Gjykatesit 19

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Në qat kohë, kur n'Izrael s'kish mbret, nji levit që ka jetu n'nji vend t'largët n'malet e Efraimit, e ka marrë nji grue pi Betlehemit t'Judës si grue pa kunorë.

2 Po gruja e tij pa kunorë e ka tradhtu. Ajo e ka lanë edhe ka shku te shpija e babës së vet n'Betlehem t'Judës, ku ka nejt katër muj.

3 Masanej burri i saj ka shku mas saj, bashkë me shërbëtorin e vet edhe me dy gomarë, se ka dashtë me ia mbushë menen me u kthy prapë. Ajo e ka shti mrena n'shpinë e babës së vet, edhe baba i saj u gëzu shumë kur e ka pa.

4 Vjehrri i tij, baba i grusë së re, e ka bindë me nejt tri ditë te aj. Kanë hangër e kanë pi bashkë, edhe aj ka flejt aty.

5 Ditën e katërt, kur janë çu herët n'mëngjes edhe kanë dashtë me u nisë, baba i grusë së re i ka thanë dhandrrit të vet: “Haj diçka e merr pak fuqi. Masanej mundeni me shku.”

6 Atëherë ata dy janë ulë edhe kanë hangër e kanë pi bashkë. Masanej baba i grusë së re i ka thanë burrit: “Rri edhe sonte këtu, t'lutna, edhe knaqu pak.”

7 Kur burri ka dashtë me u nisë, vjehrri i tij s'e ka lanë rehat, derisa aj ka pranu me nejt edhe nji natë.

8 Ditën e pestë, kur aj u çu herët n'mëngjes me shku, baba i grusë së re i ka thanë: “T'lutna, haj diçka e merr pak fuqi.” Kështu që s'jonë ngutë, po kanë nejt tu hangër derisa u bo vonë.

9 Kur burri ka dashtë me u nisë bashkë me grunë e vet pa kunorë edhe me shërbëtorin, vjehrri i tij, baba i grusë së re, i ka thanë: “Kqyre, gati u bo mramje! Ju lutna, rrini edhe sonte këtu. Dita veç po kryhet. Rri sonte këtu edhe knaqu pak. Nesër mundeni me u nisë herët e me marrë rrugën për shpi.”

10 Po burri s'ka dashtë me nejt edhe nji natë. Kështu që u nisë bashkë me dy gomarët e vet që i ka pasë me samarë, me grunë e vet pa kunorë edhe me shërbëtorin. Ka shku deri n'Jebus, domethanë n'Jerusalem.

11 Kur janë afru te Jebusi, dita veç gati u kry. Atëherë shërbëtori e ka pytë zotninë e vet: “A po nalemi n'këtë qytet t'jebusitëve edhe po flejmë sonte këtu?”

12 Po zotnia i tij i ka thanë: “S'bon me nejt sonte n'nji qytet ku jetojnë njerëz që s'jonë izraelitë. Na vazhdojmë deri n'Gibea.”

13 Masanej i ka thanë shërbëtorit: “Hajde, t'mundohemi me mrri n'Gibea a n'Rama, edhe me flejt sonte n'njërin pi këtyne vendeve.”

14 Kështu që kanë vazhdu rrugën, edhe kur dielli ka perëndu, kanë mrri afër Gibeas, që i takon Benjaminit.

15 Atëherë janë kthy pi rrugës edhe kanë hi n'Gibea me flejt aty. Kur kanë hi n'qytet, janë ulë n'sheshin e qytetit, po kërkush s'i ka marrë me bujtë n'shpi.

16 Atë mramje, nji plak u kthy n'shpi pi punës n'ara. Aj u konë pi malet e Efraimit, po atëherë ka jetu n'Gibea. Kurse banorët e qytetit jonë konë beniaminitë.

17 Kur plaku i ka çu sytë edhe e ka pa udhëtarin n'sheshin e qytetit, e ka pytë: “Ku po shkon edhe pi kah je?”

18 Leviti i ka thanë: “Na jemi tu udhëtu pi Betlehemi i Judës për n'nji vend t'largët n'malet e Efraimit. Unë jom pi ai vend. Kom shku n'Betlehem t'Judës, e tash jom rrugës për te shpija e Jehovait, po kërkush s'po m'merr me bujtë n'shpi.

19 Na kemi boll kashtë edhe ushqim për gomarët tonë, edhe bukë e venë për mu, për grunë edhe për shërbëtorin tonë. S'na mungon kurgjo.”

20 Po plaku i ka thanë: “Paqe me ty! Lëm mu me u kujdes për krejt qka t'duhet. Veç mos rri sonte n'shesh.”

21 Atëherë e ka marrë me veti n'shpi edhe u ka qitë ushqim gomarëve. Masanej i kanë la kambët edhe kanë hangër e kanë pi.

22 Derisa ata po knaqeshin, do burra t'poshtër t'qytetit e kanë rrethu shpinë edhe kanë nisë me i ra derës fort. Pa u nalë, i kanë kërku plakut, që u konë i zoti i shpisë: “Qite jashtë qat burrin që ka hi n'shpinë tane. Na po dojmë me bo seks me to.”

23 Atëherë i zoti i shpisë ka dalë jashtë edhe u ka thanë: “Jo, vllazën, ju lutna, mos boni diçka t'keqe. Ky burrë asht mysafir n'shpinë teme. Mos boni ksi pune t'turpshme.

24 Qe, këtu e kom vajzën teme, që hala asht e virgjër, edhe këtu asht edhe gruja pa kunorë e këtij burri. Unë muj me jua qitë jashtë, edhe ju mundeni me i poshtnu, nëse patjetër po doni. Po këtij burri mos ia boni ksi pune t'turpshme.”

25 Po ata burra s'kanë dashtë me e ngu. Atëherë leviti e ka kapë grunë e vet pa kunorë edhe ua ka qitë jashtë. Ata e kanë përdhunu edhe e kanë keqtrajtu krejt natën, deri n'mëngjes. Kur ka nisë me ague, e kanë lëshu me shku.

26 Herët n'mëngjes, gruja ka ardhë te shpija e atij burrit ku u konë zotnia i saj. Ajo u rrëzu te dera e shpisë edhe ka mbetë aty derisa u zbardh dita.

27 Kur zotnia i saj u çu n'mëngjes me vazhdu rrugën edhe i ka çelë dyert e shpisë, e ka pa grunë e vet pa kunorë tu nejt e shtrime te dera, me durt mbi prag.

28 Aj i ka thanë: “Çohu, hajde t'shkojmë.” Po ajo s'i ka kthy kurrfarë përgjigje. Atëherë burri e ka ngarku mbi gomar edhe u nisë për n'shpi.

29 Kur ka mrri n'shpi, e ka marrë thikën e therjes, e ka nda grunë e vet pa kunorë n'dymbëdhjetë copa edhe e ka çu nga nji pjesë t'trupit n'secilën krahinë t'Izraelit.

30 Krejt ata që e kanë pa kanë thanë: “Qysh pi ditës kur izraelitët kanë dalë pi Egjiptit, ksi seni s'ka ndodhë kurrë. Kurrkush s'ka pa diçka t'tillë deri sot. Menoni mirë për këtë punë, këshillohuni mes veti edhe kallxoni qka duhet me bo.”