Hebrenjve 12
1 Pra, masi kemi rreth vetes nji re kaq të madhe dëshmitarësh, le ta hjekim edhe na çdo barrë edhe gjynahin që na rrethon lehtë, edhe le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na asht vu përpara. 2 Gjatë kësaj, le t’i mbajmë sytë te Jezusi, Udhëheqësi kryesor edhe Përsosësi i besimit tonë. Për gëzimin që ishte vu para tij, aj duroi nji shtyllë mundimesh, pa e marrë parasysh turpin, edhe u ul në anën e djathtë të fronit të Zotit. 3 Po, mendoni mirë për atë që duroi kundërshtime të tilla pi gjynahqarët — kundër interesave të veta — që mos me u lodhë e mos me u dorëzu.
4 Në luftën tuej kundër këtij gjynahi, hala nuk keni rezistu deri në gjak. 5 Edhe e keni harru krejt nxitjen që ju drejtohet si bijve: „Biri jem, mos e nënvlerëso edukimin pi Jehovaj, edhe mos u dorëzo kur aj të korrigjon. 6 Sepse Jehovaj e edukon atë që e don, po, e ndëshkon secilin që e pranon si bir.“
7 Duhet me qëndru, kjo asht pjesë e edukimit tuej. Zoti po ju trajton si bij. E cili bir nuk edukohet pi baba i vet? 8 Po nëse nuk e keni marrë edukimin që e marrin krejt, atëherë në të vërtetë jeni fmi jashtë martese, e jo bij. 9 Fundja, baballarët tanë njerëzorë na kanë eduku edhe na i kemi respektu. A nuk duhet atëherë edhe ma shumë me ju nënshtru Atit të jetës sonë frymore, që me jetu? 10 Sepse ata na edukuan për pak kohë, qysh ju dukej atyne e drejtë. Po aj e bon për të mirën tonë, që të mundemi me pasë pjesë në shenjtërinë e tij. 11 Vërtet, nji masë edukimi për momentin nuk duket e gëzueshme, po e dhimbshme, ama ma vonë, atyne që janë stërvitë përmes saj, ju sjell si fryt paqe edhe drejtësi.
12 Prandaj forconi duert e lodhuna edhe gjunjtë e dobët, 13 edhe vazhdoni me bo udhë të drejta për kambët tueja, që ajo që asht e çalë mos me u nxjerrë pi vendi, po përkundrazi me u shëru. 14 Ndiqni paqen me krejt njerzt, edhe shenjtërimin, pa të cilin askush s’ka me e pa Zotninë. 15 Kini shumë kujdes që askush mos ta humbë mirësinë e pameritume të Zotit, që mos të mbijë naj rrënjë helmuese e të krijojë telashe, edhe kështu shumë veta me u ndotë. 16 Kini kujdes edhe që të mos ketë askush që ban imoralitet seksual a që nuk i çmon senet e shenjta, qysh Esau, që i dha të drejtat e të parëlindunit për nji vakt të vetëm. 17 Sepse e dini që ma vonë, kur deshti me e trashëgu bekimin, u refuzu. Edhe pse u mundua me lot me sjellë nji ndryshim mendjeje, nuk arriti kurgjo.
18 Sepse ju nuk ju keni afru nji mali që mundet me u prekë e që po digjet në flakë, as nji reje të zezë, as nji terri të dendur, as nji stuhie, 19 as tingullit të trumbetës edhe zanit të fjalëve. Kur populli e dëgjoi atë za, u lut fort që të mos ju thuhej ma asnji fjalë tjetër. 20 Sepse nuk mujshin me e duru urdhnin që thoshte: „Edhe nëse nji kafshë e prek malin, duhet me u gjujtë me gurë.“ 21 Edhe pamja ishte aq e frikshme, sa Moisiu tha: „Kam frikë edhe po dridhem.“ 22 Përkundrazi, ju i jeni afru malit Sion, qytetit të Zotit të gjallë, Jerusalemit qiellor, edhe dhjetëra mijëra melaqeve 23 në mbledhjen e përgjithshme, edhe kongregacionit të të parëlindunve që janë të regjistrum në qiell, edhe Zotit, Gjykatësit të krejtve, edhe jetës frymore të të drejtëve që janë bo të përsosun, 24 edhe Jezusit, Ndërmjetësit të nji besëlidhjeje të re, edhe gjakut të spërkatun, që flet në mënyrë ma të mirë se gjaku i Abelit.
25 Kini kujdes mos të refuzoni me e ngu Atë që flet. Sepse nëse ata që refuzuan me e ngu atë që dha paralajmërim hyjnor në tokë nuk shpëtuan pa u dënu, aq ma shumë nuk kemi me shpëtu na, nëse kthehemi pi Ai që flet pi qielli. 26 Atëherë zani i tij e tronditi tokën, po tash aj ka premtu: „Edhe nji herë kam me tronditë — jo veç tokën, po edhe qiellin.“ 27 Shprehja „edhe nji herë“ tregon që ajo që tronditet, domethanë ajo që asht kriju, ka me u hjekë, që ajo që nuk mundet me u tronditë me mbetë. 28 Pra, masi kemi me marrë nji mbretni që nuk mundet me u tronditë, le të vazhdojmë me marrë mirësi të pameritume, përmes së cilës mundemi me i bo Zotit shërbim të shenjtë në mënyrë të pranueshme, me frikë ndaj Zotit edhe respekt. 29 Sepse Zoti jonë asht zjarr që përpin.