Hebrenjve 11

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Besimi asht siguria që ajo që shpresohet ka me ndodhë. Asht dëshmia bindëse për realitete që nuk shihen. 2 Për shkak të besimit, të parët tanë morën vërtetimin që Zoti i pranonte.

3 Për shkak të besimit e kuptojmë që sistemet e botës janë rregullu përmes fjalës së Zotit. Ajo që shihet ka dalë pi asaj që nuk shihet.

4 Për shkak të besimit, Abeli i ofroi Zotit nji kurban ma të vlefshëm se Kaini. Për shkak të këtij besimi, aj mori vërtetimin që ishte i drejtë, sepse dhuratat e tij gjetën pranim te Zoti. Edhe pse ka vdekë, aj hala flet përmes besimit të vet.

5 Për shkak të besimit, Henoku u mor, që mos me e pa vdekjen. Nuk u gjet askund, sepse Zoti e kishte marrë. Edhe para se me u marrë, aj mori vërtetimin që Zoti ishte i kënaqun me të. 6 Po pa besim asht e pamundshme me i pëlqy Zotit, sepse kush i afrohet Zotit, duhet me besu që aj ekziston edhe që i shpërblen krejt ata që e kërkojnë përnime.

7 Për shkak të besimit, Noeu tregoi respekt të thellë për Zotin. Pasi mori nji paralajmërim hyjnor për diçka që hala nuk shihej, ndërtoi nji arkë për me e shpëtu shpinë e vet. Përmes besimit të vet, aj e dënoi botën, edhe u bo trashëgimtar i drejtësisë që vjen pi besimi.

8 Për shkak të besimit, Abrahami u bind kur Zoti e thirri, edhe u nis për nji vend që kishte me e marrë si trashëgimi. Aj shkoi, pa e ditë kah po shkonte. 9 Për shkak të besimit, aj jetoi si i huj në vendin që ju premtu, si në nji vend të huj. Banoi në tenda me Isakun edhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njejtit premtim. 10 Sepse aj priste qytetin që ka themele të vërteta, projektuesi edhe ndërtuesi i të cilit asht Zoti.

11 Për shkak të besimit, edhe Sara mori fuqi me zanë fmi, edhe pse kishte kalu moshën, sepse e pa si besnik Atë që e kishte dhanë premtimin. 12 Prandaj edhe nji burrë që ishte gati si i vdekun, mujti me pasë fmi — aq shumë sa yjet në qiell edhe të panumërt si kokrrat e ranës në breg të detit.

13 Krejt këta vdiqën në besim, pa e përjetu përmbushjen e premtimeve. Po i panë pi larg edhe u gëzuan për to, edhe shpallën hapur që ishin të huj në vend dhe banorë të përkohshëm. 14 Ata që flasin kështu e bojnë të qartë që po kërkojnë seriozisht nji vend që asht shpija e tyne. 15 E megjithatë, po të kishin mendu vazhdimisht për vendin pi ku kishin dalë, kishin pasë mundësi me u kthy. 16 Po tash po synojnë nji vend ma të mirë, nji që i takon qiellit. Prandaj Zoti nuk turpërohet për ta, kur thirret si Zoti i tyne, sepse ka përgatitë nji qytet për ta.

17 Për shkak të besimit, Abrahami gati e ofroi Isakun si kurban, kur u sprovua. Njeriu që i kishte marrë premtimet edhe gëzohej për to, ishte gati me e ofru si kurban djalin e vet të vetëm, 18 edhe pse i ishte thanë: „Përmes Isakut kanë me ardhë ata që kanë me u qujtë pasardhësit tu.“ 19 Ai e llogariti që Zoti mundet me e ringjallë edhe pi të dekuneve, edhe në mënyrë simbolike e mori prapë pi aty.

20 Për shkak të besimit, Isaku e bekoi Jakobin edhe Esaun për senet që kishin me ardhë.

21 Për shkak të besimit, Jakobi, pak para vdekjes, e bekoi secilin pi bijve të Jozefit, edhe i mbështetun në majë të shkopit të vet e adhuroi Zotin.

22 Për shkak të besimit, Jozefi, kur ju afru fundi, foli për daljen e bijve të Izraelit edhe dha udhëzime qka duhej me u bo me eshtnat e tij.

23 Për shkak të besimit, Moisiu, mas lindjes, u mshef për tre muej pi prindërit e vet. Ata panë që ishte fmi i bukur edhe nuk ju tutën urdhrit të mbretit. 24 Për shkak të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi me u qujtë biri i vajzës së Faraonit. 25 Ma shumë deshti me u trajtu keq bashkë me popullin e Zotit, sesa me pasë kënaqësinë e përkohshme të gjynahit. 26 Për të, turpi i Krishtit ishte pasuni ma e madhe se thesaret e Egjiptit, sepse e kishte sytë fort te shpërblimi. 27 Për shkak të besimit, aj e la Egjiptin, pa pasë frikë pi zemërimi i mbretit. Qëndroi i palëkundun, sikur po e shihte Atë që nuk shihet. 28 Për shkak të besimit, aj e kremtoi Pashkën edhe i spërkati kornizat e dyerve me gjak, që shkatërrimtari mos me jau mbytë të parëlindunit.

29 Për shkak të besimit, ata kaluan nëpër Detin e Kuq si në tokë të thatë, po kur Egjiptianët provuan me bo të njejtën, u përpinë.

30 Për shkak të besimit, muret e Jerikos ranë, pasi populli sillej rreth tyne për shtatë ditë. 31 Për shkak të besimit, prostituta Rahab nuk u shkatërru bashkë me ata që vepruan me mosbindje. Sepse ajo i kishte pritë spiunët në paqe.

32 Edhe qka të thom ma shumë? Nuk kish me më dalë koha po të tregoja hala për Gideonin, Barakun, Samsonin, Jeftën, Davidin, Samuelin edhe pejgamberët tjerë. 33 Për shkak të besimit, ata mposhtën mbretni, sollën drejtësi, morën premtime, jau mbyllën gojën luanëve, 34 i qëndruan fuqisë së zjarrit edhe i ikën shpatës. Kur ishin të dobët, morën fuqi; në luftë u banë të fortë, i vunë në ikje ushtritë që sulmojshin. 35 Gra i morën prapë të dekunit e vet përmes ringjalljes. Pastaj kishte tjerë që u torturuan, sepse nuk pranuan çlirim përmes shpërblesës, që me marrë nji ringjallje ma të mirë. 36 Tjerë prapë duruan tallje edhe rrahje me kamxhik, po edhe ma shumë: pranga edhe burgje. 37 U gjujtën me gurë, u sprovuan, u prenë me sharrë, u therën me shpatë, ecën andej-këndej me lëkura delesh e dhish. Gjatë kësaj, pësuan nevojë, shtypje edhe keqtrajtim, 38 edhe bota nuk i meritonte. U sillën nëpër shkretina, male, shpella edhe gryka të tokës.

39 Edhe pse krejt këta për shkak të besimit të vet morën vërtetimin që Zoti i pranonte, nuk e përjetuan përmbushjen e premtimit. 40 Sepse Zoti kishte parapa diçka ma të mirë për neve, që ata mos të boheshin të përsosun pa neve.