Fjalët të urta 14
1 Gruaja që asht taman e mençme e ndërton shpinë e vet,
po ajo që s'ka mend, e rrënon me duert e veta.
2 Kush ecë drejt e pa hile n'rrugën e vet, ka respekt
t'madh për Jehovain, po kush ecë rrugëve t'shtrembta, e përbuz atë.
3 Shkopi i mendjemadhësisë asht n'gojën e budallës,
po t'mençmit i rujnë buzët e veta.
4 Ku s'ka qe, grazhdi asht i pastër, po me
fuqinë e kaut vjen nji korrje e madhe.
5 Nji dëshmitar besnik nuk rren, po nji
dëshmitar i rrejshëm rren me çdo frymë.
6 Tallësi e kërkon mençuninë, po s'e gjen, kurse
njeriu që kupton, e fiton dijen lehtë.
7 Rri larg njeriut që s'ka mend, se
n'gojën e tij s'ke me gjetë dije.
8 Mençunia e ndihmon njeriun e zgjuet me kuptu ku po e çon rruga
e vet, po ata që s'kanë mend mashtrohen pi budallakisë së vet.
9 Budallenjtë tallen me fajin, po njerëzit e
drejtë janë t'gatshëm me u pajtu.
10 Secila zemër e din dhimtën e vet, e gëzimin e
saj s'munet me e nda askush tjetër me të.
11 Shpia e t'këqijve ka me u shkatërru, po
çadra e njerëzve t'drejtë ka me lulëzu.
12 Ka nji rrugë që njeriut i doket e
drejtë, po n'fund ajo e çon n'vdekje.
13 Edhe kur qesh, zemra munet me ndje
dhimtë, e gëzimi munet me përfundu n'mërzi.
14 Kush largohet pi rruga e drejtë n'zemrën e vet, ka me i bartë
pasojat, po njeriu i mirë ka me u shpërbly për mënyrën qysh vepron.
15 Nji njeri naiv i beson çdo fjale, po
njeriu i zgjuet e mendon mirë çdo hap.
16 Njeriu i mençëm asht i kujdesshëm edhe i largohet t'keqes,
po budalla s'e kontrollon veten edhe ka tepër besim n'vete.
17 Kush nevrikoset shpejt, vepron pa mend, po atë
që i mendon mirë senet, e urrejnë.
18 Njerëzit naivë kanë me trashëgu budallaki, po njerëzit
e zgjuet kanë me u kurorëzu me dije.
19 Njerëzit e këqij kanë me u përkulë para t'mirëve, e
t'këqijtë kanë me u përkulë te dyert e njerëzve t'drejtë.
20 Njeriun e vorfën e urrejnë edhe njerëzit e
vet, po i pasuni ka shumë shokë.
21 Kush e përbuz tjetrin, bon mëkat, po
lum aj që ka dhimtë për t'dobtët.
22 A nuk e hupin rrugën ata që bojnë plane t'këqija?
Po ata që janë t'vendosun me bo mirë, kanë me përjetu dashni besnike edhe besnikni.
23 Çdo punë e randë sjell fitim, po
veç me folë, njeriu mbetet i vorfën.
24 Kurora e t'mençmëve asht pasunia e tyne, po budallakia
e atyne që s'kanë mend, asht veç budallaki.
25 Nji dëshmitar i ndershëm shpëton jetë, po
nji i pandershëm rren me çdo frymë.
26 Kush ka respekt t'madh për Jehovain, ka besim t'fortë, e
ky respekt ka me qenë strehë për fëmijtë e tij.
27 Respekti i madh për Jehovain asht burim i
jetës, e t'ruen pi kurthet e vdekjes.
28 Nji popull i madh asht lavdia e mbretit, po
pa njerëz që i sundon, sundimtari merr fund.
29 Kush nuk nevrikoset shpejt, din me i dallu shumë mirë
senet, po kush s'ka durim, e tregon budallakinë e vet.
30 Nji zemër e qetë e mban trupin
gjallë, po xhelozia t'i han gjymtyrët.
31 Kush e mashtron njeriun e dobët, e fyen Atë që e
ka kriju, po kush ka dhimtë për t'vorfnin, e lavdëron Zotin.
32 Njeriu i keq ka me ra për shkak t'keqes së vet,
po njeriu i drejtë gjen mbrojtje te ndershmënia e vet.
33 Mençunia rrin e qetë n'zemrën e njeriut që
kupton, po te budallenjtë ajo del n'shesh.
34 Drejtësia e bon nji komb t'madh, po
mëkati asht turp për nji popull.
35 Mbreti gëzohet me nji shërbëtor që merr vesh, po zemërimi
i tij bie mbi atë që sillet me turp.