Gjykatesit 15
1 Pak ma vonë, në kohën kur korrej gruni, Simsoni ka dashtë me shku me e vizitu grunë e vet edhe me ia çu nji kec. Aj ka thanë: “Po du me hy te gruja jem në dhomën e gjumit.” Po baba i saj s’e ka lanë me hy.
2 Baba i saj i ka thanë: “Unë kom menu që ti sigurt e urren atë. Prandaj ia kom dhanë shokut tand. Po motra e saj ma e re a s’asht ma e bukur se ajo? Merre, t’lutna, atë për gru.”
3 Simsoni ia ka kthy: “Kësaj here filistinët s’kanë qka me më fajsu nëse u boj dam.”
4 Kështu Simsoni ka shku edhe i ka zanë 300 dhelpna. Ka marrë pishtarë, i ka lidhë dhelpnat dy nga dy për bishta edhe ka lidhë nga nji pishtar në mes tyne.
5 Pastaj i ka kallë pishtarët edhe i ka lëshu dhelpnat nëpër arat me drithë të filistinëve. E ka kallë krejt, edhe drithin që u konë hala në arë, edhe atë që u konë i lidhun në duaj, bashkë me vreshtat e ullishtat.
6 Filistinët kanë pytë: “Kush e ka bo këtë?” U kanë thanë: “Këtë e ka bo Simsoni, dhëndri i atij burrit pi Timnës, se aj ia ka dhanë grunë e Simsonit shokut të tij.” Atëherë filistinët kanë hypë edhe i kanë djegë grunë edhe babën e saj.
7 Simsoni u ka thanë: “Nëse ju boni kështu, unë s’kom me u nalë derisa t’ju hakmerrem.”
8 Pastaj i ka goditë njanin mas tjetrit edhe shumë pi tyne i ka vra. Masanej ka shku edhe ka nejtë në nji shpellë te shkëmbi i Etamit.
9 Ma vonë filistinët kanë hypë, kanë ngritë kamp në Judë edhe kanë bredhë nëpër Lehi.
10 Atëherë burrat e Judës i kanë pytë: “Pse keni ardhë kundër neve?” Ata u kanë thanë: “Kena ardhë me e zanë Simsonin edhe me ia bo të njejtën sen që na e ka bo neve.”
11 Kështu 3 000 burra pi Judës kanë shku te shpella në shkëmbin e Etamit edhe i kanë thanë Simsonit: “Pse na e ke bo këtë? Ti e din që filistinët sundojnë mbi neve.” Aj ua ka kthy: “Unë veç ua kom bo atë që ma kanë bo ata mu.”
12 Ata i kanë thanë: “Kena ardhë me të zanë edhe me të dorëzu te filistinët.” Simsoni u ka thanë: “Betohuni që s’keni me më sulmu.”
13 Ata e kanë siguru:
“Jo, na veç kena me të lidhë edhe me të dorëzu te ata, po s’kena me të vra.” Kështu e kanë lidhë me dy litarë të ri edhe e kanë nxjerrë pi shpella e shkëmbit.
14 Kur Simsoni ka ardhë në Lehi, filistinët e kanë pa edhe kanë nisë me bërtitë pi gëzimit për fitore. Atëherë fryma e Jehovait i ka dhanë forcë. Litarët që i ka pasë në krahë u bonë si penj lini që i ka përvëlu zjarmi, edhe lidhëset në duart e tij u zgjidhën.
15 Pastaj e ka gjetë nji asht të freskët të nofullës së nji gomari mashkull, e ka kapë edhe me të i ka vra 1 000 burra.
16 Atëherë Simsoni ka thanë:
“Me ashtin e nofullës së nji gomari, nji grumbull, dy grumbuj!
Me ashtin e nofullës së nji gomari i kom vra 1 000 burra!”
17 Pasi i ka thanë këto fjalë, e ka hudhë ashtin e nofullës edhe ia ka lanë atij vendi emnin Ramat-Lehi.
18 Pastaj e ka marrë nji etje e madhe edhe i ka thirrë Jehovait: “Ti ia ke mundësu shërbëtorit tand këtë shpëtim të madh. A tash unë me vdekë pi etjes edhe me ra në dorë të atyne që s’jonë të rrethpremë?”
19 Atëherë Zoti ka bo nji të çarë në nji zgavër në Lehi, edhe pi aty ka dalë ujë. Kur Simsoni e ka pi atë ujë, i asht kthy forca edhe e ka marrë veten. Prandaj ia ka lanë atij burimi emnin En-Hakore. Aj burim asht hala sot në Lehi.
20 Simsoni u konë gjykatës në Izrael për 20 vjet, në kohën e filistinëve.