Gjoni 8
1 ...
12 Pastaj Jezusi ju foli prapë edhe tha: „Unë jom drita e botës. Kush më ndjek mu, kurrsesi s’ka me ecë në terr, po ka me pasë dritën e jetës.“ 13 Atëherë Farisenjtë thanë: „Ti po dëshmon për veten tane, dëshmia jote s’asht e vërtetë.“ 14 Jezusi ju përgjigj: „Edhe nëse dëshmoj për veten teme, dëshmia jeme asht e vërtetë, sepse e di pi kah kam ardhë edhe ku po shkoj. Po ju nuk e dini pi kah kam ardhë as ku po shkoj. 15 Ju gjykoni simas masave njerëzore, unë nuk gjykoj kërkon. 16 Po edhe nëse gjykoj, gjykimi jem përputhet me të vërtetën, sepse nuk jom vetëm, po Ati që më ka dërgu asht me mu. 17 Përveç kësaj, në Ligjin tuej shkruhet: ‘Dëshmia e dy dëshmitarëve asht e vërtetë.’ 18 Unë dëshmoj për veten teme, edhe Ati që më ka dërgu dëshmon për mu.“ 19 Atëherë e pytën: „Ku asht pra Ati yt?“ Jezusi ju përgjigj: „Ju nuk më njihni as mu, as Atin tem. Po t’më njihnit mu, kishit me e njoftë edhe Atin tem.“ 20 Këto i tha kur po msonte në tempull, aty ku rrishin arkat e dhuratave. Po kërkush nuk e kapi, sepse ora e tij hala s’kishte ardhë.
21 Prandaj ju tha prapë: „Unë po shkoj, edhe ju keni me m’kërku, po keni me dekë në gjynahin tuej. Ku po shkoj unë, ju s’mundeni me ardhë.“ 22 Judenjtë po çuditshin: „A mos po don me e mbytë veten? Pse tjetër po thotë: ‘Ku po shkoj unë, ju s’mundeni me ardhë’?“ 23 Atëherë aj vazhdoi me ju shpjegu: „Ju jeni pi poshtë, unë jom pi nalt. Ju jeni pi kësaj bote, unë s’jom pi kësaj bote. 24 Për qata ju thashë: Keni me dekë në gjynahet tueja. Se nëse nuk besoni që unë jom aj, keni me dekë në gjynahet tueja.“ 25 Atëherë i thanë: „Kush je ti pra?“ Jezusi ju tha: „Pse po flas unë hiç me ju? 26 Kam hala shumë me thanë për ju edhe kam shumë për qka me gjyku. Në fakt, Aj që më ka dërgu thotë të vërtetën, edhe unë po ja thom botës pikërisht ato që i kam ni pi tij.“ 27 Po ata nuk e kuptun që aj po ju fliste për Atin. 28 Atëherë Jezusi tha: „Kur ta keni ngritë Birin e njeriut, atëherë keni me e kuptu që unë jom aj, edhe që s’boj kurgjo pi vetes, po i thom ato që m’i ka msu Ati. 29 Edhe Aj që më ka dërgu asht me mu. Nuk më ka lanë vetëm, sepse unë gjithmonë e boj atë që i pëlqen Atij.“ 30 Kur i tha krejt këto, shumë veta besun në të.
