Gjoni 11

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Nji burrë me emnin Llazar u smu. Aj ishte pi Betanisë, katunit të Marisë edhe motrës së saj Martës. 2 Kjo ishte Maria që ja kishte qitë vajin aromatik te kambët Zotnisë edhe ja kishte fshi me flokët e veta, e Llazari që u smu ishte vllau i saj. 3 Motrat e tij i çun fjalë Jezusit: „Zotni, burri që ti e don shumë, asht i smutë.“ 4 Po kur Jezusi e nivi këtë, tha: „Qikjo sëmundje në fund s’ka me përfundu me vdekje, po ka me i dhanë lavdi Zotit, që Biri i Zotit me u lavdëru përmes saj.“

5 Jezusi e donte Martën, motrën e saj edhe Llazarin. 6 Megjithatë, kur e nivi lajmin që Llazari ishte i smutë, ndejti edhe dy ditë aty ku ishte. 7 Mas kësaj ju tha nxansave: „Hajde të shkojmë prapë në Jude.“ 8 Nxansat i thanë: „Rabi, pak ma herët në Jude deshtën me të gjujtë me gurë, e tash po don me shku prapë atje?“ 9 Jezusi ju përgjigj: „A nuk i ka dita dymbëdhjetë orë dritë? Nëse dikush ecë ditën, nuk përplaset kund, sepse e sheh dritën e kësaj bote. 10 Po nëse dikush ecë natën, pengohet, sepse drita nuk asht në të.“

11 Pastaj shtoi: „Shoku jonë Llazari ka ra në gjumë, po unë po shkoj me e zgju.“ 12 Nxansat i thanë: „Zotni, nëse po flen, ka me u shëru.“ 13 Po Jezusi kishte folë për vdekjen e tij. Kurse ata mendun që po fliste për gjumë normal. 14 Atëherë Jezusi ju tha qartë: „Llazari ka dekë, 15 edhe për ju po gëzohem që s’kam qenë aty, që ju me besu. Po tash hajde të shkojmë te aj.“ 16 Atëherë Thomai, që quhej edhe „Binjaku“, ju tha nxansave tjerë: „Hajde të shkojmë edhe na, që të vdesim me të.“

17 Kur Jezusi mbrrini, mori vesh që Llazari ishte veç katër ditë në varr. 18 Betania ishte afër Jerusalemit, rreth 3 kilometra larg. 19 Shumë Judenj kishin ardhë te Marta edhe Maria për me i ngushëllu për vllaun e tyne. 20 Kur Marta nivi që Jezusi po vinte, doli me e taku, kurse Maria rrinte ulë në shpi. 21 Marta i tha Jezusit: „Zotni, po t’ishe kanë qitu, vllau jem s’kishte me dekë. 22 Po edhe tash e di që Zoti ka me t’dhanë çkado që t’i kërkosh.“ 23 Jezusi i tha: „Vllau yt ka me u ringjallë“, 24 e Marta ju përgjigj: „E di që ka me u ringjallë, në ringjalljen e ditës së fundit.“ 25 Jezusi i tha: „Unë jom ringjallja edhe jeta. Kush beson në mu, ka me ardhë në jetë, edhe nëse vdes. 26 Edhe secili që jeton e beson në mu, kurrsesi s’ka me dekë. A e beson këtë?“ 27 Ajo ju përgjigj: „Po, Zotni. Unë besoj që ti je Krishti, Biri i Zotit, aj që duhet me ardhë në botë.“ 28 Pasi i tha këto, ajo shkoi, e thirri motrën e vet Marinë edhe i tha pa ra në sy: „Mësuesi asht qitu edhe po të thirr.“ 29 Ajo menjiherë u çu edhe shkoi te aj.

