Hebrenjve 10
1 Ligji asht veç nji hije e seneve të mira që kanë me ardhë, jo vetë realiteti. Prandaj aj kurrë s’mundet me i bo të përsosun ata që dalin para Zotit, përmes të njejtave kurbane që ofrohen vazhdimisht vit për vit. 2 Përndryshe, a nuk kishin ndalë me ofru kurbane, sepse ata që bajshin shërbim të shenjtë, pasi të ishin pastru nji herë, nuk kishin me qenë ma të vetëdijshëm për gjynahe? 3 Përkundrazi! Përmes këtyne kurbaneve kujtohen gjynahet vit për vit, 4 sepse asht e pamundshme që gjaku i demave edhe i cjepve me i hjekë gjynahet.
5 Prandaj, kur hyn në botë, aj thotë: „Kurbane edhe dhurata nuk deshte, po ma bane nji trup. 6 Kurbane të djeguna krejt edhe kurbane për gjynah nuk gjetën pëlqim te ti.“ 7 Atëherë thashë: „Ja, erdha, në rrotullën e librit asht shkru për mu, që me e kry vullnetin tand, o Zot.“ 8 Pasi së pari tha: „Kurbane, dhurata, kurbane të djeguna krejt edhe kurbane për gjynah nuk deshte, as nuk gjetën pëlqim te ti“ — kurbane që ofrohen simas Ligjit —, 9 pastaj thotë: „Ja, erdha që me e kry vullnetin tand.“ Aj e heq të parën, që me e vu në fuqi të dytën. 10 Sipas këtij „vullneti“, na jemi shenjtëru nji herë e përgjithmonë përmes kurbanit të trupit të Jezu Krishtit.
11 Edhe çdo prift e merr vendin e vet ditë për ditë, për me bo shërbim të shenjtë edhe për me i ofru vazhdimisht të njejtat kurbane, kurbane që kurrë s’munden me i hjekë plotësisht gjynahet. 12 Po ky njeri ofroi nji kurban të vetëm për gjynahe për krejt kohët, edhe u ul në anën e djathtë të Zotit. 13 Qysh atëherë po pret derisa armiqtë e tij të vihen si stol për kambët e tij. 14 Sepse përmes nji kurbani të vetëm, aj i ka bo të përsosun për krejt kohët ata që po shenjtërohen. 15 Këtë na e dëshmon edhe fryma e shenjtë, sepse pasi tha: 16 „‘Kjo asht besëlidhja që kam me e lidhë me ta mas atyne ditëve’, thotë Jehovaj. ‘Kam me i vu ligjet e mia në zemrat e tyne edhe kam me i shkru në mendjen e tyne’“, 17 thotë edhe: „Gjynahet e tyne edhe veprat e tyne të paligjshme nuk kam me i kujtu ma.“ 18 E aty ku ka falje të gjynaheve, s’ka ma nevojë për kurban.
19 Pra, vllazën, përmes gjakut të Jezusit mundemi me hy me guxim në vendin e shenjtë, në nji udhë 20 që aj na e hapi përmes perdes, domethanë trupit të tij, si nji udhë të re drejt jetës. 21 Edhe e kemi nji prift të madh, që asht vendosë mbi shpinë e Zotit. 22 Prandaj le t’i afrohemi me zemër të sinqertë edhe me besim të plotë, pasi zemrat tona janë pastru me spërkatje pi nji ndërgjegje e keqe, edhe trupi jonë asht la me ujë të pastër. 23 Le të kapemi pa u lëkundë për shpalljen publike të shpresës sonë, sepse Ai që e dha premtimin asht besnik. 24 Edhe le të kujdesemi për njani-tjetrin, që me e nxitë njani-tjetrin për dashni edhe vepra të mira. 25 Edhe mos ta lamë mbledhjen tonë bashkë, qysh e kanë zakon disa, po t’i japim zemër njani-tjetrit, edhe aq ma shumë sa po e shihni ditën tu u afru.
26 Sepse nëse vazhdojmë me bo gjynah me qëllim, pasi e kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, s’mbetet ma kurrfarë kurbani për gjynahe. 27 Po mbetet nji pritje e frikshme e gjykimit edhe nji zemërim flakërues që ka me i përpi ata që i kundërvihen Zotit. 28 Kush e ka shpërfillë Ligjin e Moisiut, vritet pa mëshirë në bazë të dëshmisë së dy a tre vetave. 29 Sa ma të randë mendoni që e meriton dënimin nji njeri që e shkel me kambë Birin e Zotit, që e sheh si diçka të zakonshme gjakun e besëlidhjes përmes të cilit asht shenjtëru, edhe që e përbuz frymën e mirësisë së pameritume dhe e fyen randë? 30 Sepse na e njohim Atë që ka thanë: „Hakmarrja asht puna jeme. Unë kam me shpagu.“ Edhe prapë: „Jehovaj ka me e gjyku popullin e vet.“ 31 Asht diçka e frikshme me ra në duert e Zotit të gjallë.
32 Kujtojeni kohën e ma përparshme, pasi u ndriçuat. Atëherë duruat nji luftë të madhe me shumë vuajtje. 33 Nganjiherë ishit para të gjithëve të ekspozum ndaj fyerjeve edhe vështirësive, e nganjëherë ju qëndruat afër atyne që kalonin sene të tilla. 34 Keni tregu dhimt për ata që ishin në burg, edhe kur jau kanë marrë pasuninë, e keni pranu me gëzim, sepse e dini që ju vetë keni diçka ma të mirë, që mbetet.
35 Prandaj mos e hidhni guximin tuej, sepse aj ka me u shpërbly shumë. 36 Ju duhet me qëndru, që pasi ta kryni vullnetin e Zotit, ta përjetoni përmbushjen e premtimit. 37 Sepse edhe „pak, shumë pak kohë“ edhe „Aj që po vjen ka me mbërri, edhe nuk ka me vonu“. 38 „Po i drejti jem ka me jetu për shkak të besimit të vet“, edhe „nëse tërhiqet mbrapa, nuk kam kënaqësi në të“. 39 Po na nuk jemi pi atyne që tërhiqen mbrapa edhe shkatërrohen, po pi atyne që kanë besim edhe kështu e shpëtojnë jetën e vet.