31 Atëherë Jezusi ju kthye Judenjve që kishin nisë me besu në të: „Nëse rrini në atë që ju kam thanë, atëherë përnime jeni nxansat e mi, 32 edhe keni me e njoftë të vërtetën, edhe e vërteta ka me ju liru.“ 33 Ata ju përgjigjën: „Na jemi pasardhës të Abrahamit edhe kurrë s’kemi qenë rob të kërkujt. Qysh po thua pra: ‘Keni me u liru’?“ 34 Jezusi ju përgjigj: „Nji sen asht i sigurt: Secili që bon gjynah, asht rob i gjynahit. 35 Përveç kësaj, robi nuk rrin përgjithmonë në shpi. Biri rrin përgjithmonë. 36 Pra, nëse Biri ju liron, keni me qenë përnime të lirë. 37 E di që jeni pasardhës të Abrahamit. Prapëseprapë, po kërkoni me m’mbytë, sepse fjalët e mia nuk po zënë ven te ju. 38 Unë flas për atë që kam pa kur isha te Ati jem, kurse ju boni atë që e keni ni pi babës tuej.“ 39 Ata ju përgjigjën: „Baba jonë asht Abrahami.“ Jezusi ju tha: „Po t’ishit fmi të Abrahamit, kishit me vepru si Abrahami. 40 Po ju po kërkoni me m’mbytë mu, nji njeri që ju ka thanë të vërtetën që e ka ni pi Zotit. Abrahami nuk ka vepru qashtu. 41 Ju po veproni si baba juej.“ Ata kundërshtun: „Na s’jemi lindë pi imoralitetit! Na e kemi veç nji Atë: Zotin.“
42 Atëherë Jezusi ju tha: „Po t’ishte Zoti Ati juej, kishit me m’dashtë mu, sepse unë kam ardhë pi Zoti edhe jom qitu. Nuk kam ardhë pi vetes, po Aj më ka dërgu. 43 Pse nuk po e kuptoni qka po thom? Sepse nuk jeni të zotë me i ngu fjalët e mia. 44 Djalli asht baba juej, edhe ju doni me bo qka don baba juej. Aj ka qenë vrasës pi fillimit edhe nuk i ka nejtë besnik të vërtetës, sepse s’ka të vërtetë në të. Kur rren, e kallxon kush asht përnime, sepse asht rrenacak edhe baba i rrenës. 45 Unë, përkundrazi, po e thom të vërtetën, edhe për qata nuk po më besoni. 46 Kush pi juve mundet me më dëshmu që kam bo gjynah? Nëse po e thom të vërtetën, pse nuk po më besoni? 47 Kush vjen pi Zotit, i ngon fjalët e Zotit. Prandaj ju nuk po ngoni, sepse nuk vini pi Zotit.“
48 Judenjtë ju përgjigjën: „A nuk kemi të drejtë kur thojmë: ‘Ti je Samaritan edhe ki shpirt të keq’?“ 49 Jezusi ju tha: „Unë s’kam shpirt të keq, po e nderoj Atin tem, kurse ju po ma merrni nderin. 50 Unë nuk po e kërkoj lavdinë teme. Po ka Nji që e kërkon atë, edhe Aj asht Gjykatësi. 51 Nji sen asht i sigurt: Kush i mban fjalët e mia, kurrsesi s’ka me e pa vdekjen.“ 52 Judenjtë ju përgjigjën: „Tash e dimë sigurt që ki shpirt të keq. Abrahami ka dekë, edhe pejgamberët po ashtu, e ti po thua: ‘Kush i mban fjalët e mia, kurrsesi s’ka me dekë.’ 53 A mos je ti ma i madh se baba jonë Abrahami, që ka dekë? Edhe pejgamberët kanë dekë. Kush po pretendon që je?“ 54 Jezusi ju përgjigj: „Nëse unë e lavdëroj veten, lavdia jeme s’vlen kurgjo. Ati jem asht Aj që më lavdëron, Aj për të cilin ju thoni se asht Zoti juej. 55 Po ju kurrë s’e keni njoftë, kurse unë e njoh. Edhe nëse kisha thanë që nuk e njoh, kisha qenë si ju, rrenacak. Po unë e njoh edhe e mbaj fjalën e tij. 56 Baba juej Abrahami u gëzu shumë me shpresën që ka me e pa ditën teme, edhe e ka pa atë e u gëzu.“ 57 Atëherë Judenjtë thanë: „Ti hala s’i ki as 50 vjet, e po thua se e ke pa Abrahamin?“ 58 Jezusi ju përgjigj: „Nji sen asht i sigurt: Para se Abrahami me ardhë në ekzistencë, unë veç kam qenë.“ 59 Atëherë ata morën gurë për me e gjujtë, po Jezusi u mshef edhe doli pi tempullit.