Gjykatesit 13

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Izraelitët prapë kanë ba qka u konë keq n'sytë e Jehovait, edhe Jehovai i ka lanë n'duert e filistinëve për 40 vjet.

2 N'atë kohë ka jetu nji burrë që e ka pasë emnin Manoah. Aj u konë pi Zorës, pi familja e danitëve. Gruja e tij s'ka pasë fëmijë, se s'ka mujtë me lindë.

3 Nji ditë, engjëlli i Jehovait i asht shfaqë grues edhe i ka thanë: «Ti s'munesh me lindë edhe s'ke fëmijë, po ki me mbetë shtatzanë edhe ki me lindë nji djalë.

4 Veç ki kujdes, mos pi venë as kurrfarë pije tjetër me alkool, edhe mos ha kurgjo që asht e papastër.

5 Ti ki me mbetë shtatzanë edhe ki me lindë nji djalë. Kurrfarë brisku s'guxon me ia prekë kryet, se aj ka me konë nazire i Zotit qysh pi lindjes. Nën udhëheqjen e tij, Izraeli ka me u shpëtu pi duerve t'filistinëve.»

6 Gruja ka shku te burri i vet edhe i ka tregu: «Nji njeri i Zotit t'vërtetë ka ardhë te unë. Aj u dokë si nji engjëll i Zotit t'vërtetë. Pamja e tij u konë aq e jashtëzakonshme! Unë s'e kam vetë pi ka ardhë, edhe aj s'ma ka tregu emnin e vet.

7 Po m'ka thanë: ‘Ti ki me mbetë shtatzanë edhe ki me lindë nji djalë. Pi tash e tutje, mos pi venë as kurrfarë pije tjetër me alkool, edhe mos ha kurgjo që asht e papastër, se fëmija ka me konë nazire i Zotit qysh pi ditës që lind e deri n'ditën që vdes.’»

8 Atëherë Manoahu i asht lutë shumë Jehovait: «T'lutna, Jehova, bane që njeriu i Zotit t'vërtetë, që e çove pak ma herët, me ardhë edhe nji herë, që me na tregu qysh duhet me e rritë fëmijën që kemi me e pasë.»

9 Zoti i vërtetë ia ka plotësu lutjen Manoahut, edhe engjëlli i Zotit t'vërtetë ka ardhë prapë te gruja, derisa ajo u konë ulë n'fushë. Burri i saj, Manoahu, s'u konë me të.

10 Gruja ka vrapu shpejt te burri i vet edhe i ka thanë: «E pashë prapë atë njeriun që ka ardhë te unë atë ditë!»

11 Atëherë Manoahu asht çu, ka shku me gruen e vet te aj njeri edhe e ka vetë: «A je ti aj që ke folë me gruen teme?» Aj i ka thanë: «Po, unë jom.»

12 Atëherë Manoahu ka thanë: «U plotësofshin fjalët e tua! Qysh ka me jetu ky fëmijë edhe qka ka me pasë për detyrë?»

13 Engjëlli i Jehovait i ka thanë Manoahut: «Gruja jote duhet me iu rujtë krejt atyne seneve që ia kam përmendë.

14 Ajo s'guxon me hangër kurgjo që vjen pi hardhisë s'rrushit, as me pi venë a naj pije tjetër me alkool. Edhe s'guxon me hangër kurgjo që asht e papastër. Ajo duhet me iu përmbajtë patjetër krejt atyne që ia kam thanë.»

15 Atëherë Manoahu i ka thanë engjëllit t'Jehovait: «T'lutna, rri edhe pak. Na kishim pasë qef me ta përgatitë nji kec.»

16 Po engjëlli i Jehovait ia ka kthy: «Edhe nëse rri, unë s'kam me hangër pi asaj. Po nëse don me i ofru Jehovait nji kurban që digjet krejt, munesh me e ba.» Manoahu s'e ka ditë që aj u konë engjëlli i Jehovait.

17 Masanej Manoahu e ka vetë engjëllin e Jehovait: «Qysh e ki emnin? Kur t'plotësohen fjalët e tua, na kishim pasë qef me t'nderu.»

18 Po engjëlli i Jehovait ia ka kthy: «Pse po ma vetë emnin, kur emni jem asht i mrekullueshëm?»

19 Atëherë Manoahu e ka marrë kecin edhe kurbanin pi drithit, edhe i ka ofru t'dyjat Jehovait mbi shkamb. Derisa Manoahu edhe gruja e vet po shikojshin, Jehovai e ka ba nji sen t'jashtëzakonshëm:

20 Kur flaka pi altari asht çu nalt kah qielli, engjëlli i Jehovait ka hyp nalt n'flakë, para syve t'Manoahut edhe grues t'tij. Sapo e kanë pa këtë, ata kanë ra përmbys me ftyrë për toke.

21 Engjëlli i Jehovait s'iu ka shfaqë ma Manoahut edhe grues t'tij. Atëherë Manoahu e ka kuptu që aj u konë engjëlli i Jehovait.

22 Aj i ka thanë grues t'vet: «Na kemi me vdekë me siguri, se e kemi pa Zotin.»

23 Po gruja e tij ia ka kthy: «Nëse Jehovai kish dashtë me na vra, s'kish me i pranu kurbanin që digjet krejt edhe kurbanin pi drithit që ia kemi ofru. As s'kish me na lanë me i pa krejt këto sene, e as s'kish me na tregu krejt këto që na i ka tregu.»

24 Mas nji kohe, gruja e ka lindë nji djalë edhe ia ka lanë emnin Simson. Djali ka vazhdu me u rritë, edhe Jehovai e ka beku.

25 N'fund, fryma e Jehovait ka nisë me e nxitë Simsonin n'Mahane-Dan, mes Zorës edhe Eshtaolit.