Gjykatesit 7
1 Atëherë Jerubaali, që quhet edhe Gideon, u çu herët në mëngjes bashkë me krejt burrat e tij edhe e kanë ngritë kampin te burimi Harod. Kampi i midianitëve u konë në veri të tyne, në luginë, afër kodrës More.
2 Atëherë Jehova i ka thanë Gideonit: «Ti i ke tepër shumë burra. Unë s'kam me ua dhanë midianitët në dorë, se përndryshe Izraeli munet me u lavdëru para meje e me thanë: ‘Na e kemi shpëtu vetën me fuqinë tonë.’
3 Tash, të lutna, shpallu burrave të tu: ‘Kush tutet edhe dridhet pi frikës, le të kthehet në shpi.’» Kështu Gideoni i ka provu ata. 22 000 burra janë kthy në shpi, e 10 000 kanë mbetë.
4 Po Jehova i ka thanë Gideonit: «Prapë jonë tepër shumë. Çoji burrat poshtë te uji. Aty kam me i zgjedhë për ty. Kur të them për dikon: ‘Ky ka me shku me ty’, merre me veti. Po kur të them: ‘Ky s'ka me shku me ty’, mos e merr.»
5 Atëherë Gideoni i ka çu burrat poshtë te uji. Jehova i ka thanë: «Ndaji ata
që e lëpijnë ujin me gjuhë si qeni, pi atyne që gjunjëzohen me pi ujë.»
6 Burrat që e kanë marrë ujin me dorë edhe e kanë çu te goja me e lëpi jonë konë 300. Krejt të tjerët jonë gjunjëzu me pi ujë.
7 Jehova i ka thanë Gideonit: «Me këta 300 burra që kanë pi ujë pi dora, kam me ju shpëtu edhe kam me t'i dhanë midianitët në dorë. Krejt të tjerët le të kthehen në shpi.»
8 Pasi ata 300 burra i kanë marrë ushqimet e rrugës edhe brinat e të tjerëve, Gideoni i ka çu krejt burrat tjerë të Izraelit në shpi. Kampi i midianitëve u konë poshtë tij, në luginë.
9 Atë natë Jehova i ka thanë: «Çohu, sulmoje kampin! Unë kam me ta dhanë në dorë.
10 Po nëse po tutesh me sulmu, zhdryp poshtë te kampi bashkë me shërbëtorin tand Pura.
11 Dëgjo qka po flasin ata, e masanej ka me të ardhë guximi me e sulmu kampin.» Atëherë Gideoni ka zhdrypë bashkë me shërbëtorin e tij Pura deri te skaji i kampit të ushtrisë.
12 Midianitët, amalekitët edhe njerëzit pi lindjes e kanë mbulu krejt luginën si nji tufë e madhe karkalecash. Devetë e tyne jonë konë aq shumë, sa kokrrat e ranës në breg të detit.
13 Kur Gideoni ka mbërri aty, nji burrë u konë tu ia tregu nji andërr shokut të vet. Aj ka thanë: «E kam pa në andërr nji bukë të rrumbullakët elbi, që ka ardhë tu u rrokullisë në kampin e midianitëve. U rrokullisë drejt nji çadre edhe e ka goditë me aq fuqi, sa çadra u rrëzu. Po, u përmbys krejt edhe u shemb.»
14 Atëherë shoku i tij ka thanë: «Kjo s'munet me konë tjetër, veç shpata e Gideonit, të birit të Joashit, nji burri pi Izraeli. Perëndia ia ka dhanë në dorë midianitët edhe krejt kampin.»
15 Kur Gideoni e ka dëgju andrrën edhe shpjegimin e saj, u përkul edhe e ka adhuru Perëndinë. Masanej u kthy në kampin e Izraelit edhe ka thanë: «Çohuni! Jehova ua ka dhanë në dorë kampin e midianitëve.»
16 Atëherë i ka nda 300 burrat në tri grupe edhe secilit ia ka dhanë nji bri edhe nji shtambë të madhe e të zbrazët, me nji pishtar mrena.
17 Ju ka thanë: «M'kqyrni mu edhe boni krejt qysh boj unë. Kur të mbërrij te skaji i kampit, boni tamam qysh boj unë.
18 Sapo unë edhe krejt ata që jonë me mu t'i fryjmë brinave, fryjuni edhe ju brinave përreth kampit edhe bërtitni: ‘Për Jehovain edhe për Gideonin!’»
19 Gideoni edhe 100 burrat që i ka pasë me veti kanë mbërri te skaji i kampit në fillim të rojës së mesme të natës, tamam kur sapo i kanë vendosë rojet. Ata ju kanë fry brinave edhe i kanë thy shtambat e mëdhaja që i kanë pasë në dorë.
20 Krejt tri grupet ju kanë fry brinave edhe i kanë thy shtambat. Pishtarët i kanë mbajtë në dorën e majtë, e brinat që ju frynin në dorën e djathtë, edhe kanë bërtitë: «Shpata e Jehovait edhe e Gideonit!»
21 Gjatë krejt asaj kohe, secili ka nejtë në vendin e vet përreth kampit, e krejt ushtria ka nisë me ikë me britma.
22 Ata 300 burra kanë vazhdu me ju fry brinave, e Jehova ka bo që burrat në krejt kampin me u sulmu mes veti me shpata. Ushtria ka ikë deri në Bet-Shita, e ma tutje në Zerera, deri te kufini i Abel-Meholës afër Tabatit.
23 Atëherë i kanë thirrë izraelitët pi Naftali, Asheri edhe krejt Manase, edhe ata i kanë ndjekë midianitët.
24 Gideoni ka çu lajmëtarë nëpër krejt malësinë e Efraimit me ju thanë: «Zhdrypni poshtë, sulmoni midianitët edhe zini vendet ku kalohet uji deri në Bet-Bara, bashkë me Jordanin!» Atëherë i kanë thirrë krejt burrat e Efraimit edhe ata i kanë marrë nën kontroll vendet ku kalohet uji deri në Bet-Bara, bashkë me Jordanin.
25 Ata i kanë kapë edhe dy prijësit e midianitëve, Orebin edhe Zeebin. Orebin e kanë vra te shkambi Oreb, e Zeebin e kanë vra te vendi ku shtrydhet rrushi, që quhet shtypësja e Zeebit. Kanë vazhdu me i ndjekë midianitët edhe ia kanë çu Gideonit kokat e Orebit edhe të Zeebit në anën e Jordanit.