynahqarit ruhet për njeriun e drejtë.
23 Ara e lavrume e fukarasë jep shumë ushqim,
po padrejtësia munet me ia marrë atë.
24 Kush e kursen shkopin e vet, e urren djalin e
vet, po kush e don djalin, e edukon me kujdes.
25 Njeriu i drejtë han edhe e shuan uninë,
po barku i njerëzve t'këqij mbetet zbrazët.