Gjoni 13

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Para festës së Pashkës, Jezusi e dinte që i kishte ardhë ora me u largu pi kësaj bote edhe me shku te Ati. Ata që i takojshin atij, që ishin në botë, aj i kishte dashtë, edhe i deshti deri në fund. 2 Ndërkohë darka kishte nisë, edhe Djalli veç ja kishte shti në zemër Judës Iskariot, djalit të Simonit, me e tradhtu Jezusin. 3 Jezusi e dinte që Ati ja kishte dhanë krejt senet në dorë, edhe që kishte ardhë pi Zoti e po shkonte te Zoti, 4 prandaj u çu pi darkës edhe i hoqi petkat e jashtme. Pastaj mori nji peshqir edhe e lidhi rreth belit. 5 Mas kësaj qiti ujë në nji legen edhe nisi me ja la kambët nxansave, e me ja fshi me peshqirin që e kishte lidhë rreth belit. 6 Kur erdh rendi te Simon Pjetri, aj e pyti: „Zotni, a ti po don me m’i la kambët mu?“ 7 Jezusi ju përgjigj: „Tash nuk po e kupton qka po boj, po ma vonë ke me e kuptu.“ 8 Pjetri kundërshtoi: „Kurrë në jetë s’ki me m’i la kambët!“ Jezusi ju përgjigj: „Nëse nuk të laj unë, ti s’ki pjesë me mu.“ 9 Atëherë Simon Pjetri i tha: „Zotni, atëherë jo veç kambët, po edhe duert edhe krytë.“ 10 Jezusi i shpjegoi: „Kush asht la, ka nevojë me ja la veç kambët, se asht krejt i pastër. Edhe ju jeni të pastër, po jo krejt.“ 11 Se aj e dinte kush kishte me e tradhtu. Për qata tha: „Jo secili pi juve asht i pastër.“

12 Pasi ja lau kambët, veshi prapë petkat e jashtme edhe u ul prapë në sofër. Pastaj i pyti: „A po e kuptoni qka ju bana? 13 Ju më thirrni ‘Mësues’ edhe ‘Zotni’, edhe mirë e keni, se qashtu jom. 14 Pra, nëse unë, Zotnia edhe Mësuesi, ju lava kambët, edhe ju duhet me ja la kambët njani-tjetrit. 15 Se unë ju dhashë shembull, që edhe ju me bo pikërisht qashtu si ju bana unë juve. 16 Nji sen asht i sigurt: shërbëtori s’asht ma i madh se zotnia i vet, as i dërgumi s’asht ma i madh se aj që e ka dërgu. 17 Nëse i dini këto sene, jeni të lumtun nëse i boni. 18 Nuk po flas për krejt ju. Unë i njoh ata që i kam zgjedhë. Po kjo ndodhi që me u përmbushë Shkrimi: ‘Aj që e hante bukën teme, u çu kundër meje.’ 19 Po jua thom tash, para se me ndodhë, që kur të ndodhë, ju me besu që unë jom aj. 20 Nji sen asht i sigurt: kush e pranon atë që e dërgoj unë, më pranon edhe mu, e kush më pranon mu, e pranon edhe Atë që më ka dërgu.“

21 Pasi i tha këto, Jezusi u trondit thellë mrena vetes edhe dëshmoi: „Nji sen asht i sigurt: njoni pi juve ka me m’tradhtu.“ 22 Nxansat kqyrshin njani-tjetrin të hutum, tu u pytë për kon po fliste. 23 Njani pi nxansave, aj që Jezusi e donte veçanërisht, ishte i shtrimë ngat Jezusit. 24 Prandaj Simon Pjetri i bani me shenjë edhe i tha: „Na kallxo për kon po flet.“ 25 Atëherë qaj nxans u mbështet te krahnori i Jezusit edhe e pyti: „Zotni, kush asht?“ 26 Jezusi ju përgjigj: „Asht aj, të cilit kam me ja dhanë copën e bukës pasi ta ngjyej.“ Pasi e ngjeu bukën, e mori edhe ja dha Judës, djalit të Simon Iskariotit. 27 Sapo Juda e mori copën e bukës, Satani hini në të, edhe Jezusi i tha: „Bone shpejt qka je tu e bo.“ 28 Po kërkush në sofër nuk e dinte pse ja tha këtë. 29 Meqë Juda e mbante kutinë e pareve, do mendun që Jezusi po i thoshte: „Blej krejt qka na duhet për festë“, ose që duhej me ju dhanë diçka të vorfnive. 30 Pasi e mori copën e bukës, aj doli menjiherë jashtë. Ishte natë.

31 Kur aj doli, Jezusi tha: „Tash Biri i njeriut asht lavdëru, edhe përmes tij asht lavdëru edhe Zoti. 32 Vetë Zoti ka me e lavdëru atë, edhe ka me e lavdëru menjiherë. 33 Fmitë e mi të dashtun, edhe pak kohë jom me ju. Ju keni me m’kërku, edhe tash po ju thom të njejtën që ja kam thanë Judenjve: ‘Ku po shkoj unë, ju s’mundeni me ardhë.’ 34 Po ju jap nji urdhën të ri: ta doni njani-tjetrin. Qysh ju kam dashtë unë juve, qashtu edhe ju duhet me e dashtë njani-tjetrin. 35 Për këtë kanë me e kuptu krejt që jeni nxansat e mi: nëse keni dashni për njani-tjetrin.“

36 Simon Pjetri e pyti: „Zotni, ku po shkon?“ Jezusi ju përgjigj: „Ku po shkoj unë, ti tash s’mundesh me më ndjekë, po ma vonë ke me ardhë mas meje.“ 37 Pjetri deshti me ditë: „Zotni, pse s’mundem me të ndjekë qysh tash? Unë e jap jetën teme për ty.“ 38 Jezusi ju përgjigj: „A e jep jetën tane për mu? Nji sen asht i sigurt: gjeli kurrsesi s’ka me këndu, para se ti tri herë të më mohosh.“