Fjalët të urta 6
1 Biri jem, nëse je bo garant për tjetrin,
nëse ia ke dhanë dorën nji t'hueji,
2 nëse premtimi yt t'asht bo lak e
fjalët e gojës tane t'jonë bo kurth,
3 atëherë bone këtë, biri jem, edhe çliroje
veten, se tash tjetri t'ka n'dorë: Shko, përulu
para tij edhe lute pa u nalë.
4 Mos i lejo sytë e tu me
fjetë as kapakët e syve me dremitë.
5 Shpëtoje veten si gazela pi dorës së gjahtarit, si
zogu pi dorës së atij që i zen zogjtë.
6 Shko te milingona, o përtac.
Kqyri rrugët e saj edhe bohu i mençëm.
7 Edhe pse ajo s'e ka as komandantin, as mbikëqyrësin, as sundimtarin,
8 verës e siguron ushqimin e vet edhe
vjeshtës i mbledh rezervat e veta.
9 Deri kur ke me nejtë shtritë, o përtac?
Kur ke me u zgju pi gjumit e me u çu?
10 Pak me fjetë, pak me dremitë, pak me
i kryqëzu duert e me pushu –
11 e vorfnia ka me t'ardhë si hajni
edhe skamja si nji njeri i armatosun.
12 Nji njeri i pavlerë e i keq
sillet andej-knej tu folë sene t'mbrapshta.
13 Aj shkel syrin, jep shenja me
kambë edhe bon shenja me gishta.
14 Me zemër plot hile, aj bon plane
t'këqija pa pushu edhe nxit grindje gjithkah.
15 Prandaj, fatkeqësia ka me i ardhë papritmas.
Për nji çast ka me u shkatërru, e s'ka me pasë shpresë me u rimëkambë.
16 Gjashtë sene i urren Jehovai, po,
shtatë sene i ka neveri:
17 sytë kryelartë, gjuhën që rren edhe
duert që derdhin gjak t'pafajshëm,
18 zemrën që bon plane t'këqija edhe kambët
që vrapojnë shpejt me bo t'keqen,
19 nji dëshmitar t'rrejshëm që rren me çdo frymë,
edhe këdo që fut grindje mes vllaznive.
20 Biri jem, mbaje urdhnin e babës tand edhe
mos e refuzo mësimin e nanës tane.
21 Mbaji gjithmonë t'lidhuna për zemrën tane.
Lidhi për qafe.
22 Kur ecë, ato kanë me t'udhëheqë,
kur shtrihesh, kanë me t'rujtë,
e kur zgjohesh, kanë me t'folë.
23 Se urdhni asht si nji kandil, e
ligji asht si nji dritë, e edukimi përmes
qortimit asht rruga që t'çon te jeta.
24 Ato kanë me t'rujtë pi grusë së keqe,
pi gjuhës joshëse t'grusë që bon imoralitet.
25 Mos ia dëshiro bukurinë n'zemrën tane edhe
mos lejo me t'joshë sytë e saj,
26 se nji prostitutë e çon njeriun deri aty sa i mbetet veç nji
bukë, po gruaja e martume e nji tjetri e gjuan jetën e çmueshme.
27 A munet dikush me marrë zjarr
n'gjoks pa iu djegë teshat?
28 Apo a munet dikush me ecë mbi
gacat e ndezuna pa i djegë kambët?
29 Qashtu i ndodh kujtdo që ka marrëdhënie me grunë e tjetrit.
Asnji që e prek atë s'ka me shpëtu pa u dënu.
30 Njerëzit s'e përbuzin nji hajn kur vjedh për
me e ngi barkun se ka uri.
31 Po nëse e zënë, duhet me e kthy shtatëfish.
Ka me i dhanë krejt senet me vlerë që i ka n'shpi.
32 Kush bon tradhti bashkëshortore me nji grue, s'ka mend.
Kush e bon këtë, e çon veten n'fatkeqësi.
33 Ka me marrë veç plagë e turp, e
marreja e tij s'ka me iu fshi.
34 Se xhelozia e bon burrin shumë t'zemërum.
Kur t'hakmerret, s'ka me pasë pikë dhimte.
35 S'ka me pranu kurrfarë dëmshpërblimi, as dhurata ma
e madhe s'ka me ia zbutë zemrën.