Fjalët të urta 7

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Djali jem, mbaju fort për fjalët e mia
edhe ruaji urdhnat e mi si nji thesar.

2 Zbatoji urdhnat e mi edhe ki me jetu.
Ruaji udhëzimet e mia si bebëzën e synit tand.

3 Lidhu për to si me i pasë rreth gishtave.
Shkruji n'zemrën tande.

4 Thuji mençurisë:
„Ti je motra jem“, edhe kuptimin thirre „e afërmja jem“,

5 që me të mbrojtë pi grusë së prishun, pi grusë
që bon imoralitet edhe fjalëve t'saj t'buta e mashtruese.

6 Te dritarja e shpisë teme
kam kqyrë poshtë përmes grilave,

7 edhe tu i vëzhgu njerëzit që s'kanë përvojë, e kam
pa mes t'rinjve nji djalë t'ri që s'kish mend.

8 Aj ka ecë rrugës afër qoshes së saj
edhe u nis drejt shpisë së saj,

9 kur po errej, kah mramja, kur
po binte nata edhe terri.

10 Atëherë e kam pa nji gru tu i dalë përpara,
e veshun si prostitutë, nji gru me zemër dinake.

11 Ajo asht e zhurmshme edhe e pafytyrë.
Kurrë s'rrin n'shpi.

12 Herë asht jashtë, herë n'sheshe ku mblidhen njerëzit.
Në çdo qoshe ajo zan pritë.

13 Ajo e kap edhe e puth.
Pa pikë marre n'ftyrë i thotë:

14 „Kam pasë me dhanë kurbane bashkësie.
Sot i kam përmbushë zotimet e mia.

15 Për qata kam dalë jashtë me të
taku, me të lypë, edhe të gjeta!

16 E kam shtru shtratin tem me mbulesa t'shtrejta,
me pëlhurë liri me ngjyra pi Egjiptit.

17 E kam spërkatë shtratin tem me mirrë, aloe edhe kanellë.

18 Hajde, t'dehemi me dashni deri n'sabah.
Ta dujmë njani-tjetrin me shumë pasion,

19 se burri jem s'asht n'shpi.
Aj ka shku larg n'udhëtim.

20 E ka marrë me veti nji kuletë me pare edhe
s'ka me u kthy para ditës së hanës së plotë.“

21 Me shumë fjalë bindëse ajo e mashtron, edhe
e josh me fjalët e saj t'buta.

22 Përnjiherë aj shkon mas saj si nji dem që po e çojnë me e
therë, si nji budallë që po shkon me ia nguju kambët për dënim,

23 derisa nji shigjetë ia shpon mëlçinë.
Si nji zog që shkon drejt n'kurth, aj s'e din që kjo ka me i kushtu me jetë.

24 Prandaj, o djemtë e mi, tash më ngoni mu.
Kushtojuni kujdes fjalëve që po i thom.

25 Mos e lini zemrën me ju kthy kah rrugët e saj.
Mos u humbni nëpër shtigjet e saj.

26 Se ajo ua ka pru dekën shumë
vetave, edhe shumë i ka vra.

27 Shpia e saj të çon te vorri, të
çon poshtë, te dhomat e thella t'dekës.