Gjoni 21
1 Mas kësaj, Jezusi ju shfaq prapë nxansave te Liqeni i Tiberiadës. Ndodhi kështu: 2 Simon Pjetri, Thomai që quhej „Binjaku“, Natanaeli pi Kanës së Galilesë, djemtë e Zebedeut edhe dy nxansa tjerë ishin bashkë. 3 Simon Pjetri ju tha: „Po shkoj me gjujtë peshk.“ Tjerët i thanë: „Po vimë edhe na me ty.“ Kështu dolën edhe hypën në barkë. Po krejt natën nuk zunë kurgjo.
4 Kur po zbardhte dita, Jezusi rrinte në breg, po nxansat nuk e njohën. 5 Jezusi ju tha: „Fmi, s’keni kurgjo për me hangër, a?“ Ata ju përgjigjën: „Jo.“ 6 Atëherë aj ju tha: „Gjujeni rrjetën në anën e djathtë të barkës, edhe keni me gjetë diçka.“ Ata e gjujtën, po pastaj s’mujshin ma me e tërhekë rrjetën pi shumicës së peshqve. 7 Atëherë nxansi që Jezusi e donte veçanërisht i tha Pjetrit: „Asht Zotnia!“ Kur Simon Pjetri e nivi që ishte Zotnia, e veshi petkun e jashtëm, se s’kishte kurgjo veshë, edhe u hodh në ujë. 8 Nxansat tjerë erdhën me barkën e vogël, tu e tërhekë rrjetën me peshq, sepse nuk ishin larg bregut, veç rreth 100 metra.
9 Kur dolën në tokë, panë aty nji zjarr me qymyr, me peshq përmbi, edhe bukë. 10 Jezusi ju tha: „Bini do pi peshqve që sapo i zutë.“ 11 Prandaj Simon Pjetri hypi në barkë edhe e tërhoqi rrjetën në tokë. Edhe pse ishte plot me peshq të mëdhaj, gjithsej 153, rrjeta nuk u shqye. 12 Jezusi ju tha: „Hajdeni, hani mëngjes.“ Po asnjani pi nxansave nuk guxonte me e pytë: „Kush je ti?“, sepse e dinin që ishte Zotnia. 13 Jezusi erdh, e mori bukën edhe jau dha, qashtu edhe peshkun. 14 Kjo ishte hera e tretë që Jezusi ju shfaq nxansave, masi ishte ringjallë pi të dekuneve.
15 Masi hëngrën mëngjes, Jezusi i tha Simon Pjetrit: „Simon, djali i Gjonit, a më don ma shumë se këta?“ Aj ju përgjigj: „Po, Zotni, ti e din që të du.“ Atëherë Jezusi i tha: „Ushqeji qengjat e mi.“ 16 Pastaj e pyti për herë të dytë: „Simon, djali i Gjonit, a më don?“ Aj ju përgjigj: „Po, Zotni, ti e din që të du.“ Jezusi i tha: „Ruji delet e mia të vogla.“ 17 Kur e pyti për herë të tretë: „Simon, djali i Gjonit, a më don?“, Pjetri u mërzit, sepse Jezusi po e pyeste për herë të tretë. Ju përgjigj: „Zotni, ti din gjithçka. Ti e din që të du.“ Jezusi i tha: „Ushqeji delet e mia të vogla. 18 Nji sen asht i sigurt: kur ishe ma i ri, vetë e veshshe veten edhe shkoje ku doje. Po kur të plakesh, ki me i shtri duert, edhe dikush tjetër ka me të veshë e ka me të çu ku ti nuk don.“ 19 Me këtë po tregonte me çfarë vdekje Pjetri kishte me e lavdëru Zotin. Pastaj i tha: „Vazhdo me m’ndjekë.“
20 Pjetri u kthye edhe e pa nxansin që Jezusi e donte veçanërisht tu ardhë mas tyne. Ishte po aj që gjatë darkës ishte mbështetë te krahnori i Jezusit edhe e kishte pytë: „Zotni, kush asht aj që po të tradhton?“ 21 Kur Pjetri e pa, e pyti Jezusin: „Zotni, e qka ka me ndodhë me këtë?“ 22 Jezusi ju përgjigj: „Nëse du që aj me mbetë derisa të vij unë, qka të hyn ty kjo punë? Ti vazhdo me m’ndjekë.“ 23 Për qata u përhap mes vllaznive fjala që ky nxans nuk kishte me dekë. Po Jezusi nuk tha që nuk kishte me dekë, veç tha: „Nëse du që aj me mbetë derisa të vij unë, qka të hyn ty kjo punë?“
24 Ky asht nxansi që dëshmon për krejt këto edhe i ka shkru këto, edhe na e dimë që dëshmia e tij asht e vërtetë.
25 Në fakt, Jezusi ka bo edhe shumë sene tjera. Po të shkruheshin krejt me hollësi, mendoj që as vetë bota s’kishte pasë vend për krejt rrotullat.