30 Jezusi hala nuk kishte hi në katun, po kishte mbetë në venin ku Marta e kishte taku. 31 Judenjtë që ishin me Marinë në shpi edhe po e ngushëllojshin, e panë që ajo u çu shpejt edhe doli jashtë. Ata shkun mas saj, se mendun që po shkonte te varri me kajtë aty. 32 Kur Maria mbrrini te veni ku ishte Jezusi edhe e pa, ra te kambët e tij edhe i tha: „Zotni, po t’ishe kanë qitu, vllau jem s’kishte me dekë.“ 33 Kur Jezusi e pa atë tu kajtë, edhe Judenjtë që kishin ardhë me të tu kajtë, psherëtiu mrena vetes edhe u trondit shumë. 34 Pyti: „Ku e keni vnu?“ Ata ju përgjigjën: „Hajde, Zotni, edhe kqyre.“ 35 Atëherë Jezusit i dolën lot, 36 edhe Judenjtë thanë: „Kqyrni sa shumë e paska dashtë!“ 37 Po do thanë: „A s’mujke ky njeri, që ja çeli sytë të verbëtit, me e ndalë vdekjen e Llazarit?“

38 Jezusi prapë psherëtiu mrena vetes edhe shkoi te varri. Ishte nji shpellë me nji gur përpara. 39 Jezusi tha: „Hiqne gurin.“ Po Marta, motra e të vdekurit, i tha: „Zotni, sigurisht tash veç mban erë, se kanë kalu katër ditë.“ 40 Jezusi ju përgjigj: „A nuk të thashë që nëse beson, ke me e pa lavdinë e Zotit?“ 41 Atëherë e hoqën gurin. Jezusi kqyri kah qielli edhe tha: „Atë, po të falënderoj që m’ke dëgju. 42 E kam ditë që ti gjithmonë më dëgjon, po e thashë për shkak të kallabllakut që asht përreth, që ata me besu që ti më ke dërgu.“ 43 Pasi i tha këto, thirri me za të madh: „Llazar, dil jashtë!“ 44 Burri që pak ma parë ishte i vdekun, doli jashtë, me kambë e duer të lidhuna me pëlhura, edhe ftyrën të mbështjellun me nji shami. Jezusi ju tha njerzve: „Zgjidhne edhe lene me shku.“

45 Shumë Judenj që kishin ardhë te Maria edhe e panë qka bani aj, besun në të. 46 Po disa pi tyne shkun te Farisenjtë edhe ju kallxun qka kishte bo Jezusi. 47 Atëherë kryepriftërinjtë edhe Farisenjtë e mblodhën Sinedrin edhe thanë: „Qka me bo tash? Ky njeri po bon shumë shenja. 48 Nëse e lojmë me vazhdu kështu, krejt kanë me besu në të, edhe Romakët kanë me ardhë e kanë me na marrë edhe venin tonë të shenjtë, edhe popullin tonë.“ 49 Po njoni pi tyne, Kajafa, që atë vit ishte Kryeprift, ju tha: „Ju s’po kuptoni kurgjo 50 edhe nuk po mendoni që për ju asht ma mirë me vdekë nji njeri i vetëm për popullin, sesa me u shkatërru krejt populli.“ 51 Kjo nuk erdh pi vetes së tij. Po masi atë vit ishte Kryeprift, aj profetizoi që Jezusi duhej me vdekë për popullin, 52 edhe jo veç për popullin, po edhe për me i mbledhë në nji vend fmitë e Zotit që ishin të shpërndamë. 53 Pi asaj dite, ata nisën me bo plane për me e mbytë.

54 Prandaj Jezusi nuk u shfaq ma haptas mes Judenjve, po shkoi në zonën afër shkretinës, në qytetin Efraim, edhe ndejti aty me nxansat. 55 Pashka e Judenjve ishte afër, edhe shumë njerz pi katuneve hypën në Jerusalem para festës, për me u pastru simas rregullave. 56 Njerzt po e kërkojshin Jezusin, edhe derisa rrishin në tempull, e pytshin njani-tjetrin: „Qka po menoni? A thuni s’ka me ardhë hiq në festë?“ 57 Ndërkohë, kryepriftërinjtë edhe Farisenjtë kishin dhanë urdhën që kushdo që e dinte ku ishte Jezusi, me e lajmru, që ata me e kapë.