Fjalët të urta 26

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Qysh bora s'i ka hije verës, e shiu kohës
së korrjes, qashtu as nderi s'i ka hije budallës.

2 Qysh zogu ka arsye me ikë, e dallëndyshja me
fluturu, qashtu edhe mallkimi ka gjithmonë nji arsye t'vërtetë.

3 Kamxhiku asht për kalin, freri për gomarin,
e shkopi për shpinën e budallenjve.

4 Mos iu përgjigj budallës sipas budallakisë së tij, që
mos me u bo edhe ti si aj.

5 Përgjigju budallës sipas budallakisë së tij, që
mos me mendu se asht i mençëm.

6 Kush ia len nji punë n'dorë budallës, asht si ai që
i gjymton kambët e veta edhe i bon dëm vetes.

7 Qysh kambët e lëshume t'nji njeriu çalaman, qashtu
asht nji fjalë e urtë n'gojën e budallenjve.

8 Qysh me e lidhë nji gur n'hobe, qashtu
asht me i dhanë nder nji budalle.

9 Qysh nji degë me therra n'dorë t'nji t'dehuni, qashtu
asht nji fjalë e urtë n'gojën e budallenjve.

10 Qysh nji harktar që i plagos tjerët pa dallim, qashtu asht
dikush që e merr n'punë nji budallë a nji kalimtar.

11 Qysh qeni kthehet te t'vjellat e veta,
qashtu budalla e përsërit budallakinë e vet.

12 A e ke pa dikon që e mban veten për t'mençëm?
Për nji budallë ka ma shumë shpresë se për të.

13 Përtaci thotë:
„N'rrugë ka nji luan t'ri, nji luan asht n'shesh!“

14 Qysh dera sillet vazhdimisht n'menteshat e veta,
qashtu edhe përtaci sillet n'shtratin e vet.

15 Përtaci e fut dorën n'enën e ushqimit t'gostisë, po mandej
lodhet tepër me e çu dorën prapë te goja.

16 Përtaci e mban veten ma t'mençëm se shtatë
njerëz që japin nji përgjigje me mend.

17 Qysh nji njeri që e kap qenin për veshë, qashtu asht aj që
kalon atypari e nevrikoset për nji grindje që s'ka lidhje me të.

18 Qysh nji i çmendun që gjuan me sene t'zjarrta, shigjeta e vdekje,

19 qashtu asht njeriu që e mashtron tjetrin e thotë:
„Veç hajgare bona!“

20 Ku s'ka dru, zjarri fiket, e
ku s'ka shpifës, grindja pushon.

21 Qysh qymyri mbi gacat e ndezuna e drutë mbi
zjarr, qashtu asht njeriu grindavec që e nxit sherrin.

22 Fjalët e shpifësit janë si kafshata t'shijshme.
Njeriu i përpin e i çon drejt n'bark.

23 Qysh nji shtresë argjendi mbi nji copë ene pi balte, qashtu
janë fjalët e dashuna që dalin pi nji zemër e keqe.

24 Kush i urren tjerët, e mshef urrejtjen me
fjalët e veta, po përbrenda asht plot hile.

25 Edhe nëse flet mirë, mos i beso, se
n'zemrën e tij ka shtatë sene t'neveritshme.

26 Edhe nëse e mshef urrejtjen e vet me hile, e keqja
e tij ka me dalë n'shesh para krejt njerëzve t'mbledhun.

27 Kush e çel nji gropë, ka me ra vetë n'atë gropë, e
kush e rrokullis nji gur, guri ka me iu kthy mbi të.

28 Gjuha që rren i urren ata që i ka shtypë
me rrenat e veta, e goja që lajkaton shkakton shkatërrim.